Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë ndikon për keq?

Çfarë ndikon për keq?

Çfarë ndikon për keq?

NUK është realiste të presësh që martesa të jetë fushë me lule. Në fund të fundit, edhe bashkëshortët që shkojnë mirë nuk janë gjithnjë në një mendje. Prandaj, vështirësi do të lindin se s’bën. Si ndryshku që gërryen metalin nën shtresën e bojës, po ashtu ka një sërë gjërash që mund të gërryejnë martesën. Që të kuptojmë se ç’mund të bëhet për të përmirësuar martesën, së pari le të ndalemi te disa faktorë që ndikojnë për keq.

Kohë shumë stresuese

Bibla paratha se në kohën tonë shumë njerëz do të ishin «të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, . . . mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur». (2 Timoteut 3:2-4) Këto tipare mund të përkeqësojnë komunikimin, të shtojnë keqkuptimet dhe fjalët e pamenduara që u vijnë kaq kollaj njerëzve të papërsosur.

«Kjo periudhë historike është pështjelluese për të martuarit,—thotë një studiues.—Nga njëra anë . . . , kemi një det informacionesh si ta forcojmë martesën. . . . Nga ana tjetër, hasim një mori faktorësh socialë dhe ekonomikë që na e bëjnë të vështirë të kemi një martesë të lumtur.»

Pikëpamje jorealiste

Një terapiste për martesat shpjegon: «Pikëpamjet jorealiste janë ndër shkaqet kryesore të pakënaqësisë në martesë.» Shumë të martuar mbeten të zhgënjyer kur zbulojnë se martesa nuk është siç e pritnin dhe se bashkëshorti a bashkëshortja nuk është tamam siç e kishin përfytyruar. Ata zhyten në zhgënjim kur shohin te bashkëshorti të meta që më parë nuk i vërenin ose që dolën shumë më të rënda nga ç’i mendonin.

Megjithatë, Bibla e thotë haptas që martesa mund të sjellë «dhembje e hidhërim». (1 Korintasve 7:28, The New English Bible) Pse? Një arsye është se në marrëdhënien e dy njerëzve të papërsosur, herët a vonë do të dalin në pah të metat e secilit.

Veç kësaj, shumë veta tregohen jorealistë dhe presin që më shumë të marrin, sesa të japin në martesë. Të verbuar nga idetë romantike për lumturinë martesore, ata harrojnë përgjegjësinë dhe punën e palodhur që duhet, për të ndërtuar një martesë të lumtur. Kështu e përgatitin veten për një përplasje tragjike me realitetin, që ka të ngjarë t’i lërë të zhgënjyer e të trazuar. Shpesh, sa më të fryra të jenë iluzionet rreth martesës, aq më i hidhur është zhgënjimi kur godet realiteti.

Kriza e komunikimit

Cilat gabime mund të shmangen në komunikim, për të forcuar lidhjen martesore? Disa çifte e bëjnë zakon të dëgjojnë, por pa e pasur mendjen dhe të flasin, por pa komunikuar. Komunikimit të ngrohtë e të përzemërt ia zënë vendin bisedat e ftohta e të shkurtra për gjërat e përditshme. Bisedave të çiltra dhe plot kuptim ua zënë frymën grindjet që s’kanë të sosur për çdo gjë dhe për hiçgjë. Keqkuptimet çojnë në mosmarrëveshje; fjalët therëse shpaguhen me heshtje të akullt.

Është për të ardhur keq që shumë të martuar nuk e vënë re sjelljen e mirë të bashkëshortit ose e vënë re, por nuk ia shprehin vlerësimin. Gjithashtu, sot ndodh shpesh që të dy bashkëshortët të jenë në punë, prandaj shumë gra acarohen ngaqë, përveç punës, u mbetet e gjithë barra e shtëpisë. Për më tepër, shumë gra mendojnë se nevojat e tyre emocionale po lihen pas dore.

Ç’mund të bëni për të ndërtuar një martesë të suksesshme? Në vijim, shqyrtoni disa këshilla praktike nga Bibla.

[Diçitura në faqen 4]

Disa çifte dëgjojnë pa e pasur mendjen dhe flasin pa komunikuar

[Diçitura në faqen 5]

Shumë veta presin që më shumë të marrin, sesa të japin në martesë