Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të keni sukses në martesë?

Si të keni sukses në martesë?

Si të keni sukses në martesë?

MARTESA mund të krahasohet me një udhëtim të gjatë që ruan shumë surpriza: disa të këndshme, disa të hidhura. «Terreni» i paparashikueshëm mund të paraqesë pengesa të papritura, disa prej të cilave mund të duken të pakapërcyeshme. Megjithatë, shumë veta kanë sukses dhe janë të lumtur në këtë udhëtim, pavarësisht nga disa probleme tek-tuk. Ç’është e vërteta, suksesi në martesë nuk varet edhe aq nga të përpjetat e të tatëpjetat e këtij udhëtimi, por nga mënyra si i përballojnë çiftet ato.

Si mendoni, çfarë mund ta bëjë më të suksesshëm e më të këndshëm udhëtimin e martesës? Shumë çifte ndiejnë nevojën për një «hartë martesore» që t’i drejtojë gjatë udhës. «Hartën» më të sigurt e më të besueshme për martesën, e jep Nismëtari i saj, Perëndia Jehova. Sidoqoftë, Fjala e tij e frymëzuar, Bibla e Shenjtë, nuk është si një hajmali që të mbron nga problemet. Ajo përmban udhëzime praktike që çiftet e martuara duhet t’i ndjekin për të pasur sukses në martesë.—Psalmi 119:105; Efesianëve 5:21-33; 2 Timoteut 3:16.

Le të përmendim disa «tabela rrugore» nga Shkrimet—parime biblike kyçe—që mund t’ju ndihmojnë të keni një udhëtim martesor të suksesshëm e të lumtur.

Konsideroje të shenjtë martesën. «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Mateu 19:6) Krijuesi themeloi martesën kur i dha burrit të parë, Adamit, një bashkëshorte, Evën. (Zanafilla 2:21-24) Krishti Jezu kishte qenë dëshmitar okular i kësaj ngjarjeje para se të vinte në tokë si njeri. Ai pohoi se bashkimi në martesë i Adamit dhe Evës, u krijua që të ishte pikënisja e një marrëdhënieje të përhershme. Ai tha: «A nuk e keni lexuar se ai që i krijoi që nga fillimi, i bëri ata mashkull dhe femër? A nuk e keni lexuar edhe që tha: ‘Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’ Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»—Mateu 19:4-6.

Me fjalët «atë që Perëndia e ka bashkuar», Jezui nuk po thoshte se martesat lidhen nga qielli. Ai po pohonte se martesën e themeloi vetë Perëndia, prandaj duhet konsideruar e shenjtë. *

Sigurisht, burrat dhe gratë nuk do të donin të ishin «të bashkuar» në një jetë martesore të ftohtë e pa dashuri. Përkundrazi, ata duan të kenë një martesë të mbarë ku që të dy të ndihen të kënaqur. Ndërsa janë «të bashkuar», ata mund të jenë të lumtur po të zbatojnë këshillat praktike të Krijuesit, që gjenden në Bibël.

Meqë të gjithë jemi të papërsosur, do të ketë medoemos keqkuptime dhe mospajtime. Gjithsesi, shpesh suksesi në martesë varet më shumë nga mënyra si përshtaten bashkëshortët me ndryshimet mes tyre, sesa nga të përbashkëtat që kanë. Prandaj, një nga zotësitë më thelbësore në martesë është zotësia për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet me dashuri, pasi dashuria «lidh gjithçka në harmoni të përsosur».—Kolosianëve 3:14, English Standard Version.

Fol me respekt. «Ka nga ata që flasin pa u menduar si me goditje shpate, por gjuha e të mençurve është shërim.» (Proverbat 12:18) Studiuesit kanë parë se shumë biseda përfundojnë siç nisin. Pra, kur biseda nis me respekt, ka më shumë të ngjarë të përfundojë me respekt. Në të kundërt, dihet sa lënduese është kur një njeri i afërt të flet pa u menduar. Prandaj, lutu dhe bëj çmos që të flasësh me dinjitet, respekt dhe përzemërsi. (Efesianëve 4:31) Harukoja, * një grua japoneze që ka 44 vjet martesë, thotë: «Ndonëse i shohim dobësitë e njëri-tjetrit, përpiqemi të flasim e ta trajtojmë njëri-tjetrin me respekt. Kjo na ka ndihmuar të kemi sukses në martesë.»

