Rritja e adoleshentëve: Roli i mençurisë
Rritja e adoleshentëve: Roli i mençurisë
«Bëjmë çmos ta ndihmojmë djalin dhe vajzën, por duket sikur gjithmonë i qortojmë për diçka. Nganjëherë vrasim mendjen nëse po i ndihmojmë të ndërtojnë besimin te vetja apo po ua shkatërrojmë atë. Nuk është aspak e lehtë të gjesh ekuilibrin.»—Xhorxhi dhe Lorena, Australi.
TË RRITËSH një adoleshent nuk është e lehtë. Përveçse të përballojnë kokëçarjet e reja që nxjerrin fëmijët, prindërve u duhet të përballojnë edhe ankthin ngaqë vajza apo djali po rritet. Franku, një baba në Australi, pohon: «Vetëm ideja se fëmijët një ditë do të largohen nga shtëpia të trishton. Nuk është e lehtë të pranosh se nuk vendos më për jetën e tyre.»
Lia, e cituar më parë në këtë seri, është në një mendje. Ajo thotë: «Është e vështirë ta trajtoj djalin si të rritur, sepse në sytë e mi ai mbetet djali im i vogël. Më duket sikur ishte dje që e çova në shkollë për herë të parë.»
Edhe pse mund të jetë e vështirë për t’u pranuar, adoleshentët nuk janë më fëmijë të vegjël. Ata po stërviten që të bëhen të rritur, kurse prindërit dhe mësuesit janë «tifozët» e tyre. Sidoqoftë, siç thanë më sipër Xhorxhi dhe Lorena, prindërit mund t’ia ndërtojnë ose t’ia shkatërrojnë fëmijës besimin te vetja. Si mund ta gjejnë prindërit ekuilibrin e duhur? Bibla ka këshilla të dobishme. (Isaia 48:17, 18) Le të marrim disa shembuj.
Komunikimi i mirë është jetësor
Bibla thotë të jemi ‘të shpejtë në të dëgjuar’ dhe ‘të mos nxitohemi në të folur’. (Jakovi 1:19) Edhe pse kjo është një këshillë e mirë kur ke të bësh me fëmijë të çfarëdo moshe, të dëgjosh është e rëndësishme sidomos kur ke përpara adoleshentë. Kjo mund të kërkojë shumë përpjekje.
«M’u desh të përmirësoja komunikimin kur djemtë u bënë adoleshentë,—thotë Piteri nga Britania.—Kur ishin më të vegjël, unë dhe ime shoqe u thoshim çfarë të bënin dhe ata na dëgjonin. Por tani që janë më të rritur, duhet të arsyetojmë me ta, të bisedojmë gjerë e gjatë dhe t’i lëmë që t’i zgjidhin gjërat me aftësinë e tyre për të menduar. Me një fjalë duhet t’u prekim zemrën.»—2 Timoteut 3:14.
Të dëgjosh është e rëndësishme sidomos kur lind ndonjë mosmarrëveshje. (Proverbat 17:27) Daniela nga Britania pa se kjo bënte punë edhe në rastin e saj. Ajo tregon: «Një herë u grinda me një nga vajzat, ngaqë më kthente fjalë kur i kërkoja të bënte ndonjë gjë. Por ajo më tha se unë dija vetëm t’i bërtisja dhe ta urdhëroja. Për ta zgjidhur problemin, u ulëm dhe e dëgjuam vërtet njëra-tjetrën. Vajza m’u shpreh si i flisja unë asaj dhe si ndihej, kurse unë i tregova si mendoja dhe si ndihesha.»
Daniela kuptoi se ngaqë u tregua ‘e shpejtë në të dëgjuar’, arriti të dallonte shkaqet më të thella të problemit. «Tani mundohem të jem e duruar me time bijë dhe përpiqem t’i flas vetëm kur nuk jam me nerva. Marrëdhënia jonë po përmirësohet»,—thotë ajo.
Te Proverbat 18:13 thuhet: «Nëse dikush përgjigjet për një çështje para se ta dëgjojë, kjo është për të marrëzi dhe poshtërim.» Gregu nga Australia e provoi vetë këtë. Ai pohon: «Ndonjëherë grindjet me fëmijët lindin kur unë dhe ime shoqe u bëjmë menjëherë moral, në vend që në fillim t’i dëgjojmë dhe të kuptojmë ndjenjat e tyre. Edhe atëherë kur nuk na pëlqen aspak qëndrimi i tyre, kemi parë se është shumë e rëndësishme t’i lëmë të shprehen para se t’u japim disiplinën ose këshillat e nevojshme.»
Sa liri t’u japësh?
