Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të përballohet sindroma e Aspergerit?

Si të përballohet sindroma e Aspergerit?

Si të përballohet sindroma e Aspergerit?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI

DËSHIRON të zësh miq, por nuk e ke të lehtë të bisedosh. Megjithatë, mund të flasësh e të flasësh me orë të tëra për diçka që të pëlqen. Në jetë ndjek një rutinë strikte; ndryshimet të turbullojnë. Shpesh ndihesh në ankth, i mërzitur dhe nganjëherë bie në dëshpërim.

Njerëzit të keqkuptojnë. Të quajnë tip të çuditshëm, të vështirë e madje të pasjellshëm. Mezi i kupton mendimet dhe ndjenjat e të tjerëve, sidomos ngaqë nuk i shpjegon dot shprehjet e fytyrës ose gjestet e tyre. Shumë veta me sindromën e Aspergerit, që quhet edhe çrregullimi i Aspergerit, hasin vazhdimisht situata të tilla.

Ata që vuajnë nga kjo sindromë duken si gjithë të tjerët, e shpesh janë mjaft inteligjentë. Gjithsesi, kanë një çrregullim me origjinë nervore që ndikon në mënyrën si komunikojnë dhe në marrëdhëniet me të tjerët. Kjo sindromë përfshin një sërë karakteristikash dhe ndryshe shfaqet te njëri e ndryshe te tjetri. Sidoqoftë kush jeton me sindromën e Aspergerit mund t’ia dalë mbanë. Le të shohim historinë e Klerës.

Më në fund një diagnozë!

Kur ishte e vogël, Klera ishte tepër e qetë dhe e mbyllur. Nuk i shihte të tjerët në sy dhe kishte frikë nga prania e shumë njerëzve. Mësoi shpejt të fliste rrjedhshëm, por përdorte sa më pak fjalë të ishte e mundur dhe kishte një të folur monoton. Asaj i pëlqente një rutinë strikte dhe e zinte ankthi nëse ndryshonte programi.

Në shkollë, mësuesit nuk kishin durim me Klerën, sepse mendonin se bënte kastile tipin e vështirë. Veç kësaj, fëmijët e tjerë e ngacmonin. Edhe e ëma vuante, ngaqë të tjerët ia hidhnin fajin padrejtësisht asaj për sjelljen e Klerës. Si përfundim, vitet e fundit të shkollës ajo vendosi që Klera të merrte mësime në shtëpi.

Pas kësaj, Klera zuri disa punë, por i humbi të gjitha ngaqë nuk e përballonte dot ndryshimin e rutinës dhe nuk e përmbushte atë që pritej prej saj. Në punën e fundit që kishte në një azil, kryeinfermierja e kuptoi se Klera kishte një problem serioz. Më në fund, kur Klera ishte 16 vjeçe, u përcaktua diagnoza e saj: sindroma e Aspergerit.

Tani nëna e Klerës e dinte përse e bija sillej aq ndryshe nga të tjerët. Një mik i familjes gjeti ca informacione rreth kësaj sindrome dhe, kur Klera i lexoi, pyeti e habitur: «Pse vërtet kështu bëj? Pse kështu jam unë?» Në zyrën e shërbimeve sociale, Klerës i këshilluan terapinë e punës, pra të merrej me një punë që e ndihmonte për problemin e saj. Krisi, një Dëshmitar i Jehovait që kishte përvojë për të ndihmuar fëmijët me nevoja të veçanta, e rregulloi që Klera, gjithashtu një Dëshmitare, të ndihmonte si vullnetare në mirëmbajtjen e një ndërtese që Dëshmitarët përdorin për të adhuruar Perëndinë.

Mëson ‘të jetojë në botën reale’

Fillimisht Klera mezi u fliste vullnetarëve të tjerë. Kur haste ndonjë problem, i shkruante një pusullë Krisit, ngaqë e kishte më kollaj sesa t’i shprehte mendimet me fjalë. Dalëngadalë Krisi e inkurajoi të uleshin e të bisedonin shtruar. Me durim, e mësoi që, siç u shpreh ai, «të jetonte në botën reale». Krisi i shpjegonte se «në botën reale» nuk është normale të shmangësh njerëzit dhe të bësh vetëm atë që të pëlqen. Kështu Klera mësoi të bashkëpunonte për të kryer një punë.

Përvojat e papëlqyeshme të së shkuarës kishin bërë që ajo të mos kishte besim te vetja, kështu që sa herë i jepnin ndonjë punë, përgjigjja e parë ishte: «S’e bëj dot.» Si e ndihmoi Krisi për këtë? Ai i jepte punë të thjeshta dhe i shpjegonte: «Ja si bëhet.» Pastaj shtonte: «Ti mund ta bësh.» Kur ia dilte mbanë, ajo ishte shend e verë. Krisi e lavdëronte me përzemërsi dhe i caktonte një punë tjetër. Klera e kishte të vështirë të mbante mend kur udhëzimet ia thoshin me gojë, por s’e kishte problem kur i jepnin një listë të shkruar. Pak nga pak fitoi siguri te vetja.

Ngaqë s’i pëlqente të rrinte në vende me shumë njerëz, Klera e kishte shumë të vështirë t’u fliste të tjerëve në mbledhjet ku adhuronin Perëndinë. Ajo e kishte zakon të ulej e vetme në rreshtat e parë të Sallës së Mbretërisë. Megjithatë i vuri synim vetes të ngrihej sapo mbaronte mbledhja e të shkonte në fund të sallës që të fliste me ndonjë.

