Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪ Në vitin 2007 rreth 47 milionë kinezë vuajtën nga mungesa e ujit të pijshëm, si pasojë e thatësirës më të madhe gjatë një dekade. Ndërkohë, 42 milionë u dëmtuan nga tajfunet, kurse 180 milionë nga përmbytjet.—AGJENCIA E LAJMEVE KSINHUA, KINË.
▪ «Në vitin 2003, rreth një në pesë shtatzëni në mbarë botën, përfunduan me abort. Në Evropë, kjo shifër iu afrua raportit një me tre . . . [Në] vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, . . . afërsisht 45% e shtatzënive në vitin 2003 përfunduan me abort.»—REVISTA MJEKËSORE BRITANIKE, BRITANI.
Videolojëra të dhunshme në kishë
Në gazetën The New York Times thuhet se «qindra shërbëtorë fetarë e pastorë që kërkojnë dëshpërimisht t’i tërheqin të rinjtë në kishat e tyre, kanë ngjallur shqetësim dhe janë kritikuar ngaqë kanë përdorur një mjet të pazakontë për të mbledhur të rinjtë: një videolojë shumë të përhapur», por «të dhunshme». Kjo lojë është krijuar vetëm për të rriturit. Lojtari, që merr rolin e një ushtari, duhet të vrasë me metoda të ndryshme. Sipas gazetës, kjo nuk i ka penguar organizatorët e disa grupeve të rinjsh protestantë dhe evangjelistë «t’i pajisin qendrat e tyre me panele komandimi të shumëfishta, që adoleshentët të vërshojnë rreth ekraneve të mëdha dhe të qëllojnë me breshëri».
Vjedhje të identitetit të fëmijëve
Gazeta The Wall Street Journal thotë se po rritet numri i fëmijëve që janë viktima të vjedhjes së identitetit. Kjo mund të ketë pasoja shkatërrimtare në mundësinë e tyre për të marrë kredi në të ardhmen dhe në marrëdhëniet me të tjerët. Krime të tilla, që zakonisht kryhen nga ndonjë i afërm, mund të mos diktohen për dekada të tëra. «Shumë njerëz as e marrin vesh fare se dikush e ka shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme identitetin e tyre, . . . derisa bëjnë kërkesën e parë për punë, për patentë, për kredi studentore ose për hipotekë»,—shpjegon gazeta. Disa e zbulojnë më herët, kur ndonjë agjenci kreditore kërkon t’i shlyhen borxhet që janë grumbulluar në emër të viktimës.
Mbushje bërthamore «të humbura»
Më 30 gusht 2007, një bombardues B-52 i Forcave Ajrore të SHBA-së fluturoi mbi Shtetet e Bashkuara për tri orë e gjysmë, duke mbajtur gjashtë raketa bërthamore të telekomandueshme që ishin «vënë gabimisht në krahun e avionit», siç tregon gazeta The Washington Post. Gazeta thotë se as pilotët që drejtonin avionin dhe as personeli në tokë që mbushi raketat nuk e vunë re gabimin, i cili «shpëtoi pa u vërejtur për 36 orë, një kohëzgjatje e pabesueshme». Sipas të dhënave, «punonjësit e Forcave Ajrore thanë se mbushjet bërthamore nuk ishin të aktivizuara dhe për asnjë çast nuk përbënin rrezik për publikun». Gjithsesi, një reporter ngriti pyetjen: «A nuk duhet të shqetësohemi vallë?!»
Pëllumbat matin ndotjen
Studiuesit në Universitetin e Raxhastanit, në Indinë Veriore, thonë se studimet e bëra te pëllumbat në qytetin e Xhajpurit, tregojnë se këta zogj mund të përdoren për të matur ndotjen në qytete. «Metalet e rënda që gjenden në mjedisin ku jetojnë, futen në pendë dhe mbeten aty, edhe pasi [pendët] bien»,—shpjegon Gobar Times e Nju-Delhit, një shtojcë e revistës Down to Earth. Meqë pëllumbat zakonisht nuk e ndryshojnë vendin ku jetojnë, niveli i kadmiumit, kromit, bakrit dhe plumbit që zbulohet në pendët e tyre, mund të jetë një tregues i saktë i ndotjes në atë territor.