Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Porto-Rikoja: Pasuri të kredhura në diell

Porto-Rikoja: Pasuri të kredhura në diell

Porto-Rikoja: Pasuri të kredhura në diell

MË DATËN 19 nëntor 1493, Kristofor Kolombi me një flotë spanjolle mbërriti në gjirin e një ishulli plot gjelbërim në Karaibe. Kur ishte atje, ai e quajti ishullin San-Huan Bautista (Shën Gjon Pagëzori). Pas një ndalese të shkurtër për t’u furnizuar, vazhdoi lundrimin e tij të dytë të zbulimeve.

Plazhet e praruara me palma dhe bimësia tropikale e harlisur nuk i hynin në sy eksploruesit. Kolombi e kishte mendjen te ishuj më të mëdhenj dhe te thesaret që donte të zbulonte me çdo kusht.

Ponse de Leon, një spanjoll që, siç thonë disa, e shoqëronte Kolombin gjatë atij lundrimi, vendosi të kthehej mbrapsht në ishull, të cilin vendësit e quanin Boriken. Ngaqë kishte dëgjuar se vendësit mbanin zbukurime ari, ai besonte se kodrat e ishullit kishin ar. Pas pesëmbëdhjetë vjetësh u kthye të kërkonte arin që pretendonte se i përkiste. Më 1521-shin spanjollët themeluan vendbanimin e tyre kryesor në bregun verior të ishullit. Ponse de Leoni e quajti qytetin e ri Porto-Riko që do të thotë «port i pasur», ngaqë besonte se atje do të gjente pasuri të mëdha. *

Optimizmi i Ponse de Leonit doli pa baza. Ai ar i paktë që u gjet në Porto-Riko shteroi shpejt dhe problemet politike u shtuan. Si përfundim, Ponse de Leoni u nis për në vendin ku sot është shteti i Floridës, SHBA.

Ndonëse në vetvete ishulli fshihte pak pasuri minerare, shpejt spanjollët kuptuan se limani kryesor i Porto-Rikos s’kishte të çmuar. Gjatë shekullit të 16-të ata e kthyen kryeqytetin e ishullit në një port të sigurt, për të mbrojtur galerat që mbanin kallëpe ari nga Amerika për në Spanjë. S’kaloi shumë dhe San-Huani u njoh si «baza më e fortë e Spanjës në Amerikë».

Muret e forta, me lartësi 13 metra dhe trashësi 6 metra, si dhe dy kështjellat masive, dëshmojnë për përpjekjet e jashtëzakonshme të banorëve të San-Huanit në mbrojtje të qytetit të tyre. Edhe sot e kësaj dite San-Huani mbetet një nga portet e preferuara të turistëve që shkojnë në Karaibe. Vizitorët mund të përfytyrojnë si ishte jeta e kolonive teksa shëtitin përgjatë mureve të qytetit dhe eksplorojnë ndërtesat e lashta.

Vizitë në San-Huanin e Vjetër

Pjesa e qytetit rrethuar me mure, e njohur si San-Huani i Vjetër, bën kontrast me metropolin e zhurmshëm modern përqark tij. San-Huani i Vjetër duket si anije në oqean. Thuajse krejt i rrethuar nga deti, kepi i tij ose «bashi» zgjatet krenar drejt Atlantikut. Në këtë kep strategjik ngrihet El Moro, fortesa spanjolle që mbronte hyrjen për në liman. Pas El Moros ngrihen fortifikata në të dyja brigjet e istmit të ngushtë. Rreth 1 kilometër e gjysmë më në lindje ndodhet një fortesë tjetër gjigante, San Kristobali, që shërbente për të mbrojtur «kiçin» ndaj çdo sulmi të mundshëm nga toka. Midis dy fortesave shtrihet San-Huani i Vjetër i shpallur pjesë e Trashëgimisë Botërore nga UNESCO në vitin 1983.