Kultivo mirëdashjen e dhembshurinë. «Bëhuni mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur.» (Efesianëve 4:32) Kur ka mosmarrëveshje të forta, është kollaj që zemërimi të sjellë zemërim. Aneta nga Gjermania, që ka një martesë të lumtur prej 34 vjetësh, pohon: «Nuk është e lehtë të ruash qetësinë kur je nën stres: të vjen të thuash gjëra që e mërzitin bashkëshortin, dhe kjo vetëm sa e keqëson gjendjen.» Prapëseprapë, duke u përpjekur të jesh mirëdashës dhe i dhembshur, mund të ndihmosh shumë për të sheshuar udhën, që në martesë të mbizotërojë paqja.

Trego përulësi. «Mos [bëni] asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, duke i parë të tjerët si më të lartë se veten.» (Filipianëve 2:3) Shumë grindje vijnë ngaqë bashkëshortët me krenari ia hedhin fajin partnerit, në vend që me përulësi të kërkojnë mënyra që t’ia lehtësojnë gjërat njëri-tjetrit. Përulësia e mendjes mund të të ndihmojë të mposhtësh impulsin për të ngulur këmbë se ke të drejtë në një mosmarrëveshje.

Mos u fyej menjëherë. «Mos u fyej shpejt.» (Eklisiastiu 7:9) Mundohu të luftosh prirjen për të hedhur poshtë pikëpamjen e bashkëshortit ose për të kaluar në mbrojtje kur ai vë në diskutim diçka që ke thënë a ke bërë. Dëgjo dhe prano atë që të thotë. Mendohu mirë para se të përgjigjesh. Shumë çifte e mësojnë tepër vonë se të fitosh zemrën është një fitore më e madhe se të fitosh debatin.

Kupto se kur duhet të heshtësh. «Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitohet në të folur e të mos zemërohet shpejt.» (Jakovi 1:19) Pa dyshim, komunikimi i mirë është një nga tabelat më të rëndësishme në rrugën drejt lumturisë martesore. Po atëherë, përse Bibla thotë se ka «një kohë për të heshtur»? (Eklisiastiu 3:7) Kjo mund të jetë koha për të dëgjuar me vëmendje dhe me dëshirën për ta kuptuar tjetrin; është një pjesë thelbësore e komunikimit që përfshin të zbulosh si ndihet vërtet bashkëshorti dhe përse ndihet ashtu.

Dëgjo për të kuptuar ndjenjat. «Gëzoni me ata që gëzojnë dhe qani me ata që qajnë.» (Romakëve 12:15) Të kuptosh ndjenjat e tjetrit është e domosdoshme për një komunikim të mirë, pasi kjo bën të mundur të provosh ndjenjat më të thella të bashkëshortit. Kjo ndihmon për krijimin e një atmosfere, ku mendimet dhe ndjenjat e secilit respektohen dhe trajtohen me dinjitet. Nela nga Brazili, që ka 32 vjet martesë, thotë: «Kur diskutojmë për problemet tona, gjithnjë dëgjoj me shumë kujdes që të kuptoj mendimet dhe ndjenjat e Manuelit.» Kur bashkëshorti flet, është ‘koha për të heshtur’ dhe të dëgjosh për ta kuptuar.

Bëje zakon ta shprehësh vlerësimin. «Tregohuni mirënjohës.» (Kolosianëve 3:15) Një karakteristikë e martesave të forta është se burri dhe gruaja përpiqen që bashkëshorti ta dijë sa i vlerësuar është. Megjithatë, në rutinën e jetës martesore, disa bashkëshortë e lënë pas dore këtë aspekt jetësor të komunikimit dhe thjesht supozojnë se tjetri duhet të ndihet i vlerësuar. «Shumë çifte,—thotë dr. Elena Uakteli,—janë në gjendje t’i japin njëri-tjetrit ndjenjën e vlerësimit, mjafton t’u shkonte mendja.»

