Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Në 20 vitet e fundit, numri i katastrofave natyrore në mbarë botën është katërfishuar. Mbi 250 milionë njerëz dëmtohen çdo vit prej tyre.​—EL UNIVERSAL, MEKSIKË.

«Erërat alize, erërat kryesore në Paqësor, kanë mbledhur gjatë viteve një sasi gjigante mbeturinash pluskuese.» Sipërfaqja që zënë këto mbeturina është bërë sa sipërfaqja e Australisë.​—LA DÉPÊCHE DE TAHITI, TAHITI.

Për të prodhuar 50 litra lëndë djegëse me origjinë bimore për një makinë pasagjerësh, duhen 200 kilogramë misër, «aq sa mjafton për të ushqyer një njeri gjithë vitin».​—GAZETA WYBORCZA, POLONI.

Botimi i Biblave në Kinë

«Kina është bërë ndër vendet që botojnë më shumë Bibla në botë»,—thotë Je Ksiauen, drejtuesja e Administratës së Shtetit për Çështjet Fetare. Një shoqëri botuese në Nankin, kryeqyteti i provincës së Kiansusë, shënoi një arritje të madhe kur botoi Biblën e 50-miliontë të plotë në vend. Sipas gazetës People’s Daily Online, «vitet e fundit, nga shtypshkronja [e shoqërisë] kanë dalë rreth 3 milionë Bibla çdo vit». Në Kinë, raportohet se numri i atyre që thonë se janë të krishterë po rritet.

Ikonat në shënjestër

«Gjatë pesë viteve të kaluara në Rusi janë grabitur më shumë se 1.000 kisha»,—thuhet në gazetën Russky Newsweek. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Rusisë janë raportuar rreth 40.000 ikona të vjedhura. Tani, me anë të një marrëveshjeje midis kësaj ministrie dhe Kishës Ortodokse Ruse, të gjitha ikonave të kishave do t’u vihet një shenjë identifikimi, e cila shihet vetëm me dritë ultravjollcë. Kjo do t’i ndihmojë hetuesit të përcaktojnë pronarët e ligjshëm të ikonave të gjetura. Në Russky Newsweek thuhet se Patrikana e Moskës e mirëpriti këtë masë, «pasi shenja identifikuese ‘tokësore’ nuk ua heq ikonave veçoritë mrekullibërëse».

Luftërat shterojnë të ardhurat e Afrikës

Gazeta International Herald Tribune thotë: «Nga viti 1990 deri në vitin 2005, 23 shtete afrikane u përfshinë në konflikte dhe kostoja totale ishte afro 300 miliardë dollarë amerikanë.» «Çmimi që po paguan Afrika mund të mbulonte koston për zgjidhjen e krizës së HIV-it dhe SIDA-s në Afrikë ose për të siguruar arsimim, ujë, si dhe për të parandaluar e trajtuar tuberkulozin dhe malarjen,—thotë presidentja e Liberisë Elena Xhonson-Sërlif.—Mund të ndërtoheshin mijëra spitale, shkolla dhe rrugë.» Gazeta përfundon se pa këto luftëra, Afrika «mund të ishte një kontinent më i begatë, dhe jo më i varfri në botë».

Një dremitje të bën mirë

Nga një studim me më shumë se 23.000 burra e gra grekë u nxor si përfundim se, po të dremitësh të paktën tri herë në javë gjatë ditës, mund të ulet 37 për qind rreziku i vdekjes nga infarkti në zemër. «Ka mjaft prova që tregojnë se stresi akut dhe kronik mund të çojnë në sëmundje të zemrës,—shpjegon Dimitris Trihopulos, studiues dhe epidemiolog në Fakultetin e Shëndetit Publik të Harvardit, SHBA.—Një dremitje pasdreke mund të shërbejë për të çliruar stresin [dhe] mund të ulë vdekshmërinë nga sëmundjet e zemrës.»