Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të gjej kënaqësi në adhurimin e Perëndisë?

Si të gjej kënaqësi në adhurimin e Perëndisë?

Të rinjtë pyesin

Si të gjej kënaqësi në adhurimin e Perëndisë?

Joni 16-vjeçar është shtrirë sa gjatë gjerë në shtrat. E ëma është te dera dhe i thotë prerë: «Çohu Joni! Ti e di që sot kemi mbledhje.» Pjesëtarët e familjes së Jonit janë Dëshmitarë të Jehovait dhe pjesëmarrja në mbledhjet e krishtere është pjesë e pandashme e adhurimit të Perëndisë. Por, kohët e fundit, Jonit sikur s’ia ka qejfi të shkojë në mbledhje.

«Ou, mami,—ankohet ai,—duhet të vij se s’bën?»

«Lëri llafet dhe vishu. Nuk dua të bëhem prapë vonë»,—ia kthen ajo dhe largohet.

«Dëgjo mami. Kjo mbase është feja jote, por s’do të thotë që është edhe imja»,—thotë më në fund Joni ndërsa e ëma s’është larguar shumë. Ai e kupton që nëna e dëgjoi, ngaqë hapat ndalen. Ajo ikën pa i kthyer përgjigje.

Joni ndihet pak në faj. Nuk dëshiron ta mërzitë të ëmën. Por as nuk do që t’i kërkojë falje. E vetmja gjë që mund të bëjë është . . .

Duke psherëtirë, Joni ngrihet dhe fillon të vishet. Pastaj flet nëpër dhëmbë: «Do të vijë dita që do të marr një vendim. Unë nuk jam si të tjerët në Sallën e Mbretërisë. Nuk jam i prerë për t’u bërë i krishterë.»

A JE ndier ndonjëherë si Joni? A të duket hera-herës se të tjerët kënaqen në veprimtaritë e krishtere, kurse ti i bën sa për të thënë? Për shembull:

A të duket studimi i Biblës si detyrat e shkollës?

A të tremb pjesëmarrja në shërbimin shtëpi më shtëpi?

A të ndodh shpesh të mërzitesh në mbledhjet e krishtere?

Nëse u përgjigjesh po pyetjeve të tilla, mos u ndie keq. Me pak ndryshime mund të mësosh të gjesh kënaqësi kur i shërben Perëndisë. Le të shohim si.

Problemi 1: Studimi i Biblës

Pse nuk është e lehtë? Mbase mendon se nuk je «tip studios». Nuk përqendrohesh dot gjatë: e ke të vështirë të rrish ulur dhe të jesh i vëmendshëm. Pastaj, a nuk ke boll mësime për të bërë?

Pse duhet bërë? Bibla jo vetëm është e frymëzuar nga Perëndia, por është edhe «e dobishme për t’i mësuar e ndihmuar njerëzit dhe për t’i ndrequr e për t’u treguar si të jetojnë». (2 Timoteut 3:16, Contemporary English Version) Studimi i Biblës dhe meditimi për atë që lexon mund të hapin një botë të tërë para teje. Duhet pranuar se asgjë me vlerë nuk arrihet pa derdhur mund. Në qoftë se dëshiron të jesh i zoti në ndonjë sport, duhet të mësosh rregullat dhe të stërvitesh. Nëse dëshiron të jesh i shëndetshëm, duhet të bësh fizkulturë. Në rast se dëshiron të mësosh për Krijuesin, duhet të studiosh Fjalën e Perëndisë.

Ja ç’thonë disa nga moshatarët e tu. «Kur hyra në shkollë të mesme, u ndodha para një udhëkryqi. Të tjerët bënin lloj-lloj gjërash të gabuara dhe unë duhej të merrja disa vendime: ‘A dua vërtet t’i bëj këto gjëra? A jam e sigurt se ajo që po më mësojnë prindërit është e vërteta?’ Duhej t’i gjeja vetë përgjigjet.»—Tsheza.

«Gjithnjë besoja se ajo që kisha mësuar ishte e vërteta, por kisha nevojë t’i jepja prova vetes. Duhej të bëhej feja ime, jo thjesht feja e familjes.»—Nelisa.

Ç’mund të bësh? Bëj një program studimi personal sipas nevojave të tua. Do të zgjedhësh ti se cilat tema do të studiosh. Nga t’ia nisësh? Përse të mos bësh ca kërkime në Bibël dhe të shqyrtosh me kujdes bindjet e tua, mbase duke përdorur librin Çfarë mëson vërtet Bibla? *

Hapa konkretë. Për t’ia filluar, zgjidh dy ose tri nga temat biblike të mëposhtme për të cilat dëshiron të dish më shumë ose, nëse dëshiron, shkruaj disa ti vetë.

□ A ekziston një Perëndi?

□ Si të sigurohem se shkrimtarët e Biblës u frymëzuan nga Perëndia?

□ Pse duhet të besoj te krijimi dhe jo tek evolucioni?

□ Çfarë është Mbretëria e Perëndisë dhe ç’prova kam për ekzistencën e saj?

□ Si ta shpjegoj bindjen time se çfarë ndodh kur njeriu vdes?