Qyteti i vjetër është restauruar me merak. Banorët i lyejnë shtëpitë me ngjyra të ëmbla e të gëzueshme, i stolisin me lule shumëngjyrëshe ballkonet e tyre të punuara me hekur dhe i mbushin oborret me bimë tropikale. Kalldrëmi i hirtë në të kaltër që shtron rrugicat e ngushta të San-Huanit vinte nga minierat e hekurit në Spanjë. Poplat e kalldrëmit bëheshin me skoriet e minierave dhe përdoreshin si balast në anijet spanjolle që shkonin në Porto-Riko.

Mbi fortifikatat e San Kristobalit topat e lashtë spanjollë ende vigjilojnë mbi port. Vendin e galerave spanjolle, dikur të mbushura me ar, sot e zënë anijet gjigante të mbushura me turistë që vijnë shpesh në port. Atmosfera e paqtë dhe përzemërsia e banorëve të ishullit e bëjnë qytetin edhe më të dashur për turistët. Në qytetin e vjetër këmbësorët akoma kanë përparësi, kështu që shoferët shpesh presin me durim teksa turistët fiksojnë aty-këtu çaste nga pushimet.

Katër ekosisteme të çmuara që ia vlen të mbrohen

Ndonëse një e treta e popullsisë së ishullit jeton në zonën e San-Huanit, Porto-Rikoja ka edhe shumë vende të tjera interesante. Mbase ishulli është disi i vogël, por klima dhe topografia e tij e larmishme e bëjnë një strehë për florën dhe faunën. Më poshtë janë renditur vetëm katër nga ekosistemet e rralla që autoritetet e Porto-Rikos po bëjnë çmos t’i mbrojnë.

Pylli Kombëtar i El Junkes është një rezervat ku mbrohet një nga të paktat pyje tropikale të shiut që kanë mbetur në Karaibe. Ujëvarat zbukurojnë shpatet e tij. Lulet portokalli të bimëve ananasngjashme e bëjnë të qeshur bimësinë e gjelbër të pyjeve të shiut, kurse fieret gjigante konkurrojnë me lianet dhe palmat, kush e kush të zërë më shumë vend. Ndonëse në rrezik, papagalli portorikan lufton për mbijetesë në këtë vend, kurse koki—bretkosa e vockël e pemëve, simbol i Porto-Rikos—i jep ritëm pyllit, me kuakjet e saj melodioze e të pareshtura.

Nga larg, shpatet e El Junkes duken sikur kanë hedhur vello të argjendtë. Ngjyrën ia japin gjethet e pemës së jagrumos, një lloj që u shtua pas shkatërrimit që solli disa vjet më parë uragani Hugo. Bimët e reja janë shenjë e mirë. Një biolog i parkut shpjegoi: «Pylli mund të rimëkëmbet nga katastrofat natyrore pa shumë ndihmë. Rreziku i vërtetë është cenimi nga njeriu.» Në park rriten rreth 225 lloje pemësh, 100 lloje fieresh dhe 50 lloje orkidesh. Për shkak të larmisë së florës, ai është klasifikuar si një Rezervat Biosfere i Kombeve të Bashkuara.

Rezervati i Biosferës i Guanikës. Ka mundësi që në botë të ketë mbetur vetëm 1 për qind e pyjeve të thata tropikale. Megjithatë vetëm pak orë larg me makinë nga El Junke, ekziston një ekzemplar i shkëlqyer. Në Guanikë rriten shumica e zogjve karakteristikë të Porto-Rikos, si edhe 750 lloje bimësh, 7 për qind e të cilave janë në rrezik. Lulet e veçanta tërheqin kolibrat dhe një mori fluturash. Në kufi të pyllit të thatë ndodhet një rrip plazhesh të virgjëra, ku breshkat e gjelbra të detit dhe breshkat e detit me kurriz lëkuror vijnë për të shtruar vezët.

