Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rritja e adoleshentëve: Roli i kuptueshmërisë

Rritja e adoleshentëve: Roli i kuptueshmërisë

Rritja e adoleshentëve: Roli i kuptueshmërisë

Përfytyro sikur ke shkuar në një vend të huaj dhe nuk e di gjuhën. Pa dyshim që komunikimi është i vështirë, por jo i pamundur. Për shembull, një fjalor mund të të ndihmojë të mësosh shprehjet kryesore. Ose dikush tjetër mund të përkthejë që ti të kuptosh të tjerët dhe të tjerët të të kuptojnë ty.

PRINDËRIT që po rritin adoleshentë ndonjëherë mund të ndihen sikur janë në një situatë pak a shumë të njëjtë. Ashtu si me një gjuhë të huaj, mund të jetë e vështirë, por jo e pamundur, të kuptosh mënyrën si sillen adoleshentët. Çelësi është që prindërit të përpiqen të kuptojnë çfarë ndodh gjatë kësaj faze të rritjes që ndonjëherë është entuziazmuese, por shpesh është edhe turbulluese.

Përtej sjelljes

Dëshira që ka një adoleshent për të qenë i pavarur nuk është medoemos shenjë rebelimi. Kujto që Bibla pohon se me kalimin e kohës «burri do të lërë babanë dhe nënën». (Zanafilla 2:24) Për t’u përgatitur për përgjegjësi më të mëdha kur të rriten, të rinjtë kanë nevojë për njëfarë përvoje në marrjen e vendimeve.

Le të shqyrtojmë se çfarë mund të fshihet pas sjelljes që vunë re prindërit e cituar në artikullin e mëparshëm.

Lia nga Britania tha me keqardhje: «Papritur im bir nisi të ngulte këmbë tek e vetja dhe shpesh na e bënte fjalën dysh.»

Ashtu si fëmijët e vegjël, edhe adoleshentët pyesin vazhdimisht: «Pse?» Por tani, një përgjigje e shkurtër dhe e thjeshtë mbase nuk i jep fund bisedës. Çfarë ka ndryshuar? Apostulli Pavël shkroi: «Kur isha fëmijë . . . arsyetoja si fëmijë.» (1 Korintasve 13:11) Dora-dorës që zhvillojnë aftësinë për të arsyetuar, fëmijët duan shpjegime më bindëse në mënyrë që të stërvitin «aftësitë perceptuese».—Hebrenjve 5:14.

Xhoni nga Gana tha: «Vajzat tona e vrisnin mendjen më tepër, sidomos kur vinte puna te pamja.»

Qoftë kur ndodh herët, qoftë vonë ose tamam në kohë, rritja e vrullshme gjatë pubertetit bën që shumë të rinj të merakosen tepër për pamjen. Vajzat mund të entuziazmohen ose të frikësohen për linjat e reja të trupit, madje ndodh që këto ndjenja t’u ngatërrohen me njëra-tjetrën. Shto këtu edhe daljen e puçrrave të moshës dhe tualetin për t’i mbuluar, dhe kuptohet kollaj përse adoleshentët kalojnë më shumë kohë para pasqyrës sesa mbi librat e shkollës.

Danieli nga Filipinet shpjegoi: «Fëmijët na mbanin sekrete dhe kërkonin të kalonin më shumë kohë në intimitetin e tyre. Shpesh, u pëlqente të rrinin më shumë me shokët sesa me ne.»

Mbajtja e sekreteve mund të jetë e rrezikshme. (Efesianëve 5:12) Gjithsesi intimiteti është ndryshe. Edhe Jezui e dinte sa vlerë kishte të gjente «një vend të vetmuar, që të qëndronte vetëm». (Mateu 14:13) Teksa rriten, edhe adoleshentët kanë nevojë për pak hapësirë për veten, si dhe që të rriturit ta respektojnë këtë. Njëfarë intimiteti i ndihmon ata t’i mendojnë gjërat thellë, një aftësi jetësore që do t’u shërbejë kur të rriten.

Po kështu, pjesë e rritjes është edhe të mësojnë të ndërtojnë miqësi. Është e vërtetë se «shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme». (1 Korintasve 15:33) Por është me vend edhe thënia tjetër e Biblës: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.» (Proverbat 17:17) Të mësojnë si të lidhin e si të mbajnë miqësi të mira është një aftësi jetësore që do t’u vlejë edhe kur të rriten.

Kur përballen me ndonjë nga situatat e mësipërme, është mirë që prindërit të përpiqen të kuptojnë me qëllim që të mos e keqinterpretojnë sjelljen e adoleshentëve. Sigurisht, kuptueshmëria duhet të ecë krah për krah me mençurinë, aftësinë për të reaguar në mënyrë të atillë që të nxjerrësh më të mirën nga situata. Si mund ta bëjnë këtë prindërit e adoleshentëve?

[Diçitura në faqen 5]

Dora-dorës që zhvillojnë aftësinë për të arsyetuar, fëmijët duan shpjegime më bindëse për rregullat e familjes