Sidomos gratë kanë nevojë që burrat t’i sigurojnë me dashuri dhe t’u shprehin vlerësim. Ju burra mund të bëni shumë për të përmirësuar martesën, mirëqenien e gruas dhe tuajën, duke pasur si synim të flitni me vlerësim për cilësitë dhe veprimet e mira të gruas.

Është e domosdoshme t’ia jepni këtë siguri me fjalë dhe me veprime. Kur ju bashkëshortë u jepni grave tuaja një puthje të ëmbël, një prekje të butë dhe një buzëqeshje të ngrohtë, kjo do të thotë më shumë sesa thjesht «të dua». E siguroni gruan se ajo është e veçantë për ju dhe se keni nevojë për të. Bëjini një telefonatë ose një mesazh dhe thuajini: «E ndiej mungesën tënde» ose «Si po ia çon?» Në qoftë se i keni harruar shprehje të tilla që nga fejesa, ia vlen t’i bëni prapë zakon. Vazhdoni të mësoni se çfarë ia prek zemrën bashkëshortes.

Sa me vend janë fjalët e nënës së mbretit Lemuel në Izraelin e lashtë: «Burri i saj çohet dhe e lëvdon: ‘Shumë bija tregohen të zonja, por ti ua kalon të gjithave!’» (Proverbat 31:1, 28, 29) Kur ka qenë hera e fundit që ke lëvduar gruan? Po ti grua, burrin?

Fal shpejt. «Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të acaruar.» (Efesianëve 4:26) Në martesë do të përballesh se s’bën me gabimet e tua ose të bashkëshortit. Prandaj, është thelbësore të jesh gati të falësh. Klivin dhe Monikën në Afrikën e Jugut, që kanë 43 vjet të martuar, i ka ndihmuar shumë kjo këshillë biblike. Klivi shpjegon: «Mundohemi të zbatojmë parimin e Efesianëve 4:26, dhe përpiqemi ta falim shpejt njëri-tjetrin, pasi e dimë se kjo i pëlqen Perëndisë. Pastaj ndihemi mirë, shkojmë në shtrat me një ndërgjegje të pastër dhe bëjmë gjumë të ëmbël.»

Janë të mençura fjalët e një proverbi të lashtë: ‘Është gjë e bukur të kapërcesh shkeljen.’ (Proverbat 19:11) Aneta, e përmendur më sipër, pajtohet me këtë mendim dhe shton: «Po s’fale, është e pamundur të kesh një martesë të mirë.» Ajo shpjegon përse: «Përndryshe shtohen mëria e mosbesimi, dhe kjo është helm për martesën. Falja forcon lidhjen martesore dhe ju afron më shumë me njëri-tjetrin.»

Nëse e ke lënduar bashkëshortin, mos nxirr menjëherë përfundimin se do t’i kalojë. Shpesh, për të bërë paqe, kërkohet të bësh një nga gjërat më të vështira për bashkëshortët: të pranosh se ke gabuar. Sidoqoftë, gjej një mënyrë të thuash me përulësi diçka si: «Më vjen keq zemër. Gabova.» Kur kërkon falje me përulësi, do të fitosh respektin e bashkëshortit, do të ndihmosh që mes jush të ketë mirëbesim dhe do të kesh më shumë paqe të brendshme.

Përkushtoju bashkëshortit dhe martesës. «[Burri dhe gruaja] nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Mateu 19:6) Keni bërë një betim para Perëndisë, njerëzve dhe njëri-tjetrit se do të qëndroni bashkë, pavarësisht nga problemet që mund të dalin. * Megjithatë, përkushtimi nuk është thjesht një detyrim ligjor. Përkundrazi, buron nga dashuria e sinqertë e me gjithë shpirt dhe pasqyron respektin e nderimin për njëri-tjetrin dhe Perëndinë. Pra, kurrë mos e vër në rrezik martesën tënde të shenjtë, duke flirtuar: mos trego interes të papërshtatshëm për askënd tjetër.—Mateu 5:28.