Mangrovat dhe shkëmbinjtë koralorë. Rezervati i Guanikës ka edhe një brez me pyll mangrove përgjatë bregut. «Rezervati ynë ndihmon që mangrovat të jenë të shëndetshme, pasi këtu nuk ka ujë reshjesh me mbeturina industriale a bujqësore,—shpjegon një nga rojat e parkut.—Veç kësaj, mangrovat krijojnë një terren të shkëlqyer ku mund të shumohen mjaft peshq që popullojnë shkëmbinjtë koralorë.» Këto mangrova të pastra janë jetësore për disa nga vendet e preferuara të turistëve: gjiret vezulluese, disa prej të cilave gjenden në Porto-Riko.—Shih kutinë poshtë.

Shkëmbinjtë koralorë në breg i kanë shpëtuar peshkimit në masë dhe disa ishuj e shkëmbinj koralorë të nënujshëm janë kthyer në parqe kombëtare. Këto kopshte nënujore janë një spektakël i shkëlqyer për zhytësit, që mund të shohin ballë për ballë breshkat dhe lopët e detit, si edhe një larmi peshqish shumëngjyrësh.

Ndonëse Porto-Rikoja nuk ia mbushi syrin Kolombit dhe i zhgënjeu pushtuesit e etur për pasuri, ai i kënaq vizitorët e ditëve tona. Për ta, Porto-Rikoja ka një mal pasurish natyrore.

[Shënimi]

^ par. 4 S’kaloi shumë dhe një keqkuptim mes hartografëve bëri që emri i ishullit të ngatërrohej me qytetin e tij kryesor. Që prej asaj kohe, me emrin Porto-Riko është njohur ishulli dhe jo kryeqyteti San-Huan.

[Kutia dhe figura në faqen 16]

NJË OBSERVATOR I PASHOQ

Ia vlen të vizitosh Observatorin e Aresibos, rreth 80 km në perëndim të San-Huanit. Aty gjendet radioteleskopi më i madh i botës, me një antenë parabolike ose antenë pasqyrimi në formë kupe me diametër 305 metra. Përmasat e këtij teleskopi u krijojnë mundësi astronomëve të vrojtojnë objekte që s’mund të diktohen nga teleskopët e tjerë.

[Burimi]

Me mirësjellje nga Arecibo Observatory/​David Parker/​Science Photo Library

[Kutia dhe figura në faqen 17]

‘LAHEN NË YJE’

Në Ishullin e Viekesit, afër Porto-Rikos, është një gji i vogël, i njohur si Gjiri Biovezullues. Ky gji e ka marrë këtë emër ngaqë thuhet se ka dendësinë më të madhe në botë të gjallesave ujore fosforeshente. Sa herë që këto krijesa të vockla, të njohura si dinoflagjelatë, shqetësohen, ato marrin një vezullim ngjyrë gurkali. Kjo veçori krijon një nga spektaklet më të rralla të natyrës.

Gjëja e parë që u bie në sy vizitorëve që vijnë në lagunë natën, është vezullimi i peshqve të trembur tek i largohen varkës së tyre. Vragat që lënë pas peshqit ndriçojnë në ujërat e errëta si meteorë të gjelbër. Kur notarët futen në ujë, në errësirë duket çdo lëvizje e tyre. Kur nxjerrin krahët nga uji, prej tyre bien pikla si të ishin yje vezulluese. Një vizitor tha i entuziazmuar: «Është sikur të lahesh në yje.»

[Figura në faqen 15]

El Moro

[Figura në faqen 15]

Pamje e qytetit të vjetër, marrë nga San Kristobali

[Figura në faqen 15]

San-Huani i Vjetër

[Figura në faqen 16]

Pemë fieri në pyllin e shiut në El Junke

[Figura në faqet 16, 17]

Vija bregdetare në Guanikë

[Burimi]

© Heeb Christian/​age fotostock

[Figura në faqen 17]

Papagaj portorikanë

[Figura në faqen 17]

Shkëmb koralor

[Burimi i figurës në faqen 14]

Passport Stock/​age fotostock

[Burimi i figurës në faqen 15]

Të gjitha fotografitë: Passport Stock/​age fotostock

[Burimet e figurave në faqen 17]

Papagajtë: U.S. Geological Survey/​fotografi nga James W. Wiley; shkëmbi koralor: © Stuart Westmorland 2005; notari: Steve Simonsen