Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbërritja e kishave në Tahiti

Mbërritja e kishave në Tahiti

Mbërritja e kishave në Tahiti

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË TAHITI

NGA fundi i shekullit të 18-të, erërat e ungjillëzimit frynë nëpër Evropë. Në Britani, Uilliam Keri, që më vonë do të bëhej misionar, i ngriti peshë zemrat e protestantëve me thirrje të zjarrta për të ungjillëzuar në territore të paprekura, përfshirë Tahitin. Keri u frymëzua nga urdhri i Jezuit drejtuar ithtarëve të tij për të bërë dishepuj në të gjitha kombet. (Mateu 28:19, 20) Po kështu, më 1802-in, një ndër librat më të shitur të kohës, Le Génie du christianisme (Gjeniu i kristianizmit) i shkrimtarit francez Fransua-Ogyst-Rëne dë Shatobrian, ndezi zellin misionar te katolikët.

Shpejt filluan të krijoheshin shoqëri dhe shoqata misionare katolike e protestante. Në vitin 1797, Shoqëria e Misionarëve të Londrës dërgoi 29 misionarë në Tahiti. Më 1841-in, atje mbërriti një grup katolikësh që i përkitnin urdhrit fetar të quajtur Etërit Pikpys e tri vjet më vonë shkuan edhe anëtarë të Kishës Mormone. Megjithatë, s’kaloi shumë dhe mjaft nga të sapoardhurit devijuan nga misioni kryesor i ungjillëzimit dhe u përfshinë në politikë e tregti. Pse ndodhi kjo?

Aleatë të arieve

Në fillim mësimet e misionarëve protestantë nuk u mirëpritën. Sipas një shkrimtari, «mesazhi i tyre fliste më shumë për torturat dhe zjarrin e ferrit sesa për dhembshurinë e dashurinë për të afërmin». Përveç kësaj, siç e kuptuan shpejt predikuesit, askush nuk do të guxonte të pagëzohej si i krishterë para arieve ose krerëve që ishin edhe udhëheqës fetarë. Prandaj, misionarët vendosën të përqendroheshin te krerët.

Sidomos një nga krerët, Pomarei II, i mirëpriti misionarët, pasi i shihte si aleatë të mundshëm në ekonomi dhe ushtri. Nga ana tjetër, ata e shihnin Pomarein si mjet për të çuar përpara interesat e tyre. Për më tepër, qysh në fillim misionarët patën njëfarë ndikimi, ngaqë shërbenin si ndërmjetës mes tahitianëve dhe detarëve që ndalonin vazhdimisht për furnizime.

Me shpresën se misionarët do ta ndihmonin në ambiciet politike dhe për të siguruar armët që donte, Pomarei tregoi interes për mesazhin e tyre dhe, që në vitin 1811, kërkoi të pagëzohej. Vitin vijues e hodhi me shkrim dëshirën e tij. Megjithatë, për tetë vjet kërkesa e tij nuk u pranua, pasi misionarët mendonin se ishte e mençur të shihnin më parë nëse ai do të jetonte vërtet sipas normave morale të Biblës.

Ndërkohë, Pomarei ia doli të bëhej mbret dhe pushteti i tij u pranua nga të gjithë në ishullin e Tahitit dhe në ishujt fqinjë, që formonin Ishujt e Shoqërisë. Ai kërkoi sërish të pagëzohej. Si përfundim, në vitin 1819, misionarët pranuan.

Rezultatet qenë të menjëhershme. Brenda nja pesë vjetësh, pothuajse të gjithë banorët e Ishujve të Shoqërisë, e pjesës perëndimore të arkipelagut Tuamotu dhe e gjysmës së ishujve Tubuai deklaruan se ishin të krishterë.