Mbase më shpesh molla e sherrit mes prindërve dhe fëmijëve është se adoleshentët duan të jenë të pavarur. Sa liri i duhet dhënë një adoleshenti? «Ndonjëherë më duket se sime bije po i dhe dorën, të merr krahun»,—thotë një baba.
Është e qartë se po t’u japësh fëmijëve liri pa kufi, ata do të korrin pasoja të këqija. Bibla paralajmëron se «djali i lënë pa fre, e turpëron nënën e tij». (Proverbat 29:15) Në çfarëdo moshe qofshin, të rinjtë kanë nevojë për drejtim të përcaktuar qartë. Nga njëra anë prindërit duhet të jenë të dashur, por nga ana tjetër duhet t’u qëndrojnë besnikë rregullave të familjes. (Efesianëve 6:4) Ndërkaq të rinjve u duhet dhënë njëfarë pavarësie që të jenë më të përgatitur të marrin vendime të mençura në jetë.
Për shembull, kujto se si mësove të ecësh. Në fillim, kur ishe foshnjë, të mbanin në krahë. Me kalimin e kohës fillove të ecësh këmbadoras dhe pastaj u ngrite në këmbë. Sigurisht, mund të jetë e rrezikshme të lësh një fëmijë të vogël të vërtitet vetëm. Prandaj, prindërit nuk t’i ndanin sytë e mbase të vinin edhe pengesa që mos të të linin të shkoje në vende të rrezikshme, si shkallët.
Prapëseprapë të linin të ecje vetë që me kalimin e kohës të mësoje të ecje kollaj (edhe pse patjetër do të rrëzoheshe disa herë).Kështu është edhe me lirinë që prindërit u japin adoleshentëve. Në fillim prindërit i mbajnë në krahë fëmijët e vegjël. Këtë e bëjnë duke vendosur për ta. Më vonë, teksa fëmijët tregojnë njëfarë pjekurie, prindërit, si të thuash, i lënë të ecin këmbadoras. I lejojnë të zgjedhin vetë për disa gjëra. Gjithsesi, vënë kufij aty ku duhet që t’i mbrojnë nga pasojat. Dora-dorës që fëmijët piqen, prindërit i lejojnë «të ecin» vetë. Kështu, kur të rriten, do të jenë të zotë ‘të mbajnë ngarkesën e vet’.—Galatasve 6:5.
Një shembull i mirë nga Bibla
Është e qartë se kur ishte 12 vjeç, prindërit i kishin dhënë Jezuit njëfarë pavarësie, por ai nuk e shpërdoroi besimin e tyre. Përkundrazi, «vazhdoi t’u nënshtrohej» prindërve, ndërkohë që «rritej në mençuri, në shtat dhe fitonte gjithnjë e më shumë pëlqimin e Perëndisë dhe të njerëzve».—Luka 2:51, 52.
Si prind, mund të mësosh nga ky shembull e gradualisht t’u japësh fëmijëve gjithnjë e më shumë liri ndërkohë që japin prova se janë të zotë ta përdorin mirë atë. Vër re se çfarë thonë disa prindër rreth kësaj.
«Ndërhyja tepër në gjërat që bënin fëmijët e mi. Më vonë u mësova parime dhe i lashë të merrnin vendime sipas asaj që kishin mësuar. Pas kësaj pashë se filluan t’i peshonin më me kujdes vendimet që merrnin.»—Su Hjun, Kore.
«Unë dhe im shoq gjithmonë e kemi me merak t’u japim fëmijëve liri, por nuk kemi lejuar që kjo t’i pengojë ata ta përdorin me përgjegjësi lirinë që e kanë merituar.»—Daria, Brazil.
«Kam kuptuar se është e rëndësishme ta lavdëroj djalin tim adoleshent kur e përdor me mençuri lirinë që i jap. Veç kësaj, ato që kërkoj nga ai, i bëj edhe vetë. Për shembull, i tregoj se ku po shkoj dhe çfarë do të bëj. Nëse bëhem vonë, e lajmëroj.»—Ana, Itali.
«Në familjen tonë theksojmë se pavarësia nuk është një e drejtë që djemve tanë u takon, por diçka për të cilën duhet të japin prova se e meritojnë.»—Piteri, Britani.
Të vuajnë pasojat
Bibla thotë: «Gjë e mirë është për njeriun të mbajë zgjedhën gjatë rinisë së tij.» (Vajtimet 3:27) Një nga mënyrat më të mira që një i ri të mbajë zgjedhën e përgjegjësisë është të mësojë nga përvoja sa të vërteta janë fjalët: «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.»—Galatasve 6:7.
