Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse rrjetat mbeten të zbrazëta?

Pse rrjetat mbeten të zbrazëta?

Pse rrjetat mbeten të zbrazëta?

«Kam parë vite të mbara dhe vite të këqija, por kurrë nuk kam parë një krizë peshkimi si kjo e tanishmja,​—thotë Xhorxhi 65-vjeçar që peshkon në bregun verilindor të Anglisë.​—Çdo gjë është zhdukur: salmoni, trofta, merluci, karavidhet. Çdo gjë.»

XHORXHI nuk është i vetmi që merakoset; lajme të tilla shqetësuese vijnë nga të gjitha oqeanet. Në Peru, Agustini, që është kapiten i një anijeje peshkimi 350-tonëshe, thotë: «Kriza e sardeleve filloi afro 12 vjet të shkuara. Dikur në Peru kishte peshk sa të doje gjatë gjithë vitit, kurse tani shpesh mbetemi pa gjë për muaj të tërë. Kurrë nuk shkonim për peshk më shumë se 25 km larg bregut, por tani shkojmë edhe 300 km larg për të zënë ndonjë gjë.»

Antonioja, që jeton në Galici të Spanjës, thotë: «Kam mbi 20 vjet që peshkoj. Dalëngadalë kam parë si është varfëruar deti. Po i marrim më shumë nga ç’arrin të prodhojë.»

Vërtet, fotografitë e oqeaneve të dëmtuara nga peshkimi pa kriter nuk janë aq dramatike sa ato të pyjeve të shiut të rrafshuara nga buldozerët. Megjithatë, rrënimi është po aq real. Në një paralajmërim rreth peshkimit pa kriter që jepte kohët e fundit Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë thuhej: «Situata është tepër e rëndë dhe e rrezikshme, pasi rreth 75 për qind e zonave të peshkimit në botë tanimë po shfrytëzohen në maksimum, pa kriter ose po shkretohen.»

Peshqit janë burimi kryesor i proteinave shtazore për një të pestën e njerëzimit. Kështu rrezikohet një nga ushqimet më të rëndësishme. Peshqit nuk i gjen me bollëk në çdo pjesë të detit. Ç’është e vërteta, në pjesën më të madhe të oqeaneve nuk ka mjaft gjallesa. Zakonisht vendet më të pasura me peshq janë afër brigjeve dhe në zona ku ka burime uji plot lëndë ushqyese. Këto lëndë ushqejnë fitoplanktonin që është baza e zinxhirit ushqimor detar. Por në ç’mënyrë po i shkatërrojnë peshkatarët vendet e peshkimit nga të cilat sigurojnë jetesën? Historia e njërit nga këto vende na jep përgjigjen.

Nis shkatërrimi nga Cekëtinat e Mëdha

Lundërtari dhe eksploruesi me origjinë italiane Xhon Kaboti * u nis nga Anglia, përshkroi Atlantikun dhe zbuloi Cekëtinat e Mëdha​—një zonë peshkimi në ujëra të cekëta pranë brigjeve të Kanadasë. Atëherë nisi diçka që u ngjante etheve të arit. Kjo ndodhi veçse pesë vjet pas udhëtimit historik të Kristofor Kolombit më 1492. S’kaloi shumë e qindra peshkatarë çanë ujërat e Atlantikut për të peshkuar në Cekëtinat e Mëdha. Asnjë evropian s’kishte parë ndonjëherë ujëra ku gëlonin aq shumë merlucë.

Merluci çmohej si ari. Edhe sot preferohet mjaft në tregun botëror për mishin e bardhë e thuajse fare pa dhjamë. Merluci i Atlantikut zakonisht peshon 1,4-9 kg, mirëpo disa merlucë të Cekëtinave të Mëdha peshonin sa një njeri. Në shekujt që pasuan, peshkatarët zinin më shumë peshq, pasi përdornin rrjeta të mëdha që tërhiqeshin nga peshkarexhat, si dhe toja të gjata me mijëra grepa.