Kodi i Pomareit

«Kthimi» në masë i banorëve të ishujve kërkonte zëvendësimin e vlerave, zakoneve dhe ligjeve të vjetra me të reja. Për të arritur këtë, Pomarei i mbante sytë te misionarët. Ç’është e vërteta, këta donin prej kohësh të reformonin traditat fisnore dhe të kufizonin pushtetin e mbretit. Për rrjedhojë, misionarët e pranuan kërkesën e Pomareit dhe formuluan një grup ligjesh ku, sipas një burimi, kombinoheshin «parimet e përgjithshme të kushtetutës britanike, normat biblike dhe traditat e kombeve të krishtere». Pas shumë rishikimesh, mbreti e pranoi veprën përfundimtare si kodin e parë ligjor të shkruar të Tahitit. Ai u quajt Kodi i Pomareit.

Ai kod u bë një model për ishujt dhe arkipelagët fqinjë, ku dolën kode të ngjashme. Kodi kërkonte respektimin e rreptë të sabatit; parashikonte dënime për shkelje të tilla, si kurorëshkelja, bigamia, vjedhja e rebelimi; dekretonte dënimin me vdekje për vrasjen e foshnjave dhe për vrasjet në përgjithësi. Të gjitha zbavitjet e shthurura ishin të ndaluara.

Përfshirja në politikë

Në librin Aty ku përplasen dallgët (anglisht) thuhet se misionarët protestantë «u përfshinë thellë në sferat e larta të politikës së ishullit. Përveç rolit si ungjillëzues, ata ishin bërë strategë ushtarakë, këshilltarë në ekonomi, në politikë dhe hartues të ligjeve e të kushtetutës». Duket se edhe misionarët mormonë e katolikë morën përsipër çështje civile e politike të ishujve ku u vendosën. Në ishullin e Tubuait, që gjendet në grupin e ishujve me të njëjtin emër, një misionar mormon pohoi: «Frerët e qeverisë i ka në dorë kisha. . . . Unë jam kryeministri i ishullit.» Në Ishujt Gambier, katolikët patën ndikim të ngjashëm dhe një klerik kishte postin e ministrit.

Në vend që të merreshin vetëm me predikimin e Biblës, misionarët «zgjodhën të ungjillëzonin me anë të politikës», siç thotë historiania Kler Lo. Ata e panë këtë si mjet më të leverdishëm për të arritur atë që donin. Duke vepruar kështu, misionarët vepruan kundër direktivave të autoriteteve të kishave të tyre. Gjithsesi edhe sot e kësaj dite, në Polinezinë Franceze feja dhe politika mbeten të gërshetuara.

Roli i tregtisë

Profesori Nil Ganson i Universitetit të Kanberrës në Australi thotë se te disa misionarë «oportunizmi politik lidhej ngushtë me interesat në tregti». Disa misionarë u bënë tregtarë, duke furnizuar, duke marrë me qira e madje duke ndërtuar anije tregtare. Të tjerë drejtonin plantacione me marantë, kafe, pambuk, kallamsheqer dhe duhan.

Misionarët zunë rrënjë kaq mirë në tregti, saqë për 25 vjet kishin në dorë tregtinë midis Australisë dhe Tahitit, sidomos tregtinë e mishit të derrit të kripur dhe të vajit të kokosit. Megjithatë, disa prej tyre shqetësoheshin nga këto aktivitete dhe i kërkuan Shoqërisë së Misionarëve të Londrës të ndërhynte. Të tjerë mendonin se tregtia ishte thelbësore për synimet e tyre fetare. Përse?

Që kur kishin ardhur, misionarët kishin përdorur edhe aftësitë teknike, edhe mallrat e fabrikuara për t’u bërë përshtypje banorëve të ishujve. Ngaqë besonin se «civilizimi» do t’i bënte njerëzit më të lumtur, misionarët i nxitnin të punonin pa u lodhur dhe të arrinin begatinë, madje duke lënë të nënkuptohej se kjo e dyta ishte shenjë e bekimit të Perëndisë.

Kthim i sinqertë?