Nisur nga motive të mira, disa prindër i mbrojnë fëmijët adoleshentë nga pasojat e veprimeve jo të mençura. Për shembull, ta zëmë
se një djalë i shpërdoron paratë dhe hyn në borxh. Çfarë do të mësonte sikur mami dhe babi ta paguanin borxhin në vend të tij? Nga ana tjetër, çfarë mësimi do t’i jepej nëse prindërit do ta ndihmonin të gjente një mënyrë si ta shlyente vetë borxhin?Prindërit nuk i ndihmojnë fëmijët kur nuk i lënë të mësojnë nga pasojat e sjelljes së papërgjegjshme. Në vend që t’i përgatitë për moshën e rritur, kjo vetëm sa u mëson se gjithmonë do t’u dalë krah dikush për t’i nxjerrë nga situata kur e kanë punën pisk, për të ndrequr pasojat e telasheve që kanë hapur dhe për t’u mbuluar gabimet. Është shumë më mirë t’i lësh adoleshentët të korrin ç’kanë mbjellë dhe të mësojnë si t’i zgjidhin problemet. Kjo është e rëndësishme që ata t’i kenë «aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën».—Hebrenjve 5:14.
«Një njeri në rritje e në ndryshim»
S’ka dyshim se prindërit e adoleshentëve kanë një detyrë të vështirë. Nganjëherë do të derdhin lot zhgënjimi teksa mundohen me mish e me shpirt për t’i rritur fëmijët «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait».—Efesianëve 6:4.
Në fund të fundit të jesh prind i mirë nuk do të thotë t’i kontrollosh fëmijët, por t’i mësosh e t’u ngulitësh vlerat e duhura morale. (Ligji i përtërirë 6:6-9) A është kollaj ta thuash, por e vështirë ta bësh? Patjetër që po. Gregu, i cituar më sipër, thotë: «Kemi të bëjmë me një njeri në rritje e në ndryshim. Kjo do të thotë se duhet ta njohim e ta korrigjojmë në vazhdimësi këtë njeri të ri.»
Bëj çmos të zbatosh parimet biblike të trajtuara në këtë artikull. Ji i arsyeshëm në atë që pret nga fëmijët e tu, por kurrë mos hiq dorë nga pozicioni yt si shembull kryesor në jetën e tyre. Bibla thotë: «Stërvite djalin në udhën e drejtë. Edhe kur të plaket, nuk do të largohet prej saj.»—Proverbat 22:6.
[Diçitura në faqen 7]
Të fitosh lirinë është si të mësosh të ecësh: një proces gradual
[Diçitura në faqen 8]
Kur ishte 12 vjeç, Jezuit i kishin dhënë njëfarë pavarësie
[Kutia në faqen 7]
‘Bëjua të qartë autoritetin tënd’
Fakti që fëmija yt adoleshent mund të mërzitet nga kufizimet që i vë, nuk do të thotë se duhet të heqësh dorë nga autoriteti yt. Mos harro se adoleshentët janë të papërvojë në jetë dhe ende kanë nevojë për drejtim.—Proverbat 22:15.
Në librin e tij Pushteti i prindit të ri! (anglisht), Xhon Rozmondi shkruan: «Është e lehtë që prindërit të stepen nga luhatjet emocionale të fëmijëve dhe t’u lënë më shumë përgjegjësi nga ç’mund të mbajnë, vetëm e vetëm që të mos kenë përplasje. Prindërit duhet të bëjnë tamam të kundërtën. Kjo është koha t’ua bësh të qartë autoritetin tënd, në vend që t’i lësh fëmijët ta shpërfillin atë. Ndonëse ata me siguri do ta kundërshtojnë këtë ide, është edhe koha që fëmijët të mësojnë se tjetërkush e drejton timonin.»
[Kutia në faqen 9]
A t’i japësh më shumë liri?
Shpesh adoleshentët duan më shumë liri nga ç’u takon. Nga ana tjetër, disa prindër u japin më pak liri nga ç’është e mundur. Midis këtyre dy ekstremeve ka një ekuilibër. Si ta gjesh? Si fillim, mbase është mirë të mendosh për listën e mëposhtme. Në cilat fusha djali a vajza po tregohen të përgjegjshëm?
□ Zgjedhja e shokëve
□ Zgjedhja e rrobave
□ Shpenzimi i parave
□ Respektimi i orarit për t’u kthyer në shtëpi
□ Punët e shtëpisë
□ Detyrat e shkollës
□ Kërkon falje për gabimet
□ Të tjera ․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․․
Nëse fëmija yt adoleshent po tregon pjekuri në disa nga fushat e mësipërme, përse të mos mendosh se në ç’mënyrë mund t’i besosh më shumë?
[Figura në faqen 7]
Lëri të shprehen para se t’u japësh disiplinën ose këshillat e nevojshme
[Figura në faqet 8, 9]
Prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve të bëhen të përgjegjshëm