Dëmi i peshkimit për tregti

Në shekullin e 19-të, në Evropë disa shprehën shqetësimin se po varfëroheshin rezervat e peshqve, sidomos ato të harengës. Sidoqoftë, në Ekspozitën Ndërkombëtare të Zonave të Peshkimit që u zhvillua në Londër më 1883-shin, profesor Tomas Haksli, presidenti i Shoqërisë Mbretërore Britanike, tha: «Peshqit janë në sasi kaq marramendëse sa ata që kapim ne thuajse s’kanë peshë fare. . . . Ndaj besoj se zonat e peshkimit të merlucëve . . . e mbase të gjitha zonat e peshkimit në oqeane, janë të pashtershme.»

Pak njerëz e vinin në dyshim pikëpamjen e Hakslit, madje edhe kur në Cekëtinat e Mëdha nisi peshkimi për tregti duke përdorur avulloret. Kërkesa për merluc u rrit, sidomos pas vitit 1925 kur Klarens Bërdsaji nga Masaçusetsi i SHBA-së shpiku një metodë për ngrirjen e shpejtë të peshkut. Në përgjigje të kësaj, peshkatarët zinin më tepër peshk me peshkarexha që punonin me naftë. Mirëpo shfrytëzimi nuk do të mbaronte me kaq.

Një anije me pamje të çuditshme erdhi nga Britania në vitin 1951 që të peshkonte në Cekëtinat e Mëdha. Ishte 85 metra e gjatë, me një kapacitet deri në 2.600 ton. Kjo ishte peshkarexha e parë në botë që bënte në çast ngrirjen dhe paketimin e peshkut. Në kiç kishte një platformë të pjerrët me çikrikë që tërhiqnin rrjetën e saj gjigante. Në kuvertën e poshtme kishte radhë makinerish automatike që bënin fileto peshku, si dhe frigoriferë. Falë radarit dhe aparateve për gjetjen e peshqve me anë të jehonës, anija zbulonte ku kishte tufa peshqish. Kjo punë vazhdonte ditë e natë për javë të tëra.

Edhe kombet e tjera e kuptuan leverdinë tregtare dhe shumë shpejt qindra anije të tilla peshkonin nëpër dete e zinin edhe 200 ton peshq në orë. Kapaciteti i disa anijeve arrinte në 8.000 ton dhe kishin rrjeta që mund të mbështillnin një avion të madh.

Goditja përfundimtare

Në librin Shtrati i oqeanit (anglisht) thuhet: «Në fund të viteve 1970, mjaft njerëz kapeshin ende pas iluzionit se pasuritë e oqeaneve ishin të pashtershme.» Në Cekëtinat e Mëdha, gjatë viteve 1980 sa vinte e shtohej numri i peshkarexhave gjigante. Shkencëtarët paralajmëruan se popullatat e merlucëve ishin buzë shfarosjes. Gjithsesi, dhjetëra mijë veta nxirrnin bukën e gojës nga peshkimi në atë vend, dhe politikanëve s’ua kishte qejfi të shkaktonin pakënaqësi në popull. Më në fund, në vitin 1992, shkencëtarët bënë të ditur se brenda 30 vjetësh popullata e merlucëve kishte pësuar një rënie tronditëse prej 98,9 për qind. Peshkimi i merlucit në Cekëtinat e Mëdha u ndalua. Mirëpo ishte tepër vonë. Njerëzit kishin rrënuar një nga vendet më të pasura me peshq në botë vetëm pesëqind vjet pasi u zbulua.

Peshkatarët shpresonin se shpejt merlucët do të ktheheshin. Por merlucët jetojnë më shumë se 20 vjet dhe e arrijnë ngadalë pjekurinë. Që nga viti 1992, shpresa se gjendja do të përmirësohet nuk është realizuar ende.

Kriza mbarëbotërore e peshkimit

Ajo çka ndodhi në Cekëtinat e Mëdha është shembull alarmues i problemit mbarëbotëror që ka mbërthyer peshkimin. Më 2002-shin, ministri i mjedisit në Britani tha se «sot 60 për qind e rezervave të peshkut në botë janë drejt shfarosjes». Toni, peshku-shpatë, peshkaqeni dhe peshku i shkrepit janë ndër llojet e shumta të rrezikuara.

