Sa kanë përparuar robotët?
Sa kanë përparuar robotët?
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË JAPONI
ROBOTËT. Çfarë ju sjell ndër mend kjo fjalë? Disa njerëz i shohin robotët si ndihmës a bashkëpunëtorë miqësorë dhe të dobishëm. Të tjerë i shohin si një kërcënim, si makineri me inteligjencë superiore që ndoshta një ditë do t’ua zënë vendin njerëzve. Kurse për shumë të tjerë, robotët më tepër janë pjesë e literaturës fantastiko-shkencore, sesa e jetës reale.
Po sot? Sipas një studimi të botuar në vitin 2006 nga Federata Ndërkombëtare e Robotikës, ka thuajse një milion robotë në mbarë botën që përdoren në industri. Gati gjysma e tyre janë në Azi. Pse janë kaq të kërkuar?
Çfarë bëjnë robotët?
Përfytyroni një punëtor që punon pareshtur, nuk ankohet kurrë dhe mund të punojë pa u lodhur 24 orë në ditë të gjitha ditët e javës. Ja pra, të tillë janë robotët që punojnë në industri. Ata prodhojnë pa ndërprerje një mori pajisjesh elektrike, shtëpiake dhe për makinat. Robotëve u shkon për shtat emri që mbajnë, i cili vjen nga fjala çeke robota, që do të thotë «punë e detyruar». Është llogaritur se në industrinë e prodhimit të makinave, gjatë vitit 2005 kishte 1 robot për çdo 10 punëtorë.
Megjithatë robotët nuk i gjen vetëm nëpër fabrika. Sot ka robotë të programuar për të dalluar zërat, robotë me xhiroskopë, me pajisje që komunikojnë me anë të valëve, me pajisje GPS që përcaktojnë vendndodhjen në glob dhe me lloj-lloj sensorësh për të ndier nxehtësinë, forcën, ultratingujt, lëndët kimike dhe rrezatimin. Më të fuqishëm e më të shumanshëm se kurrë, robotët po kryejnë shërbime që vetëm pak vite më parë konsideroheshin të pamundura. Le të marrim disa shembuj.
▪ Për shërbime. Në një spital të Britanisë së Madhe, një robot që punon në farmaci, merr dhe shpërndan ilaçet me krahët e tij mekanikë brenda disa sekondave. Shërbimi Postar i SHBA-së përdor shumë robotë për të grupuar, zhvendosur dhe stivuar pakot. Robotët me krah si gjarpër mund të futen në vende të ngushta, si për shembull brenda krahëve të aeroplanit, për të kontrolluar e për të riparuar.
▪ Për shoqëri. Në një azil në Japoni, të moshuarit mbajnë radhën për të ledhatuar një fokë-robot të vogël e të lezetshme me gëzof. Ky robot reagon ndaj prekjeve, dritës, tingujve, temperaturës e madje edhe mënyrës se si mbahet. Ai imiton sjelljen e kafshës duke gugatur, pulitur sytë dhe rrahur pendët. Thuhet se foka-robot plotëson një nevojë thelbësore të njeriut për shoqëri dhe përdoret si terapi.
▪ Në mjekësi. Një robot me tre krahë i rri sipër pacientit. Pak metra më tutje, kirurgu vëzhgon në ekranin e një paneli gjigant një pamje tridimensionale të zemrës së pacientit. Kirurgu komandon krahët e robotit që pret e qep për të ndrequr një valvulë me defekt. Ky sistem krijon mundësi që operacioni të bëhet me çarje sa më të vogël, meqë lëvizjet e robotit janë tepër të sakta. Kjo minimizon traumën që pëson trupi, pakëson hemorragjinë dhe ndihmon në një shërim më të shpejtë.
▪ Në shtëpi. Mjafton të shtypësh një buton dhe një robot në formë disku, si një fshesë me korrent, i hyn punës për të fshirë shtëpinë. Ai pastron duke bërë lëvizje spirale me një rreze që sa vjen e rritet. Roboti shkon përgjatë mureve, dhe kështu «mëson» planimetrinë e dhomës. I dallon shkallët dhe u shmanget. Kur mbaron, ndalon automatikisht dhe drejtohet për në vendin e karikimit. Sot përdoren mbi dy milionë robotë të tillë, si fshesa korrenti.
▪ Në hapësirë. Një robot me gjashtë rrota, i quajtur Spirit, eksploron sipërfaqen e Marsit. I pajisur me vegla dhe instrumente shkencore në krahun e tij, ky robot eksplorues analizon përbërjen e dheut e të shkëmbinjve. Me anë të kamerave të tij, roboti Spirit ka bërë mbi 88.500 fotografi të Marsit, duke përfshirë terrenin e planetit, krateret, retë, stuhitë e pluhurit dhe perëndimet e diellit. Ai është një nga automjetet robotike që funksionon tani në Mars.
