Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinjtë pyesin

Si të reagoj ndaj kufizimit të orarit?

Si të reagoj ndaj kufizimit të orarit?

Kthehesh në shtëpi pas një mbrëmjeje me shokët. Është bërë vonë. E ke shkelur orarin dhe tani duhet t’u japësh llogari prindërve. Ngurron të hysh brenda. «Mbase babin dhe mamin i ka zënë gjumi»,—shpreson. E hap derën ngadalë dhe ja tek i ke para syve. Ata shohin orën dhe presin t’u japësh shpjegime.

A JE gjendur ndonjëherë në rrethana të tilla. A ndodh të bësh fjalë me prindërit, ngaqë nuk je dakord për orarin që të vënë ata? Debora 17-vjeçare thotë: «Jetojmë në një zonë pak a shumë të sigurt, por mesnata duhet të më zërë në shtëpi se përndryshe prindërit alarmohen.» *

Pse është kaq e vështirë t’u bindesh prindërve kur të kufizojnë orarin? A është e gabuar të duash më shumë liri? Si t’ia bësh kur prindërit janë të rreptë për respektimin e orarit?

Problemet

Kufizimi i orarit mund të jetë mjaft acarues, sidomos kur duket se të prek jetën shoqërore. Natasha 17-vjeçare thotë: «E kam vdekje kur më vënë orar. Një herë prindërit e dinin se po shikoja një film me shoqërinë pak shtëpi më tutje. Prapëseprapë, vetëm se u bëra dy minuta vonë, më morën në telefon pse s’isha kthyer akoma.»

Stejsi nxjerr një problem tjetër. Ajo thotë: «Duhej të isha në shtëpi para se mami dhe babi të shkonin të flinin. Nëse qëllonte të më prisnin, ishte e sigurt se do t’i gjeja telef dhe gjithë nerva.» Ç’ndodhte pastaj? «Më bënin të ndihesha fajtore,—thotë Stejsi.—Më vinte plasja. S’e merrja vesh pse nuk shkonin të flinin!» Ky konflikt mund të të bëjë të ndihesh si Keti 18-vjeçare që thotë: «Do të doja që prindërit të kishin më shumë besim tek unë e të mos ndihem sikur po i detyroj të më japin më shumë liri.»

Mbase edhe ti je ndier si të rinjtë më sipër. Nëse po, bëji vetes këtë pyetje:

Pse më pëlqen të kaloj kohë jashtë shtëpisë?

  • Më bën të ndihem i pavarur.

  • Më lehtëson stresin.

  • Kam mundësi të rri me shoqërinë.

Këto arsye janë më se normale. Është krejt e natyrshme të duash më shumë pavarësi tek rritesh dhe zbavitjet e dobishme mund të jenë çlodhëse. Për më tepër, Bibla na nxit të lidhim shoqëri të mira. (Psalmi 119:63; 2 Timoteut 2:22) Kjo mund të jetë e vështirë nëse duhet të rrish gjithë ditën në shtëpi.

Si mund ta kesh një liri të tillë kur të kanë vënë një orar që të duket tepër kufizues? Shqyrto sa vijon.

Vështirësia nr. 1: Orari që të kanë vënë të bën të ndihesh kalama.

«Më dukej vetja bebe ngaqë ua prishja mbrëmjen të tjerëve, që dikush të më çonte në shtëpi herët»,—kujton Andrea që tani është 21 vjeçe.

Ç’mund të të ndihmojë? Ta zëmë se do të marrësh patentën. Në disa vende ligji vë kufizime se ku, kur ose me kë mund ta ngasësh makinën, të paktën deri në njëfarë moshe. A do të vendosje të mos e merrje patentën duke thënë: «O të kem liri të plotë, o s’e dua hiç patentën.» Sigurisht që jo. Marrjen e patentës do ta shihje si arritje të madhe.

Po kështu, mundohu ta shohësh orarin që të vënë prindërit si shenjë përparimi, një hap përpara në drejtimin e duhur. Mos u përqendro te kufizimet, por te liria që të është dhënë. A nuk ke më shumë liri tani sesa kur ishe më i vogël?

