Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

«Sasia e akullit të [Arktikut] që shkriu këtë vit [2007] na befasoi krejt se, jo vetëm që i theu të gjitha rekordet e mëparshme, por edhe i përmbysi plotësisht.»​—MARK SERE, QENDRA KOMBËTARE E TË DHËNAVE PËR BORËN DHE AKULLIN, SHBA.

Një grup ekspertësh i Fondacionit të Ekonomisë së Re llogariti se «sikur çdokush në botë të konsumonte me të njëjtin ritëm si në Shtetet e Bashkuara, do të duheshin 5,3 planetë Tokë për t’i mbajtur . . . Kjo shifër ishte 3,1 për Francën dhe Britaninë, 3,0 për Spanjën, 2,5 për Gjermaninë dhe 2,4 për Japoninë».​—AGJENCIA E LAJMEVE ROJTERS, BRITANI.

«Më shumë dëme se dobi»?

«Shumicës së pacientëve, transfuzionet me gjak nga qendrat e konservimit mund t’u sjellin më shumë dëme se dobi»,—thuhet në një raport të Qendrës Mjekësore të Universitetit «Duk», në Durham, Karolinë e Veriut, SHBA. Studimet kanë treguar se te pacientët që kishin bërë transfuzion «janë më të shpeshta rastet e infarktit të zemrës, e pamjaftueshmërisë së zemrës, iktusit madje edhe të vdekjes», në krahasim me pacientët e tjerë. Pse? «Oksidi i azotit te rruazat e kuqe fillon të shpërbëhet gati menjëherë pasi rruazat e kuqe dalin nga trupi.» Oksidi i azotit është thelbësor për t’i mbajtur të hapura enët e gjakut, në mënyrë që rruazat e kuqe të çojnë oksigjen tek indet e trupit. «Me sa duket, miliona pacientë po marrin gjak, të cilit i është dëmtuar aftësia për të transportuar oksigjenin»,—thuhet në raport.

Të fiksuar pas televizorit në Bhutan

Për dekada me radhë, mbretëria e vogël e Bhutanit, lart në Himalaja, i rezistoi joshjes së televizorit. Por, pasi shumë banorë u ankuan ngaqë s’mund të shihnin Kampionatin Botëror të Futbollit 1998, qeveria lejoi që në vitin 1999 në këtë vend të futej televizori. Në një artikull nga Bhutani thuhet se sot njerëzit atje mund të shohin 40 stacione dhe tashmë janë të fiksuar pas filmave të Hollivudit dhe telenovelave indiane. Në vend që të rrinë së bashku, të këndojnë e të bisedojnë siç e kishin zakon, familjet mblidhen për të parë televizor. Një grua ankohet se tani thuajse s’ka fare kohë për gjërat e tjera, as për t’u lutur. Sipas së përditshmes së Katarit, The Peninsula, kjo grua tha: «Ndonëse lëviz rrotën e lutjeve, mendjen e kam gjithnjë te televizori.» Gazeta shtonte: «Gjëja së cilës i tremben shumë veta është mania për të blerë, tipike për botën jashtë. ‘Televizori dhe reklamat ngjallin dëshira që njerëzit mbase nuk i plotësojnë dot për shkak të gjendjes ekonomike.’»

Shpërqendrimet në punë

«Puna në zyrë nganjëherë duket si një vërshim telefonatash, kërkesash dhe ndërprerjesh»,—thuhet në revistën New Scientist. Studiuesit panë se një grup punonjësish në komunikacion arrinin të punonin mesatarisht vetëm tri minuta para se t’i ndërpritnin. Meqë ndërprerjet mund të hanë dy orë punë në ditë, disa punonjës zyrash tepër të zënë përdorin kompjuterin për të dalluar gjërat urgjente nga ato që s’janë të tilla. Disa sugjerime që mund t’u hyjnë në punë të gjithëve janë: «Jini të sinqertë me njerëzit, . . . thuajuni nëse s’keni asnjë minutë kohë» dhe gjeni guximin «për të fikur postën elektronike, për të stakuar telefonin dhe për të mbyllur komunikimin on-line derisa të keni mbaruar punë».