Takohuni me koatin kureshtar
Takohuni me koatin kureshtar
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRAZIL
TEKSA shëtit për qejf nëpër pyll, befas pikas një tufë koatësh që vijnë drejt teje. I frikësuar ke merak mos të vërsulen. Mos u shqetëso! Edhe pse ka ndodhur që koatët kanë kafshuar njerëz, këto kafshë të vogla kureshtare i kanë sytë vetëm te çanta që mban. Koatët janë gjithmonë në kërkim të ushqimit. Ata përlajnë thuajse çdo gjë që u del para: krimba, zhapikë, merimanga, minj, fruta, madje dhe vezë zogjsh.
Koati është kushëri me rakunin, por ka trup e bisht më të gjatë, si dhe turi të stërgjatë e të përkulshëm. Ky gjitar tropikal i Amerikës, që arrin deri në 66 centimetra, me bisht gati po aq të gjatë, zakonisht gjendet nga jugperëndimi i Shteteve të Bashkuara deri në veri të Argjentinës.
Femrat enden në tufa që kanë deri në 20 koatë, kurse meshkujt janë vetmitarë. Çdo vit, në periudhën e çiftimit, një mashkull bashkohet me një tufë femrash. Shtatë-tetë javë më vonë, femrat shtatzënë e lënë tufën dhe ndërtojnë strofulla nëpër pemë. Çdo femër lind tre a katër të vegjël. Rreth gjashtë javë pas lindjes nënat e reja dhe të vegjlit bashkohen me tufën. Të vegjlit koatë ngjajnë si toptha gëzofi që ecin duke iu marrë këmbët.
Koatët nuhatin pareshtur ajrin dhe rrëmojnë tokën me kthetra ndërsa sorollaten në pyll. Me të parë koatët, fermerët ngrysen, pasi ata mund të bëjnë kërdinë në arat e misrit dhe në kotecet e pulave. Kur i ndjekin, koatët janë mjeshtra për të shpëtuar. Këto krijesa të vogla dinake ia mbathin për në skutat e tyre nëpër pemë. Ata kanë edhe një rrugë tjetër shpëtimi. Sapo dëgjojnë një të shtënë ose ndonjë trokitje duarsh, bien përdhe dhe shtiren si të ngordhur. Sa të arrijë gjuetari për t’i kapur, ata tashmë kanë avulluar.
Kur të vizitoni Brazilin, mbase do të hasni ndonjë tufë koatësh. Mos u frikësoni. Ka shumë të ngjarë që nuk do t’ju bëjnë gjë. Por natyrisht, s’do t’u vinte aspak keq po t’u hidhnit diçka të shijshme.