Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jeta: Shpresë që nuk vdes kurrë

Jeta: Shpresë që nuk vdes kurrë

VITE më parë në një film tregohej një djalë i ri që qëndronte pranë varrit të një të afërmi. Ai tha: «Mamaja gjithnjë thoshte se vdekja është pjesë e jetës.» Pastaj, kur kamera u ndal për pak çaste te varri, ai shtoi: «Sa do të doja të mos ishte kështu!»

Kjo shpreh ndjenjat e miliarda njerëzve që vdekja u ka rrëmbyer një njeri të dashur. Ç’armik i tmerrshëm është vdekja! Gjithsesi Perëndia premton: «Armiku i fundit që do të asgjësohet, është vdekja.» (1 Korintasve 15:26) Po pse vdesim, ndonëse është e qartë se kemi kapacitetin për të jetuar pafundësisht? Si do të asgjësohet vdekja?

Pse plakemi dhe vdesim?

Bibla thotë për Krijuesin tonë, Perëndinë Jehova: «E përsosur është vepra e tij.» (Ligji i përtërirë 32:4; Psalmi 83:18) Njeriu i parë, Adami, u krijua i përsosur dhe kishte aftësinë të jetonte përgjithmonë në kopshtin parajsor të Edenit këtu në tokë, ku e vendosi Perëndia. (Zanafilla 2:7-9) Pse Adamit iu desh ta linte shtëpinë parajsore e pastaj u plak dhe vdiq?

E thënë thjesht, arsyeja është: Adami nuk iu bind urdhrit për të mos ngrënë frytin e një peme të veçantë. Perëndia e kishte paralajmëruar qartë Adamin se çfarë ndëshkimi e priste: «Ke për të vdekur.» (Zanafilla 2:16, 17) Adami u bashkua me gruan e tij, Evën, duke mos iu bindur atij urdhri, prandaj Perëndia i dëboi nga Edeni. Perëndia kishte arsye të fortë pse veproi pa vonesë. Bibla thotë: «Që [Adami] të mos zgjatë dorën e të marrë edhe nga fryti i pemës së jetës [në kopsht], dhe të hajë e të jetojë përgjithnjë.»​—Zanafilla 3:1-6, 22.

Vërtet Adami dhe Eva vdiqën për shkak të mosbindjes së tyre, por pse plaken dhe vdesin gjithë pasardhësit e tyre? Ngaqë trashëguan mëkatin nga Adami, dhe mëkati i ka sjellë papërsosmëri dhe vdekje çdonjërit prej pasardhësve të tij. Bibla shpjegon: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit], dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.»​—Romakëve 5:12.

Pse mund të jetojmë sërish?

Siç lexuam më sipër, ‘vdekja do të asgjësohet’​—do të zhduket njëherë e mirë! (1 Korintasve 15:26) Por si? Bibla shpjegon: «Nëpërmjet një akti të vetëm shfajësimi, njerëz të çdo lloji shpallen të drejtë për jetën.» (Romakëve 5:18) Çfarë bën të mundur që të jemi të drejtë në sy të Perëndisë dhe të gëzojmë jetën pa fund?

Këtë e bën të mundur masa që mori Perëndia për të fshirë mëkatin që trashëguan gjithë njerëzit nga njeriu i parë, Adami. Bibla sqaron: «Dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.» (Romakëve 6:23) Për këtë masë të Perëndisë që njerëzit të shpallen të drejtë për jetën, Jezui tha: «Perëndia e deshi aq shumë botën [e njerëzimit], sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»​—Gjoni 3:16.

Mendoni sa e thellë është dashuria që ndien për ne Perëndia, si dhe dashuria e Birit të tij, Jezu Krishtit, që vuajti aq shumë për ne. Apostulli Pavël shkroi: «Biri i Perëndisë, . . . më deshi dhe e dorëzoi veten për mua.» (Galatasve 2:20) Por pse Jezui ishte i vetmi njeri që mund ta jepte «shpirtin e vet si shpërblesë» për ne e të na shpëtonte nga pasojat vdekjeprurëse të mëkatit?​—Mateu 20:28.

