Të rinjtë pyesin
Si ta lehtësoj stresin në shkollë?
«Stresi në shkollë nuk pakësohet kur rritesh, thjesht ndryshojnë shkaqet e tij.»—Xhejmsi, Zelanda e Re. *
«Kisha kaq shumë stres në shkollë saqë shpesh më vinte të qaja e të ulërija në të njëjtën kohë.»—Sharoni, Shtetet e Bashkuara.
A TË duket se prindërit nuk e kuptojnë sa shumë strese ke në shkollë? Vërtet, ata mund të të thonë se nuk ke ndonjë kredi për të shlyer, një familje për të mbajtur a ndonjë punëdhënës që duhet t’i shkosh pas avazit. Megjithatë, mbase mendon se edhe ti kalon po aq stres në shkollë sa prindërit, në mos më shumë.
Edhe vetë vajtja e kthimi nga shkolla mund të jenë stresues. «Në autobusin e shkollës shpesh plaste sherri,—thotë Tara që jeton në Shtetet e Bashkuara.—Shoferi ndalonte dhe na zbriste të gjithëve. Si përfundim vonoheshim gjysmë ore a më shumë.»
A merr fund stresi sapo vë këmbën në shkollë? Si zor. Ndoshta edhe ti je ndier si të rinjtë më poshtë.
Stresi nga mësuesit.
«Mësuesit duan që të jem as dhe të marr nota të larta. Ndihem nën presion që t’u pëlqej atyre.»—Sandra, Fixhi.
«Mësuesit i nxitin nxënësit të shkëlqejnë në mësime, sidomos nëse nxënësi ka ndonjë prirje. Ata na bëjnë shumë presion që të kemi sukses.»—Eprila, Shtetet e Bashkuara.
«Edhe po të kesh synime që ia vlejnë në jetë, ca mësues të bëjnë të ndihesh sikur je kot fare, nëse nuk vë ato synime për shkollën që duhet të ndjekësh sipas tyre.»—Naomi, Shtetet e Bashkuara.
Si ndikon te ti stresi nga mësuesit?
Stresi nga moshatarët.
«Në shkollë të mesme, nxënësit janë më të lirë e më rebelë. Në rast se nuk bashkohesh me grupin, nuk ta varin.»—Kevini, Shtetet e Bashkuara.
«Përditë has tundime për të pirë e për të bërë seks. Nganjëherë mezi i rezistoj dëshirës që të bëj si të tjerët.»—Aaroni, Zelanda e Re.
«Tani që jam 12 vjeçe, stresi më i madh për mua është presioni për t’u lidhur me dikë. Të gjithë në shkollë më thonë: ‘Hë, kur do të gjesh edhe ti ndonjë?’»—Aleksandria, Shtetet e Bashkuara.
«Më bënin presion të dilja me një djalë. Kur nuk pranova, më vunë vulën si lezbike. Dhe imagjino që kjo ndodhi kur isha vetëm dhjetë vjeçe.»—Krista, Australi.
Si ndikon te ti stresi nga moshatarët?
Stresi si do të reagojnë shokët e klasës ndaj bindjeve të tua fetare.
«Është e vështirë t’u thuash shokëve të klasës ç’bindje fetare ke, se nuk e di çfarë do të mendojnë për ty pastaj. Ke frikë se mos të të tregojnë me gisht si njeri i çuditshëm.—Karola, Havai.
«Në tetëvjeçare dhe në gjimnaz, nxënësit jepen pas drogës, seksit dhe pijes. Është vërtet stresuese, se ti nuk do që të tjerët të të vënë në lojë ngaqë je ndryshe, sepse ndjek normat e Biblës.»—Suzana, Shtetet e Bashkuara.
Si ndikon te ti reagimi ndaj bindjeve të tua fetare?
Shkaqe të tjera stresi.
Shëno cili ndikon më shumë te ti ose shkruaj ndonjë tjetër që ndikon.
-
Provimet
-
Detyrat e shtëpisë
-
Kërkesat e tepruara të prindërve
-
Kërkesat e tepruara që ke ndaj vetes
-
Kur të bien në qafë ose kur ke ngacmime seksuale
-
Të tjera ․․․․․
Pesë hapa për të pakësuar stresin
Për të qenë realistë, s’mund të presësh që vitet e shkollës t’i kalosh pa pikë stresi. Megjithatë, duhet pranuar se stresi i tepërt është shtypës. Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Shtypja mund ta bëjë të mençurin të veprojë çmendurisht.» (Eklisiastiu 7:7) Por nuk duhet ta lësh stresin të të çojë deri në këtë pikë. Çelësi është të mësosh ta mbash nën kontroll.