▪ Në kërkim-shpëtim. Te kullat e shembura të Qendrës Tregtare Botërore, 17 robotë të kërkim-shpëtimit me përmasa sa një top basketbolli i hynë punës për të gjetur ndonjë të mbijetuar nën rrënojat që nxirrnin tym, me binarë çeliku të shtrembëruar dhe beton. Që atëherë janë ndërtuar modele më të përparuara, si ai i treguar poshtë.
▪ Nën ujë. Robotët e nënujshëm po përdoren nga shkencëtarët për të studiuar zonën e vetme ende të paeksploruar të tokës—thellësitë e oqeanit. Këto mjete të nënujshme lundrimi nuk kanë timonier dhe punojnë me bateri. Ndër funksionet e tjera të nënujshme janë kërkimi i objekteve të humbura, kontrollimi i kabllove të telekomunikacionit, gjurmimi i balenave dhe pastrimi i oqeanit nga minat.
A u ngjajnë njerëzve?
Për shekuj të tërë njeriu ka ëndërruar të ndërtojë një humanoid, pra një robot që i ngjan njeriut. Por, sa i vështirë është realizimi i kësaj ëndrre! «Puna e ndërlikuar për ndërtimin e superkompjuterëve, për ngritjen e grataçelave e madje edhe për projektimin e qyteteve të tëra, as që krahasohet me ndërtimin e makinerive që kanë aftësi të lëvizin si njeriu, që kanë shqisa artificiale për të parë, nuhatur, dëgjuar dhe prekur a që kanë diçka të përafërt me inteligjencën e njeriut»,—tha revista Business Week.
Për shembull, le të marrim punën në dukje të thjeshtë të prodhimit të një roboti që ecën si njeri. U deshën 11 vite te gjata kërkime dhe punë e palodhur, si dhe miliona e miliona dollarë, që inxhinierët japonezë të realizonin këtë synim të jashtëzakonshëm në shtator të vitit 1997. Që atëherë, humanoidët kanë përparuar deri në pikën që mund të ngjitin shkallët, të vrapojnë, të vallëzojnë, të mbajnë tabaka, të shtyjnë një karrocë e madje të ngrihen vetë nëse bien.
Si do të jenë në të ardhmen?
Si do të jetë e ardhmja e robotëve? Enti Kombëtar Aeronautik dhe Hapësinor i SHBA-së po ndërton një robonaut, një humanoid të aftë për të kryer detyra të rrezikshme në hapësirë. Bill Gejtsi, figurë e shquar në teknologjinë e kompjuterëve, thotë se ka të ngjarë që «robotët të luajnë një rol të rëndësishëm për t’u dhënë ndihmë fizike, e madje për t’u bërë shoqëri të moshuarve».
Po kështu, një raport i botuar nga qeveria japoneze parashikon se në shoqërinë e vitit 2025 robotët do të jetojnë bashkë me njerëzit, do t’u shërbejnë të moshuarve dhe të sëmurëve, do të kujdesen për fëmijët dhe do të bëjnë punë shtëpie. Brenda vitit 2050, studiuesit shpresojnë të shohin një skuadër futbolli me robotë që të mundë një skuadër me njerëz. Ata shpresojnë edhe që brenda pak dekadash të krijohen robotë që mund t’ia kalojnë fuqisë së trurit të njeriut.
Këto parashikime janë të guximshme, por jo të gjithë janë po kaq optimistë për realizimin e tyre. Lidhur me vështirësitë teknike që kanë hasur, studiuesi i inteligjencës artificiale Xhordan B. Polak tha: «E kemi nënvlerësuar krejtësisht sa programuese e zonja është Nëna Natyrë.»
Koha do ta tregojë deri ku do të përparojë shkenca e robotëve. Sidoqoftë, një gjë është e sigurt: aftësia për të dashur dhe për të treguar mençuri, drejtësi e autoritet do të mbetet gjithnjë veçori unike e njerëzve. Pse? Bibla e thotë qartë se, ndryshe nga krijesat e tjera, vetëm njeriu u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. (Zanafilla 1:27) Njerëzit nuk janë makina pa ndjenja dhe të programuara. Ata janë me vullnet të lirë, janë të vetëdijshëm dhe kanë aftësinë të adhurojnë Perëndinë. Le të na nxitë kjo gjë që t’i afrohemi më shumë Krijuesit tonë, Perëndisë Jehova!—Jakovi 4:8.
[Burimet e figurave në faqen 16]
Me mirësjellje nga Aaron Edsinger
Me mirësjellje nga OC Robotics
[Burimet e figurave në faqen 17]
Me mirësjellje nga AIST
© 2008 Intuitive Surgical, Inc.
Me mirësjellje nga iRobot Corp.
[Burimet e figurave në faqen 18]
Lart: NASA/JPL-Solar System Visualization Team; majtas: NASA/JPL/Cornell University
© The RoboCup Federation
Greg McFall/NOAA/Gray’s Reef National Marine Sanctuary
[Burimi i figurës në faqen 19]
© 2007 American Honda Motor Co., Inc.