Më vonë, një historian i Shoqërisë së Misionarëve të Londrës shkroi se në kthimin e shpejtë e masiv në besim të banorëve të këtyre ishujve «nuk luajtën dhe aq rol motivet morale, për të mos folur pastaj për anën fetare a ndonjë ndryshim në zemër». Gansoni thotë se kthimi në besim i tahitianëve ishte «thjesht një shprehje e vullnetit të Pomareit II, i bazuar te zakonet (jo te bindjet) fetare të misionarëve anglezë».

Shumë tahitianë ishin bërë të krishterë sa për emër e brenda pak vitesh, paganizmi u kthye me anë të lëvizjes fetare të quajtur Mamaia. Në këtë formë të shthurur adhurimi, që e praktikoi edhe trashëgimtarja e fronit, ndërthureshin veçori të krishterimit me bindjet dhe zakonet tradicionale.

Kishte shumë grindje mes grupeve protestante, ku përfshiheshin anglikanët, kalvinistët dhe metodistët, si dhe shumë urrejtje mes protestantëve dhe katolikëve. Në librin Historia e banorëve të ishujve të Paqësorit sipas Kembrixhit (anglisht) thuhet: «Banorët e ishujve nuk shihnin ndryshime doktrinale midis grupeve fetare dhe nuk arrinin të kuptonin armiqësinë e egër midis njerëzve që pretendonin se ishin vëllezër.» Në një rast, kur dy misionarë katolikë mbërritën në Tahiti, ata u dëbuan menjëherë me urdhër të një ish-misionari të shquar protestant. Ky veprim ndezi një incident diplomatik midis Britanisë dhe Francës që i çoi buzë konfliktit. Si përfundim, Britania u dorëzua para pretendimit të Francës se Tahiti duhet të vihej nën «mbrojtjen» franceze.

Të mirat që lanë pas

Nga ana tjetër, mjaft misionarë të hershëm përkrahën me zell arsimimin dhe ndihmuan në çrrënjosjen e praktikave të tilla, si: vrasja e foshnjave, kanibalizmi dhe flijimi i njerëzve. Ndonëse mund të kenë qenë tepër të rreptë e hijerëndë, disa misionarë u përpoqën të ngrinin normat morale të banorëve të ishujve.

Një dhuratë veçanërisht e vyer e misionarëve ishte përkthimi i Biblës në gjuhën e Tahitit. Për më tepër, me anë të saj ata u treguan njerëzve emrin e Perëndisë që ende njihet mirë në ishuj. *​—Psalmi 83:18.

[Shënimi]

[Kutia në faqen 15]

«Nuk jeni pjesë e botës»

Këto fjalë të thëna nga Jezu Krishti janë një parim që ndjekin dishepujt e tij të vërtetë. (Gjoni 15:19) Ky parim është kaq i rëndësishëm për ta, saqë kur iu lut Perëndisë, Jezui tha: «Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» (Gjoni 17:16) Prandaj, Jezui nuk u përfshi në politikë, as nuk e përdori atë si mjet për të tërhequr dishepuj. Gjithashtu, ai ishte kundër rendjes plot lakmi drejt pasurisë, një tipar i frymës së botës. Përkundrazi, i nxiti njerëzit të bënin një jetë të thjeshtë, të përqendruar te marrëdhënia me Perëndinë. (Mateu 6:22-24, 33, 34) Dishepujt e vërtetë të Jezuit ndjekin shembullin e tij.

[Figura në faqen 13]

Pritja e misionarëve të parë, 1797

[Burimi]

The Granger Collection, New York

[Figura në faqen 14]

Një misionar me tahitianë të kthyer në besim, rreth vitit 1845

[Figura në faqen 14]

Mbreti Pomarei II

[Figura në faqen 15]

Tahiti dhe kryeqyteti, Papiete

[Burimi]

Fotografi me mirësjellje nga Tahiti Tourisme

[Burimet e figurave në faqen 14]

Majtas: fotografi nga Henry Guttmann/​Getty Images; djathtas: Collection du Musée de Tahiti et de ses Îles, Punaauia, Tahiti