Përballimi i stresit është si ngritja e peshave. Që t’ia dalë mbanë, një peshëngritës duhet të përgatitet siç duhet. Ai i ngre në mënyrën e duhur dhe nuk ngre pesha tepër të rënda. Nëse ndjek këta hapa, krijon muskuj të fortë pa e dëmtuar trupin. Nga ana tjetër, në qoftë se nuk vepron kështu, ai mund të këputë mish ose të thyejë ndonjë kockë.
Edhe ti mund t’i përballosh streset që has dhe t’i kryesh detyrat që duhet të bësh pa e dëmtuar veten. Si? Ndiq hapat e mëposhtëm:
-
Përcakto shkaqet e stresit. «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet»,—thotë një proverb i mençur. (Proverbat 22:3) Por nuk mund të mbrohesh nga stresi shtypës nëse nuk përcakton më parë shkakun e tij. Pra, hidhi një sy asaj që shkrove më sipër. Cili nga shkaqet ndikon më shumë te ti?
-
-
Përgatitu si të përgjigjesh. Nëse je i stresuar se si do të reagojnë shokët e klasës kur të marrin vesh bindjet e tua fetare, mos prit derisa të të ngacmojë dikush dhe pastaj të mendosh si të përgjigjesh a si të reagosh. (Proverbat 29:25) Kelsi 18-vjeçare thotë: «Ajo që më ndihmoi t’ia dilja mbanë ishte se përgatitesha që më parë për situatën. E kisha ndarë mendjen se si do t’i shpjegoja bindjet e mia.» Kështu vepronte edhe Aaroni, një 18-vjeçar në Belgjikë. Ai thotë: «Mendoja më përpara se çfarë pyetjesh mund të më bënin dhe përgatitja përgjigjet. Po të mos kisha bërë kështu, nuk do të guxoja të flitja për gjërat që besoj.»
-
Mos i zvarrit gjërat. S’para ndodh që problemet të zhduken po t’i shpërfillësh. Përkundrazi, zakonisht rëndohen, e kështu të shtojnë stresin. Për shembull, nëse je Dëshmitar i Jehovait, mund të jetë një mbrojtje po t’ua bësh të ditur të tjerëve sa më shpejt të jetë e mundur. Marsha, që tani është 20 vjeçe, thotë: «Me të filluar viti i ri shkollor, e hapja bisedën rreth ndonjë teme që e dija se do të më krijonte mundësi të shpjegoja normat e mia të bazuara në Bibël. Pashë që sa më shumë e shtyja për t’u identifikuar si Dëshmitare, aq më të vështirë e kisha. Ishte vërtet një ndihmë kur ua thosha që në fillim bindjet e mia dhe pastaj jetoja sipas tyre gjatë gjithë vitit.»
-
Kërko ndihmë. Edhe peshëngritësi më i fortë ka kufizimet e veta. Po kështu edhe ti. Por nuk ke pse e mban vetëm barrën. (Galatasve 6:2) Përse të mos bisedosh me prindërit ose me bashkëbesimtarë të tjerë të pjekur? Tregoju përgjigjet që shkrove më sipër në këtë artikull. Diskuto me ta si mund të të ndihmojnë të përballosh disa nga këto presione. Lizi nga Irlanda i tregoi të atit se kishte frikë mos e tallnin për bindjet e saj fetare. Ajo thotë: «Çdo ditë, babi lutej me mua para se të më çonte në shkollë. Kjo gjithnjë më jepte siguri.»
Stres i mirë?
Mbase e ke të vështirë ta besosh, por fakti që ke njëfarë stresi është gjë e mirë. Pse? Tregon se je i papërtuar dhe se ndërgjegjja jote nuk po fle. Vër re si e përshkruan Bibla njeriun që duket se nuk ka kurrfarë stresi: «Deri kur do të rrish shtrirë, o përtac? Kur do të çohesh nga gjumi? Fli edhe pak, dremit edhe pak, rri edhe pak me duart kryq për të pushuar, dhe varfëria jote ka për të ardhur si një kusar bredhacak.»—Proverbat 6:9-11.
Hajdi 16-vjeçare e thotë bukur me dy fjalë: «Shkolla mund të duket një vend i tmerrshëm, por presionet që ke atje janë po ato që do të kesh kur të hysh në punë.» Vërtet, nuk është e lehtë të kalosh strese. Gjithsesi, po ta përballosh siç duhet stresin, nuk do të të dëmtojë. Përkundrazi, mund të të bëjë njeri më të fortë.
^ par. 3 Në këtë artikull disa emra janë ndryshuar.
PËR TË MENDUAR
-
Cilat shenja mund të tregojnë se po kalon strese?
-
Pse po të kërkosh përsosmëri vetëm sa do ta shtosh stresin?
-
Me kë mund të flasësh nëse po të mbyt stresi?