Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fëmijët dhe Interneti: Çfarë mund të bëjnë prindërit?

Fëmijët dhe Interneti: Çfarë mund të bëjnë prindërit?

Fëmijët dhe Interneti: Çfarë mund të bëjnë prindërit?

ÇFARË do të të stresonte më shumë si prind: që djali a vajza të kishte çelësat e makinës apo që ta përdorte pa kufizime Internetin? Në të dyja rastet ekziston njëfarë rreziku dhe në të dyja rastet kërkohet njëfarë përgjegjësie. Prindërit nuk mund t’i ndalojnë përgjithmonë fëmijët që t’i japin makinës, por mund të sigurohen që fëmijët të mësojnë t’i japin me kujdes. Po kështu, shumë prindër i mësojnë fëmijët ta përdorin Internetin me kujdes. Parimet biblike të mëposhtme të ndihmojnë për këtë.

«Njeriu mendjehollë do të veprojë sipas njohurisë.» (Proverbat 13:16) Prindërit, fëmijët e të cilëve e përdorin Internetin, duhet të kenë një njohuri bazë për Internetin. Duhet të dinë se çfarë bëjnë fëmijët kur komunikojnë me mesazhe të çastit, kur enden nëpër faqet e Internetit ose kur përdorin shërbime të tjera në Internet. «Mos nxirr përfundimin se s’ke moshë për të mësuar ose s’ke shkollë sa duhet,—thotë Marsheja që ka dy fëmijë.—Informohu për gjërat e reja të teknologjisë.»

«Duhet të vësh parmak rreth tarracës, që të mos bjerë njeri.» (Ligji i përtërirë 22:8, The Amplified Bible) Ata që sigurojnë shërbimet në Internet dhe krijojnë programet kompjuterike, mund të ofrojnë disa programe bllokuese dhe filtruese. Këto shërbejnë si ‘parmakë’ që bllokojnë daljen e papritur të mesazheve të papërshtatshme dhe hyrjen në site të dëmshme. Madje disa programe nuk i lejojnë fëmijët të japin të dhëna personale, si emrin apo adresën. Gjithsesi, duhet kuptuar se këta filtra nuk pengojnë çdo lloj informacioni të dëmshëm. Gjithashtu, mjaft fëmijë më të rritur që janë bërë ekspertë për kompjuterët, mësojnë si t’u shpëtojnë këtyre pengesave dhe filtrave.

«Kush veçohet, kërkon të plotësojë dëshirat e veta egoiste. Ai tërbohet kundër gjithë mençurisë.» (Proverbat 18:1) Nga një studim në Mbretërinë e Bashkuar u zbulua se afro një në pesë të rinj të moshës nga 9 deri në 19 vjeç e përdornin Internetin në dhomën e tyre. Kur kompjuteri vendoset në një dhomë me lëvizje, prindërit e kanë më të lehtë të mbikëqyrin se çfarë po bëjnë fëmijët e tyre në Internet, dhe fëmijët stepen të futen në site të padëshirueshme.

«Vazhdoni të shikoni me kujdes që mënyra se si ecni, të mos jetë si të pamendët, por si të mençurit, duke blerë kohën e duhur për veten tuaj, sepse ditët janë të liga.» (Efesianëve 5:15, 16) Vendos kur mund ta përdorin fëmijët Internetin, sa kohë do të rrinë aty, si edhe në ç’lloj sitesh mund e nuk mund të hyjnë. Bisedo me fëmijët për këto rregulla dhe sigurohu që t’i kuptojnë.

Natyrisht, fëmijët nuk i mbikëqyr dot kur janë jashtë shtëpisë. Prandaj është e rëndësishme t’u ngulitësh parimet e duhura, që të marrin vendime të mençura kur ti nuk je i pranishëm. * (Filipianëve 2:12) Shpjegoju qartë ç’pasoja do të kenë po të shkelin rregullat që ke vënë për Internetin. Pastaj bëj çmos t’i zbatojnë këto rregulla.

«[Një nënë e mirë] mbikëqyr se si shkon shtëpia e saj.» (Proverbat 31:27) Kontrolloji fëmijët kur përdorin Internetin dhe bëjua të qartë se do ta bësh një gjë të tillë. Kjo nuk është shkelje e privacitetit të tyre. Mbaj mend se Interneti është një vendtakim publik. Byroja Federale e Hetimeve në Shtetet e Bashkuara këshillon që prindërit të kenë të dhënat për t’u futur në faqet e Internetit që përdorin fëmijët dhe hera-herës të kontrollojnë postën e tyre elektronike e sitet që kanë vizituar.

«Aftësia për të menduar do të të ruajë, aftësia dalluese do të të mbrojë, për të të çliruar nga udha e keqe, nga njeriu që thotë mbrapshti.» (Proverbat 2:11, 12) Ajo që arrihet nga mbikëqyrja dhe kontrolli i fëmijëve është disi e kufizuar. Parimet që u mëson dhe shembulli që lë, bëjnë shumë më tepër për të mbrojtur fëmijët e tu. Prandaj, rezervo kohë për të diskutuar me fëmijët rreth rreziqeve të Internetit. Komunikimi i hapur me fëmijët është mbrojtja më e mirë ndaj rreziqeve të Internetit. Tomi, një baba i krishterë, thotë: «Folëm me të dy djemtë për njerëzit ‘e këqij’ në Internet. Veç kësaj u shpjeguam çfarë është pornografia, përse nuk duhet ta shohin dhe përse nuk duhet të komunikojnë kurrë me të panjohur.»

Ti mund t’i mbrosh fëmijët

Duhen përpjekje për t’i mbrojtur fëmijët nga rreziqet e Internetit, dhe ndërkohë mjetet elektronike për t’u lidhur me median janë gjithnjë në ndryshim. Metodat e reja teknologjike mund t’u hapin mundësi të jashtëzakonshme dhe rreziqe të papara fëmijëve. Si mund t’i përgatitin prindërit fëmijët për rreziqet e ardhshme? Bibla thotë: «Mençuria është mbrojtje njëlloj siç është edhe paraja.»—Eklisiastiu 7:12.

Ndihmoji fëmijët të bëhen të mençur, të kuptojnë si t’i shmangin rreziqet në Internet dhe ta përdorin atë me përgjegjësi. Në këtë mënyrë Interneti mund të shërbejë si një mjet që nuk do të kërcënojë sigurinë e fëmijëve të tu.

[Shënimi]

^ par. 7 Prindërit duhet të mbajnë parasysh se shumë të rinj lidhen me Internetin nëpërmjet celularit, pajisjeve të tjera elektronike portative, madje edhe nëpërmjet disa pajisjeve për videolojëra.

[Diçitura në faqen 8]

Në Mbretërinë e Bashkuar 57 për qind e fëmijëve dhe të rinjve të moshës 9 deri në 19 vjeç që përdorin Internetin çdo javë, kanë hasur pamje pornografike. Por, vetëm 16 për qind e prindërve besojnë se fëmija i tyre ka parë pornografi në Internet

[Diçitura në faqen 9]

Sipas specialistëve, 750.000 maniakë enden çdo ditë në Internet që të zhbirojnë dhomat e bisedave dhe shërbimet për të njohur dikë të seksit tjetër

[Diçitura në faqen 9]

Në Shtetet e Bashkuara 93 për qind e adoleshentëve të moshës 12 deri në 17 vjeç përdorin Internetin

[Figura në faqet 8, 9]

A mund t’i mësosh fëmijës si ta përdorë Internetin me kujdes?