Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhen përdorur titujt?

A duhen përdorur titujt?

Pikëpamja e Biblës

A duhen përdorur titujt?

NË JETËN e përditshme dhe kur predikonin lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë, të krishterët e shekullit të parë takonin shumë qeveritarë, disa të një rangu më të ulët e disa të një rangu më të lartë. Me njëri-tjetrin, dishepujt e Jezuit nuk përdornin tituj për të treguar çfarë pozite a shtrese shoqërore kishin. Megjithatë, në atë kohë ishte e zakonshme që njerëzve me pushtet t’u drejtoheshin me tituj. Për perandorin romak përdorej titulli August ose ‘Lartmadhëri’.—Veprat 25:21.

A u drejtoheshin me tituj qeveritarëve dishepujt e Jezuit? Po ne, a duhet t’i përdorim titujt?

Nderimi nuk është miratim

Apostulli Pavël u dha bashkëbesimtarëve këtë këshillë: «Jepuni të gjithëve atë që u takon: . . . nderim atij që e kërkon këtë nderim.» (Romakëve 13:7) Kjo nënkuptonte edhe që t’u drejtoheshin qeveritarëve me titujt që mbanin. Gjithashtu sot, tituj si, Shkëlqesia juaj dhe I nderuar përdoren shpesh për zyrtarët e lartë. Por disa mund të pyesin: «Si mund t’i drejtohem kështu një njeriu, ndërkohë që nuk mendoj se sjellja e tij është e ndershme a e shkëlqyer?»

Ka shumë zyrtarë të lartë që i kryejnë me ndërgjegje detyrat, por ka edhe të tjerë që nuk u ngjallin besim njerëzve me veprimet e tyre. Sidoqoftë, Bibla na nxit t’u nënshtrohemi mbretërve dhe guvernatorëve «për hir të Zotërisë». (1 Pjetrit 2:13, 14) Prandaj, nëse pranojmë që Perëndia e ka lejuar një qeveritar të ketë pozitë me autoritet, kjo duhet të na nxitë të tregojmë respektin dhe nderimin e kërkuar.—Romakëve 13:1.

Në këtë çështje nuk ka të bëjë sjellja e qeveritarit. Nuk është kjo arsyeja që e nderojmë. Duke iu drejtuar me titullin e tij, nuk lëmë të kuptohet se e miratojmë sjelljen e tij. Këtë e tregon një ngjarje në jetën e apostullit Pavël.

Pavli përdorte tituj

Apostullin Pavël e arrestuan në Jerusalem mbi bazën e akuzave të rreme dhe e çuan para Feliksit, guvernatorit të Judesë. Feliksi nuk ishte aspak një qeveritar shembullor. Historiani romak Taciti shkroi se Feliksi «mendonte që mund të bënte çdo të ligë e të mos dënohej». Atij i interesonte më shumë të merrte ndonjë ryshfet sesa të vepronte me drejtësi. Gjithsesi, gjatë dy viteve që ishte i burgosur, Pavli tregoi respekt për guvernatorin. Këta dy burra bisedonin shpesh: Feliksi shpresonte të merrte para, por që s’i mori kurrë, kurse Pavli shfrytëzonte rastin për të predikuar.—Veprat 24:26.

Kur vendin e Feliksit e zuri Festi, guvernatori i ri e dëgjoi çështjen gjyqësore të Pavlit në Cezare. Që të fitonte pëlqimin e krerëve judenj, Festi sugjeroi që Pavli të gjykohej në Jerusalem. Por Pavli e dinte se atje nuk do ta gjykonin me drejtësi, dhe kështu, duke shfrytëzuar të drejtat si qytetar romak, tha: «Unë i apelohem Cezarit!»Veprat 25:11.

Festi nuk dinte si t’ia shpjegonte Cezarit akuzat kundër Pavlit, por i erdhi në ndihmë mbreti Agripa II, i cili shkoi t’i bënte një vizitë Festit që ta përshëndeste. Agripa u interesua për çështjen. Të nesërmen, komandantët ushtarakë bashkë me burrat e shquar të qytetit e shoqëruan gjithë salltanet mbretin për në sallën e audiencës.—Veprat 25:13-23.

Kur e ftuan të fliste, Pavli në fjalët hapëse përdori titullin «mbret» dhe pranoi se Agripa i njihte mirë zakonet dhe polemikat midis judenjve. (Veprat 26:2, 3) Në atë kohë të gjithë e dinin se Agripa kishte një marrëdhënie skandaloze incesti me të motrën. Sigurisht, Pavli e dinte se Agripa kishte një nam të keq ngaqë bënte jetë imorale. Megjithatë, i tregoi nderimin që i takonte si mbret.

Kur Pavli po fliste në mbrojtje të vetes, Festi thirri: «Po luan mendsh, Pavël!» Në vend që të nxehej, Pavli u përgjigj me qetësi dhe iu drejtua guvernatorit duke e quajtur «Shkëlqesia juaj». (Veprat 26:24, 25) I tregoi respektin që meritonte pozita e tij. Sidoqoftë, nga këta shembuj ngrihet pyetja: a ka një kufi nderimi që duhet t’u tregojmë autoriteteve?

Nderim relativ

Autoriteti i qeveritarëve është relativ, siç tregohet te Romakëve 13:1 ku thuhet: «Autoritetet ekzistuese qëndrojnë në pozitat e tyre relative nga Perëndia.» Prandaj edhe nderimi që u japim përfaqësuesve të qeverisë është relativ. Jezui vuri kufirin për nderimin që duhet t’u japim të tjerëve, kur u tha dishepujve: «Mos lejoni t’ju quajnë Rabi, sepse keni vetëm një mësues, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. Veç kësaj, mbi tokë mos quani askënd atë, sepse Ati juaj është një i vetëm, Qiellori. As mos lejoni t’ju quajnë ‘udhëheqës’, sepse keni vetëm një Udhëheqës, Krishtin.»—Mateu 23:8-10.

Pra, kur bëhet fjalë për nderimin e duhur, kufirin e përcakton ndryshimi midis titujve fetarë dhe jofetarë. Nëse autoritetet shtetërore mbajnë tituj fetarë, këshilla e Pavlit për t’i nderuar ata nuk përfshin që t’u drejtohemi me këta tituj. Kush ndjek këshillën biblike do t’i trajtojë me respekt këta qeveritarë. Gjithsesi, ndërgjegjja e stërvitur sipas Biblës nuk do ta lejojë të përdorë asnjë titull fetar, sepse ka si detyrim ‘t’i japë Perëndisë atë që i përket Perëndisë’.—Mateu 22:21, Diodati i Ri.

A DONI TË DINI?

▪ Ç’pikëpamje kishin dishepujt e Jezuit për autoritetet shtetërore?—Romakëve 13:7.

▪ A u drejtohej me tituj qeveritarëve apostulli Pavël?—Veprat 25:11; 26:2, 25.

▪ Cilët tituj nuk miratonte Jezui?—Mateu 23:8-10.

[Figura në faqet 20, 21]

Si iu drejtua Pavli Agripës?