□ Pse duhet të jem i bindur se do të ketë ringjallje?

□ Si të sigurohem se cila është feja e vërtetë?

□ ․․․․․

Problemi 2: Pjesëmarrja në shërbim

Pse nuk është e lehtë? Ideja se do të flasësh me të tjerët për Biblën ose do të takosh ndonjë shok shkolle në shërbim, mund të të frikësojë.

Pse duhet bërë? Jezui u tha ithtarëve të tij: «Bëni dishepuj . . . dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Por ka edhe arsye të tjera pse duhet bërë. Ndonëse shumë të rinj besojnë te Perëndia, ata nuk kanë një shpresë të bazuar në prova për të ardhmen. Nëpërmjet studimit të Biblës, ke pikërisht atë informacion që kërkojnë e që u duhet shumë moshatarëve të tu.

Ja ç’thonë disa nga moshatarët e tu. «Bashkë me një shoqe përgatitnim hyrje të efektshme dhe mësonim si të kapërcenim kundërshtimet dhe si të bënim rivizita. Kur fillova të përpiqesha më shumë, gjeta më tepër kënaqësi në shërbim.»—Nelisa.

«Një motër e krishterë më ka ndihmuar jashtë mase. Ajo është gjashtë vjet më e madhe se unë dhe më fton të dalim bashkë në shërbim, e ndonjëherë edhe për të ngrënë mëngjes. Më tregonte shkrime inkurajuese që më ndihmuan të ndryshoja pikëpamje. Tani, falë shembullit të saj të shkëlqyer, interesohem më shumë për njerëzit. Nuk do t’ia shpërblej dot kurrë!»—Shonteja.

Ç’mund të bësh? Me lejen e prindërve, gjej dikë më të rritur në kongregacion që të shoqërohesh në shërbim. (Veprat 16:1-3) Bibla thotë: «Hekuri mpreh hekurin. Kështu edhe një njeri mpreh fytyrën e një tjetri.» (Proverbat 27:17) «Nxjerr shumë dobi po të shoqërohesh me më të rritur që kanë përvojë të pasur. Ndihesh rehat në shoqërinë e tyre»,—thotë Aleksa 19-vjeçare.

Hapa konkretë. Shkruaj më poshtë emrin e dikujt në kongregacion, përveç prindërve, që mund të të ndihmojë në shërbim.

․․․․․

Problemi 3: Ndjekja e mbledhjeve të krishtere

Pse nuk është e lehtë? Pasi ke kaluar gjithë ditën ulur në klasë, të dëgjosh një ose dy orë fjalime biblike mund të të duket një përjetësi.

Pse duhet bërë? Bibla i nxit të krishterët: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjet tona, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin e aq më tepër tani, që e shihni se dita po afrohet.»—Hebrenjve 10:24, 25.

Ja ç’thonë disa nga moshatarët e tu. «Është e domosdoshme të përgatitesh për mbledhjet e kongregacionit. Nganjëherë duhet ta detyrosh veten. Ama, kur përgatitesh, i shijon mbledhjet, sepse e di për çfarë po flitet e mund të marrësh pjesë edhe vetë.»—Elda.

«Pas njëfarë kohe vura re se kur komentoja, mbledhjet më dukeshin më interesante.»—Xhesika.

Ç’mund të bësh? Rezervo kohë të përgatitesh që më përpara dhe, po të kesh mundësi, bëj një koment. Kjo do të të ndihmojë të ndihesh më i përfshirë në mbledhje.

Le ta ilustrojmë. Kur kënaqesh më shumë: kur shikon ndonjë sport në televizor apo kur luan vetë në fushë? Natyrisht kënaqesh më shumë kur merr pjesë sesa kur je spektator. Pse të mos i shohësh me këtë sy edhe mbledhjet e krishtere?

Hapa konkretë. Shkruaj më poshtë se kur ke mundësi të kalosh vetëm 30 minuta çdo javë për t’u përgatitur për një mbledhje kongregacioni.

․․․․․

Shumë të rinj po e shohin vetë sa të vërteta janë fjalët e Psalmit 34:8: «Provoni dhe shijoni se sa i mirë është Jehovai!» A kënaqesh kur vetëm dëgjon për një ushqim që të lëshon goja lëng? A nuk është më mirë ta shijosh vetë atë ushqim? E njëjta gjë është edhe me adhurimin e Perëndisë. Provoje dhe shijoje vetë sa kënaqësi të sjell pjesëmarrja në veprimtaritë frymore. Bibla thotë se ai që nuk mbetet vetëm dëgjues, por bëhet zbatues i fjalës, «është i lumtur».—Jakovi 1:25.

[Shënimi]

^ par. 19 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

PËR TË MENDUAR

▪ Pse një adoleshenti mund t’i duken të mërzitshme veprimtaritë frymore?

▪ Në cilin nga tri aspektet e adhurimit të trajtuara në këtë artikull do të doje të punoje dhe ç’hapa do të bësh?

[Figura në faqet 20, 21]

Nëse dëshiron të jesh i shëndetshëm fizikisht, duhet të bësh fizkulturë. Nëse dëshiron të jesh i shëndetshëm frymësisht, duhet të studiosh Fjalën e Perëndisë