Pse të ndihmon kjo? E ke më të lehtë ta pranosh kufizimin e orarit nëse e sheh si mundësi dhe jo si pengesë. Po ta respektosh sot, mund të të japin më shumë liri nesër.​—Luka 16:10.

Vështirësia nr. 2: Nuk arrin të kuptosh pse duhet të kthehesh kaq herët.

Niki, që dikur s’duronte dot t’ia kufizonin orarin, thotë: «Mendoja se mami vinte rregulla vetëm ngaqë i kishte qejf.»

Ç’mund të të ndihmojë? Zbato parimin e Proverbave 15:22, i cili thotë: «Planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim, por përmbushen aty ku ka shumë këshilltarë.» Diskutoje me qetësi këtë çështje me prindërit. Përpiqu të kuptosh përse të kanë caktuar atë orar. *

Pse të ndihmon kjo? Po të dëgjosh arsyet e prindërve, mund të kuptosh shumë. «Babi më tha se mamin nuk e zinte gjumi derisa unë të kthehesha shëndoshë e mirë,​—thotë Stiveni.—Kurrë nuk më kishte shkuar në mendje kjo.»

Mbaj parasysh: gjithnjë është më mirë të bisedosh me qetësi për problemet, sesa të shfrysh me zemërim, dhe kjo do të sillte patjetër pasoja. «Kam parë se po të shpërthej me prindërit zakonisht nuk më lënë as për gjëra të tjera që i kam qejf»,​—thotë Natasha e përmendur më sipër.

Vështirësia nr. 3: Të duket sikur prindërit të kontrollojnë jetën.

Nganjëherë prindërit thonë se rregullat në familje​—ku përfshihet edhe orari i kufizuar—​janë për të mirën tënde. «Kur prindërit ma thonë këtë,​—tregon Brendi 20-vjeçar,—​më duket sikur nuk duan të bëj zgjedhjet e mia dhe të shpreh mendimin tim.»

Ç’mund të të ndihmojë? Mund të ndjekësh këshillën e Jezuit te Mateu 5:41: «Nëse dikush të detyron të ecësh me të një kilometër, shko me të dy kilometra.» Ashli dhe i vëllai kanë gjetur një mënyrë praktike për ta zbatuar këtë parim. Ajo thotë: «Zakonisht mundohemi të kthehemi në shtëpi 15 minuta më herët.» A mund të vësh edhe ti një synim të tillë?

Pse të ndihmon kjo? Gjërat i bëjmë më me kënaqësi kur i bëjmë sepse duam, jo thjesht sepse duhet. Mendo për këtë: kur vendos të kthehesh në shtëpi pak më shpejt, je ti që e ke nën kontroll kohën tënde. Gjithashtu mund të kujtosh këtë parim: «Vepra jote e mirë të mos jetë me detyrim, por me vullnet të lirë.»​—Filemonit 14.

Kur kthehesh herët në shtëpi, fiton edhe besimin e prindërve, dhe kjo shpesh çon në më shumë liri. Uejdi 18-vjeçar thotë: «Po t’ua fitosh besimin prindërve, do të ta lirojnë ca rripin.»

Shkruaj ndonjë vështirësi tjetër që ke nga kufizimi i orarit.

Ç’mund të të ndihmojë ta kalosh këtë vështirësi?

Pse mendon se kjo të ndihmon?

Do të vijë dita që do të largohesh nga shtëpia dhe do të kesh liri sa të duash. Por ndërkohë ki durim. «Mbase nuk ke liri për gjithçka që dëshiron,—thotë Tifania, tani 20-vjeçare.—Por po të mësosh të respektosh kufizimet, nuk do të vuash gjithë adoleshencën.»

^ par. 4 Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.

^ par. 21 Për disa sugjerime shih artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Pse duhen gjithë këto rregulla?» në revistën Zgjohuni! të dhjetorit 2006.

PËR TË MENDUAR

  • Si e tregon merakun që kanë prindërit për ty kufizimi i orarit?

  • Nëse e ke shkelur orarin, si ta fitosh prapë besimin e prindërve?