Vetëmohimi forcon përkushtimin. «[Shihni] me interes jo vetëm çështjet tuaja, por edhe ato të të tjerëve.» (Filipianëve 2:4) Një nga mënyrat për të forcuar përkushtimin është të vësh nevojat dhe preferencat e bashkëshortit para të tuave. Premxhi, i martuar nga 20 vjet, bën çmos ta ndihmojë në punët e shtëpisë të shoqen, e cila ka një punë tetorëshe. «E ndihmoj Ritën për të gatuar e pastruar dhe për punë të tjera, që të ketë kohë e fuqi edhe për gjërat që i pëlqejnë.»

Përpjekjet sjellin shpërblime

Për të pasur një martesë të lumtur, kërkohet punë e palodhur. Prandaj, nganjëherë, disave u vjen të dorëzohen. Sidoqoftë, mos lejoni që mërzitja t’ju bëjë të hiqni dorë nga përkushtimi ose t’ju shkojë kot gjithçka që keni investuar në martesë, gjithë ajo rrugë që keni përshkuar deri tani në udhëtimin si çift.

Sidi, martesa e të cilit shkon mbarë që prej 33 vjetësh, sugjeron: «Nëse përpiqeni me mish e me shpirt dhe tregoni se dëshironi që martesa të ketë sukses, do të keni bekimet e Jehovait.» Duke mbështetur njëri-tjetrin me besnikëri në kohë të vështira dhe duke gëzuar tok në kohë të mira, do të keni kënaqësi dhe sukses në udhëtimin e martesës.

[Shënimet]

^ par. 6 Jezui tha se e vetmja bazë për zgjidhjen e martesës me të drejtën për t’u martuar sërish, është kurvëria: marrëdhëniet seksuale jashtë martesës.—Mateu 19:9.

^ par. 9 Në këtë artikull disa emra janë ndryshuar.

^ par. 22 Sipas Biblës, bashkëshorti i pafajshëm ka të drejtë të vendosë nëse do të divorcohet apo jo nga bashkëshorti që ka kryer kurorëshkelje. (Mateu 19:9) Shih artikullin «Pikëpamja e Biblës: Ta fal a mos ta fal kurorëshkeljen?» në revistën Zgjohuni! të 8 gushtit 1995, anglisht.

[Diçitura në faqen 6]

Bibla është si një hartë për udhëtimin e martesës

[Kutia dhe figura në faqen 7]

Kur duhet të diskutoni për një problem

Zgjidhni një moment kur asnjëri nuk është i lodhur.

Mos kritikoni; shiheni me sy pozitiv njëri-tjetrin.

Mos e ndërpritni njëri-tjetrin; dëgjoni dhe flitni me radhë.

Prano ndjenjat e bashkëshortit

Shprehjani bashkëshortit se e kuptoni, edhe kur nuk jeni në një mendje.

Jini të arsyeshëm dhe elastikë.

Kërkoni falje me përulësi kur gaboni.

Shprehni vlerësim dhe përzemërsi.

[Kutia dhe figura në faqen 8]

Për një martesë të suksesshme

Mbani parasysh parimet biblike që forcojnë martesën.

Rezervoni kohë për martesën dhe bashkëshortin.

Punoni që mes jush të ketë më shumë ngrohtësi, dashuri dhe përzemërsi.

Jini të besueshëm dhe të përkushtuar.

Tregoni mirëdashje dhe respekt.

Ndihmoni njëri-tjetrin në punët e shtëpisë.

Bëni pjesën tuaj që të keni biseda të këndshme.

Bëni shaka me njëri-tjetrin dhe kënaquni bashkë në kohën e lirë.

Vazhdoni të punoni për të forcuar martesën.

[Kutia dhe figura në faqen 9]

Për vetëshqyrtim

Ku duhet të punoj më shumë në martesën time?

Cilat hapa do të bëj për ta arritur?