Me kalimin e kohës, Klera po fliste me më shumë njerëz. «Por nuk është e lehtë»,—thotë ajo. Edhe pse problemi i saj ia bën shumë të vështirë të bisedojë, Klera bën rregullisht fjalime në Shkollën e Shërbimit Teokratik, një program që ka si qëllim të ndihmojë të gjithë Dëshmitarët e Jehovait të përmirësojnë aftësitë shprehëse.

Kapërcen një vështirësi më të madhe

Teksa Klerës i shtohej siguria, Krisi i sugjeroi të përpiqej të shërbente si pioniere ndihmëse, siç i quajnë Dëshmitarët e Jehovait ata Dëshmitarë të pagëzuar që harxhojnë çdo muaj 50 orë a më shumë, duke u predikuar të tjerëve bindjet e tyre të bazuara në Bibël. Klera u përgjigj: «S’e bëj dot.»

Megjithatë, Krisi e inkurajoi duke i thënë se, edhe sikur të mos e arrinte synimin për 50 orë, të paktën do të ndihej e kënaqur që ishte përpjekur. Kështu Klera u përpoq dhe e shijoi atë përvojë. E bëri disa herë dhe i pëlqente gjithnjë e më shumë. Kjo ia shtonte sigurinë te vetja, sidomos kur gjente mjaft njerëz që dëshironin të mësonin më tepër për Biblën.

Klera e merrte seriozisht nxitjen që jepej në mbledhjet e krishtere për të shqyrtuar nëse e pengonte diçka të bëhej pioniere e rregullt, pra të predikonte edhe më shumë lajmin e mirë. Kështu vendosi ta niste këtë shërbim. Rezultati? Klera thotë: «Është gjëja më e mirë që mund të bësh.» Ajo është bërë më e afrueshme me pjesëtarët e kongregacionit dhe ka lidhur shumë miqësi. Fëmijëve u pëlqen të rrinë me të dhe ajo i ndihmon me qejf kur predikojnë bashkë.

Si t’i mbështetim?

Vërtet, jo çdokush që vuan nga sindroma e Aspergerit do të arrijë të shërbejë si pionier. Megjithatë, përvoja e Klerës jep prova se këta njerëz mund të bëjnë më tepër nga sa ua merr mendja. Programi i rregullt i Klerës plotëson nevojën e saj për të ndjekur një rutinë. Ajo ka ndjenjën e përgjegjësisë dhe është e besueshme, e këto e ndihmojnë të ketë sukses në shërbimin që ka zgjedhur.

Klera mendon se është e rëndësishme që njerëzit ta dinë se ka sindromën e Aspergerit, që ta kuptojnë përse ajo e sheh botën ndryshe dhe reagon ndryshe. Ajo shpjegon: «Ngaqë nuk arrin të shprehesh gjithnjë mirë, njerëzit pandehin se nuk je e aftë as të mendosh.» Kur kanë dikë me të cilin mund të hapen, kjo i ndihmon.

Atyre që vuajnë nga kjo sindromë, Krisi dhe Klera u sugjerojnë të vënë synime të vogla, t’i bëjnë hapat një nga një. Është e rëndësishme t’i ndihmojë dikush që e njeh mirë këtë sindromë. Për rrjedhojë, mund t’u rritet vlerësimi për veten dhe t’i kapërcejnë vështirësitë.

Rasti i Klerës tregon se durimi dhe inkurajimi mund t’i ndihmojnë shumë ata që vuajnë nga sindroma e Aspergerit. Këtë e pohon edhe Klera, e cila thotë: «Para pak vitesh as e kisha ëndërruar se do të arrija të bëja gjithë këto gjëra që po bëj sot.»

[Diçitura në faqen 24]

Klera mendon se është e rëndësishme që njerëzit ta dinë se ka sindromën e Aspergerit

[Kutia në faqen 22]

SINDROMA E ASPERGERIT

Kjo sindromë e ka marrë emrin nga dr. Hans Aspergeri. Ai ishte i pari që e përshkroi këtë çrregullim në vitin 1944. Gjithsesi, vetëm vitet e fundit janë bërë mjaft kërkime për të kuptuar dhe ndihmuar të diagnostikuarit me këtë sindromë, që sa vijnë e shtohen. Studiuesit në fushën e mjekësisë janë të pasigurt nëse kjo është një formë e lehtë e autizmit apo një çrregullim më vete. Deri më sot askush s’e di çfarë e shkakton sindromën e Aspergerit. Sidoqoftë, ajo nuk vjen nga mosplotësimi i nevojave emocionale dhe as nga mënyra si është rritur fëmija.

[Kutia në faqen 24]

NDIHMË PËR ATA ME SINDROMËN E ASPERGERIT

Interesohuni për ata që vuajnë nga sindroma e Aspergerit dhe përpiquni t’i njihni. Ndonëse mund ta kenë të vështirë të hapin një bisedë, mbani parasysh se ata duan të kenë miq dhe kanë nevojë për ta. Nuk bëhen enkas tipa të vështirë a të çuditshëm.

Jini të duruar dhe përpiquni t’i kuptoni problemet e tyre. Gjithashtu, mbani parasysh se është e nevojshme t’i shpjegoni gjërat saktë dhe qartë, pasi ata mund t’i marrin gjërat pikë për pikë siç ua thoni. Në rast se duhet ndryshuar rutina, shpjegojuani qartë hollësitë dhe, po të jetë e mundur, tregojuani praktikisht çfarë pritet prej tyre.

Në qoftë se diçka që kanë parë a dëgjuar i shqetëson tepër e s’u hiqet nga mendja, nxitini të përqendrohen te një pikturë a fotografi e bukur ose të dëgjojnë muzikë qetësuese.

[Figura në faqen 23]

Klera mësoi të merrte iniciativën për të zënë miq

[Figura në faqen 23]

Krisi i shpjegon Klerës si të bashkëpunojë për të kryer një punë