Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet adhuruar Perëndia me shëmbëlltyra?

A duhet adhuruar Perëndia me shëmbëlltyra?

Pikëpamja e Biblës

A duhet adhuruar Perëndia me shëmbëlltyra?

«Më kishin mësuar se me anë të shëmbëlltyrave do të ndihesha më afër Perëndisë.»​—Maku.

«Shtëpinë e kishim plot ikona. Mendonim se kjo i pëlqente Perëndisë.»​—Herta.

«Përkuleshim para disa shëmbëlltyrave. As nuk mendonim fare si ndihej Perëndia për këtë.»​—Sandra.

ÇFARË mendoni për këto pohime? Shumë veta besojnë se shëmbëlltyrat fetare i ndihmojnë të adhurojnë Perëndinë. A është e drejtë kjo pikëpamje? Ç’është më e rëndësishmja, si ndihet Perëndia për këtë çështje? Shqyrtoni se ç’thotë Fjala e tij e shkruar, Bibla e Shenjtë.

Pikëpamja e Perëndisë për shëmbëlltyrat fetare

Ikonat dhe idhujt paraqitin ose simbolizojnë çdo gjë që shërben si objekt përkushtimi ose adhurimi. Ndër to janë kryqet, statujat, pikturat e gjithçka që bëhet në ngjashmëri të gjërave në qiell a në tokë. * Edhe flamujt mund të jenë objekte adhurimi.

Njerëzit i kanë përdorur në adhurim këto objekte prej mijëra vjetësh. Prandaj, në vitin 1513 p.e.s., kur i dha Dhjetë Urdhërimet kombit të sapoformuar të Izraelit, Perëndia e shprehu qartë pikëpamjen e tij për shëmbëlltyrat. Ai tha: «Mos bëj asnjë shëmbëlltyrë të gdhendur, asnjë formë të ngjashme me asgjë që është lart në qiell, poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Mos u përkul para tyre dhe mos u shërbe, sepse unë Jehovai, Perëndia yt, jam një Perëndi që kërkoj të më përkushtohesh vetëm mua.»​—Dalja 20:4, 5.

Vëreni dy aspektet e urdhrit të Perëndisë: së pari, populli i tij nuk duhej të bënte shëmbëlltyra për adhurim; së dyti, ata nuk duhej ‘të përkuleshin para tyre’ ose t’u shërbenin. Pse e ndalon Krijuesi ynë bërjen e shëmbëlltyrave? Një arsye për të mos bërë shëmbëlltyra të Perëndisë është se «askush s’e ka parë asnjëherë Perëndinë». Jehovai nuk përbëhet nga materia, por është frymë dhe jeton në botën frymore. (Gjoni 1:18; 4:24) Një arsye për të mos bërë shëmbëlltyrë të asgjëje është se Perëndia kërkon me ngulm ‘t’i përkushtohemi vetëm atij’. Ai thotë: «Lavdinë time nuk do t’ia jap askujt tjetër, as lëvdimin tim shëmbëlltyrave të gdhendura.» (Isaia 42:8) Prandaj është e gabuar edhe të bëjmë ndonjë shëmbëlltyrë si mjet ndihmës për të adhuruar atë. Kur një nga krerët e Izraelit, Aaroni, veproi kështu, Jehovai u ofendua shumë.​—Dalja 32:4-10.

Pse të mos përkulemi para tyre?

Bibla thotë për idhujt: «Kanë gojë, por s’mund të flasin; kanë sy, por s’mund të shohin; kanë veshë, por s’mund të dëgjojnë.» Pastaj shton këtë paralajmërim serioz: «Kush i bën, do të katandiset njësoj si ata», pra i pajetë.​—Psalmi 115:4-8.

Adhurimi i idhujve është edhe një akt i padrejtë. Pyetni veten: «Si do të ndihesha sikur t’i bëja fëmijës një dhuratë të shtrenjtë dhe ai të ikte për të falënderuar një të panjohur, madje një objekt të pajetë?» Kjo mund t’ju ndihmojë të kuptoni si ndihet Krijuesi dhe Jetëdhënësi ynë kur falënderimet dhe adhurimi që i takojnë atij u jepen të tjerëve, përfshirë edhe idhujt e pajetë.​—Zbulesa 4:11.

Mendoni edhe sa poshtëruese është për njeriun, që është bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, të adhurojë një objekt pa jetë! (Zanafilla 1:27) Profeti Isaia shkroi për disa njerëz që vepronin kështu: «Ata përkulen para veprës së duarve të tyre, para asaj që bënë gishtat e tyre. Njerëzit bien poshtë dhe burrat e ulin veten, ndaj [Perëndia Jehova] s’i fal dot.»​—Isaia 2:8, 9.

Ajo që e bën adhurimin e rremë edhe më fyes për Perëndinë, është se në të vërtetë adhurohen demonët, armiqtë e Perëndisë. Ligji i përtërirë 32:17 thotë se kur izraelitët e braktisën Jehovain për idhujt, ata «u flijonin demonëve e jo Perëndisë».

A i adhuruan shëmbëlltyrat dishepujt e hershëm të Jezu Krishtit dhe a i përdorën ato si ndihmëse gjatë adhurimit? Absolutisht jo! Gjoni, apostull i Jezuit, shkroi: «Fëmijë të vegjël, ruhuni nga idhujt.» (1 Gjonit 5:21) Në librin Historia e kishës së hershme deri në vdekjen e Kostandinit (anglisht) thuhet: «Asgjë s’mund të ishte më e pështirë për dishepujt e hershëm se adhurimi i shëmbëlltyrave.»

Mënyra e duhur e adhurimit

Jezui tha: «Adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë, sepse Ati po kërkon adhurues të tillë.» (Gjoni 4:23) Po, Perëndia dëshiron që ta njohim si person: çfarë i pëlqen, çfarë nuk i pëlqen, cilat janë normat e tij dhe çfarë qëllimi ka për ne. (Gjoni 17:3) Ç’është e vërteta, pikërisht për këtë bëri të shkruhej Bibla. (2 Timoteut 3:16) Gjithashtu, meqë Perëndia «nuk është larg nga secili prej nesh», mund t’i lutemi në çdo kohë, në çdo vend dhe pa ndihmën e shëmbëlltyrave.​—Veprat 17:27.

«Kur hyra në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait, nuk pashë asnjë shëmbëlltyrë për adhurim,​—tha Sandra e cituar më sipër.​—Dëshmitarët përdorën Biblën për të më treguar cilësitë dhe kërkesat e Perëndisë. Kështu, mësova si të lutem në mënyrë që Perëndia të më dëgjojë. Tani ndiej që e njoh vërtet Krijuesin dhe kam një marrëdhënie të ngushtë me të.» Po, Sandra mësoi sa të përtërijnë e të lirojnë të vërtetat e Biblës. (Gjoni 8:32) Të njëjtën gjë mund të provoni edhe ju.

[Shënimi]

^ par. 8 Shih artikullin «A vdiq vërtet në një kryq Jezui?» në numrin e prillit 2006 të kësaj reviste.

A DONI TË DINI?

▪ Pse nuk duhet të përdorim asnjë lloj shëmbëlltyre në adhurim?​—Psalmi 115:4-8; 1 Gjonit 5:21.

▪ Si duhet adhuruar Perëndia i vërtetë?​—Gjoni 4:24.

▪ Si mund ta mësoni të vërtetën për Perëndinë dhe çfarë dobish mund të nxirrni?​—Gjoni 8:32; 17:3.