Jezui ishte i vetmi që mund të jepte shpirtin si shpërblesë, sepse ishte njeriu i vetëm që nuk trashëgoi mëkatin nga njeriu i parë, Adami. Si ndodhi kjo? Me anë të një mrekullie, jeta e Jezuit u transferua nga qielli në barkun e Marisë, që ishte e virgjër. Ndaj siç i tha një engjëll Marisë, djali i saj ishte «i shenjtë, Bir i Perëndisë». (Luka 1:34, 35) Ja përse Jezui quhet «Adami i fundit» dhe nuk trashëgoi mëkatin nga «njeriu i parë, Adami». (1 Korintasve 15:45) Kështu, si njeri pa mëkat, Jezui mund ta jepte veten si «një shpërblesë përkatëse», pra jeta e tij përkonte ose ishte e barabartë me jetën e përsosur dhe pa mëkat të Adamit.​—1 Timoteut 2:6.

Me anë të kësaj mase, shpërblesës, Perëndia bëri të mundur të marrim atë që humbi Adami i parë, pra, jetën e përhershme në një tokë parajsore. Mirëpo, për ta marrë këtë bekim, pjesa dërrmuese e njerëzve duhet të kthehen sërish në jetë. Ç’perspektivë e mrekullueshme! Por, a është kjo një ëndërr e parealizueshme?

Baza për besim

A është tepër e vështirë të besojmë se Perëndia Jehova, që krijoi jetën, ka fuqinë ta krijojë prapë një njeri që ka jetuar dikur? Të mendojmë për aftësinë që Perëndia i dha gruas së parë për të ngjizur një fëmijë, pra për të mbetur shtatzënë. «Adami pati marrëdhënie me Evën» dhe pas nja nëntë muajsh erdhi në jetë një kopje e vogël e tyre, plotësisht e formuar. (Zanafilla 4:1) Ajo çka ndodhi në barkun e Evës që të krijoheshin dhe të funksiononin bashkë të gjitha pjesët e foshnjës, ende përshkruhet si një mrekulli, diçka që njeriu nuk e kupton dot plotësisht.​—Psalmi 139:13-16.

Lindja shihet si gjë e zakonshme, pasi çdo ditë bëhen qindra mijë lindje. Prapëseprapë, për shumë veta ende është e pabesueshme të kthehet në jetë një njeri që ka jetuar më parë. Kur disa njerëz po vajtonin për vdekjen e një vajze të vogël, Jezui u tha se ajo po flinte, duke nënkuptuar se mund ta zgjonte nga gjumi i vdekjes. Atëherë, «ata nisën ta qeshnin me qesëndi». Por Jezui i tha vajzës së vdekur: «‘Ngrihu!’ Menjëherë vashëza u ngrit e nisi të ecte.» Pastaj thuhet: «Sakaq ata [që ishin aty] mbetën gojëhapur, të pushtuar nga një gëzim i madh.»​—Marku 5:39-43; Luka 8:51-56.

Kur Jezui kërkoi të hiqej guri nga varri i mikut të tij të dashur, Lazarit, Marta, një nga motrat e Lazarit, kundërshtoi: «Tani trupi duhet të mbajë erë, se kjo është dita e katërt.» Por ç’gëzim i pushtoi kur Jezui e ktheu Lazarin në jetë! (Gjoni 11:38-44) Shumë veta i dinin mrekullitë e Jezuit. Kur Gjon Pagëzori ishte në burg, dishepujt e vet i treguan veprat e Jezuit: «Të vdekurit po ngrihen.»​—Luka 7:22.

Sërish në jetë falë ringjalljes

Pse i kreu Jezui ato mrekulli, përderisa ata që ringjalli u sëmurën dhe vdiqën prapë më vonë? Me këtë ai tregoi se njerëzimit mund dhe do t’i kthehet ajo që humbi Adami i parë: jeta e përhershme në një tokë parajsore. Ringjalljet që kreu Jezui treguan si do bëhet e mundur që miliona njerëz «të trashëgojnë tokën» dhe «të banojnë përgjithmonë në të».—Psalmi 37:29.

Lajmi i gëzuar është se mund të jemi mes atyre që kanë perspektivën madhështore për të jetuar përgjithmonë, nëse tregojmë ‘përkushtim hyjnor’. Bibla thotë se ky përkushtim «mban premtimin jo vetëm të kësaj jete, por edhe të jetës që do të vijë». Kjo ‘jetë që do të vijë’ quhet edhe ‘jeta e vërtetë’.​—1 Timoteut 4:8; 6:19; The New English Bible.

Le të shohim si do të jetë kjo jetë që do të vijë, jeta e vërtetë në një botë të re e të drejtë.