Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jeta e gjatë: A gjendet sekreti në Okinavë?

Jeta e gjatë: A gjendet sekreti në Okinavë?

Jeta e gjatë: A gjendet sekreti në Okinavë?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË JAPONI

▪ Është llogaritur se në vitin 2006, në ishujt e Okinavës, Japoni, kishte afro 740 veta që kishin mbushur të njëqindtat, 90 për qind e të cilëve ishin gra. Këta ishuj kanë 1,3 milionë banorë. Kjo do të thotë se në çdo 100.000 njerëz, rreth 50 i kanë mbushur të njëqindtat, siç tregon Studimi i Njëqindvjeçarëve në Okinavë, drejtuar nga dr. Makoto Suzuki. Në shumë vende të zhvilluara mendohet se raporti është 10 deri në 20 për çdo 100.000 banorë.

Studimi i mësipërm thuhet se është «studimi më i gjatë dhe i pandërprerë në botë i njëqindvjeçarëve». Nga ai u zbulua se «një numër i konsiderueshëm njëqindvjeçarësh [ishin] në formë të shkëlqyer». Për të gjetur arsyen përse, Suzuki dhe ekipi i tij shqyrtuan mënyrën e jetesës dhe formimin gjenetik të më shumë se 900 vetave që i kishin mbushur të njëqindtat, si dhe të shumë banorëve të tjerë të Okinavës, 70 vjeç e sipër. Studiuesit panë se të moshuarit në përgjithësi ishin thatimë, por në formë, arteriet i kishin të pastra dhe kishin përqindje jashtëzakonisht të ulta të rasteve me kancer dhe të sëmundjeve të zemrës. Gjithashtu, ata që ishin nga fundi i të nëntëdhjetave vuanin më pak nga demenca, sesa moshatarët e tyre në vende të tjera të zhvilluara. Cili është sekreti?

Ndër faktorët kryesorë ishte ndërtimi gjenetik, por kishte edhe faktorë të tjerë: mospirja e duhanit, përdorimi me masë i alkoolit dhe ushqimi i shëndetshëm. Ushqimet e banorëve të Okinavës, në përgjithësi janë pak kalorike dhe të pasura me zarzavate, fruta, fibra natyrore dhe yndyrna të mira (omega-3 dhe yndyrna mono-të-pangopura). Veç kësaj, njerëzit kanë zakon të hanë deri sa të ndihen rreth 80 për qind të ngopur. Dr. Bredli Uillkoks, një nga drejtuesit e studimit, thotë: «Duhet të ndalosh së ngrëni sapo të vjen ndjesia e parë e ngopjes. Stomakut i duhen rreth 20 minuta që t’ia tregojë këtë trurit.»

Banorët e Okinavës e mbajnë trupin në lëvizje me anë të kopshtarisë, ecjes së përditshme, valleve tradicionale ose aktiviteteve të tjera. Studimi i personalitetit tregoi se njëqindvjeçarët ishin optimistë dhe përshtateshin kollaj. E përballonin mirë stresin dhe sidomos gratë «përfshiheshin goxha në jetën shoqërore».

Uillkoksi thotë se «nuk ka ndonjë ilaç magjik» për jetën e gjatë. Siç tregoi edhe studimi, në këtë gjë ndikojnë gjenet, ushqimi, fizkultura, zakonet e mira dhe «përballimi i stresit në mënyrën e duhur».