Mjaft vende të pasura i kanë rrënuar zonat e veta të peshkimit dhe tani janë në kërkim të zonave të largëta, që t’i shfrytëzojnë. Për shembull, në brigjet e Afrikës gjenden disa nga zonat më të pasura me peshq në botë. Shumë qeveritarë të Afrikës e kanë të vështirë të refuzojnë lëshimin e lejeve të peshkimit, pasi ato janë një burim kryesor i valutës së huaj që mbush arkën e shtetit. S’është çudi që vendasit revoltohen ngaqë po varfërohen rezervat e peshkut në vendin e tyre.

Pse vazhdon peshkimi pa kriter?

Për dikë që e sheh problemin nga jashtë, zgjidhja duket e thjeshtë: të ndalohet peshkimi pa kriter. Mirëpo s’është kaq e thjeshtë. Kush peshkon për tregti harxhon një mal para për pajisjet. Kështu, çdo peshkatar shpreson që të tjerët ta lënë peshkimin, dhe të mbetet vetëm ai. Si rrjedhojë, zakonisht asnjëri nuk heq dorë. Veç kësaj, shpesh qeveritë janë investueset më të mëdha të peshkimit, prandaj kanë gisht edhe ato në këtë problem. Në revistën Issues in Science and Technology thuhet: «Shpesh kombet i kanë parë synimet [e OKB-së] për të mbrojtur zonat e peshkimit si një kod moral që duhej respektuar nga kombet e tjera, por që ato vetë mund ta shkelnin.»

Edhe ata që peshkojnë për qejf mbajnë njëfarë përgjegjësie. Ndërsa fliste për një studim të SHBA-së, revista New Scientist thoshte: «Në gjirin e Meksikës peshkohen edhe lloje që janë buzë zhdukjes, e 64 për qind të tyre i zënë ata që peshkojnë për qejf.» Peshkatarët kanë mjaft ndikim në shoqëri​—si ata që peshkojnë për qejf, edhe ata që peshkojnë për tregti​—dhe politikanët në përgjithësi përpiqen të fitojnë votat, jo të mbrojnë rezervat e peshqve.

A mund të mbrohen zonat e peshkimit në mbarë botën? Në librin e tij Oqeani i gjallë (anglisht) Bojs Thorn-Mileri thotë: «Nuk ka asgjë që mund t’i shpëtojë gjallesat e oqeaneve, përveç një ndryshimi rrënjësor në qëndrimin e njerëzve.» Sa mirë që Krijuesi, Perëndia Jehova, ka vendosur një Mbretëri që do ta bëjë të sigurt të ardhmen e mbarë tokës!​—Danieli 2:44; Mateu 6:10.

[Shënimi]

^ par. 8 Xhon Kaboti lindi në Itali ku quhej Xhovani Kaboto. Në vitet 1480 shkoi të jetonte në Bristol të Anglisë dhe prej andej u nis për udhëtimin e vitit 1497.

[Diçitura në faqen 21]

Ashtu si pyjet e shiut janë rrënuar nga buldozerët, edhe detet janë rrënuar nga peshkimi pa kriter

[Diçitura në faqen 22]

«Rreth 75 për qind e zonave të peshkimit në botë tanimë po shfrytëzohen në maksimum, pa kriter ose po shkretohen.»​—Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë

[Diçitura në faqen 23]

Peshqit janë burimi kryesor i proteinave shtazore për një të pestën e njerëzimit

[Figura në faqen 23]

Kamboxhia

[Figura në faqen 23]

Peshkim për tregti, Alaskë

[Figura në faqen 23]

Republika Demokratike e Kongos

[Burimi i figurës në faqen 20]

© Janis Miglavs/​DanitaDelimont.com

[Burimet e figurave në faqen 22]

Sipër: © Mikkel Ostergaard/​Panos Pictures; në mes: © Steven Kazlowski/​SeaPics.com; poshtë: © Tim Dirven/​Panos Pictures