Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si i sheh Perëndia objektet ndihmëse në adhurim?

Si i sheh Perëndia objektet ndihmëse në adhurim?

Pikëpamja e Biblës

Si i sheh Perëndia objektet ndihmëse në adhurim?

Objektet që shoqërojnë lutjet janë të zakonshme në budizëm, hinduizëm, judaizëm, myslimanizëm, katolicizëm dhe në ortodoksi. Prandaj, miliona e miliona njerëz, pothuajse nga të gjitha vendet, besojnë se këto objekte i ndihmojnë t’i afrohen Perëndisë, si dhe të marrin miratimin a bekimet e tij. Ç’na mëson Bibla?

OBJEKTET që përdoren si mjete ndihmëse gjatë lutjes, e kanë zanafillën para mijëra vjetësh. Për shembull, në vendndodhjen e Ninevisë së lashtë, arkeologët zbuluan «statujën e dy grave me flatra që po luteshin para një peme të shenjtë; ato . . . kishin një varëse ose rruzare në [dorën] e majtë».​—Enciklopedia katolike (anglisht).

Për çfarë shërbejnë rruzaret? E njëjta enciklopedi përgjigjet: «Kur një lutje përsëritet shumë herë, numërimi duhet bërë me një mjet më praktik sesa të numërosh me gishta.»

Rrota e lutjes e bën edhe më të lehtë përsëritjen e lutjes. Çdo rrotullim i saj me dorë, nga era, nga uji ose me rrymë elektrike konsiderohet njëlloj si të bësh një lutje. Shpesh rrota e lutjes shoqërohet me mantra​—formula a vargje mistike. Vini re ç’mendon Perëndia për këto objekte.

«Mos thuaj gjithnjë të njëjtat gjëra»

Jezu Krishti, që njihet edhe nga miliona njerëz jo të krishterë si profet i Perëndisë, shpjegoi pikëpamjen e Krijuesit për lutjet e përsëritura. Ai tha: «Kur të lutesh, mos thuaj gjithnjë të njëjtat gjëra, si bëjnë njerëzit nga bota, të cilët kujtojnë se do të dëgjohen ngaqë përdorin shumë fjalë.» *​—Mateu 6:7.

Atëherë, nëse Perëndia nuk do që ‘të themi gjithnjë të njëjtat gjëra’, a nuk do të ishin të papranueshme për të edhe objektet që shoqërojnë këto lutje që përsëriten pareshtur? Në përputhje me këtë, Bibla nuk flet as edhe një herë të vetme për ndonjë shërbëtor besnik të Perëndisë së vërtetë që përdori rruzare, rrotë lutjesh a objekt tjetër në adhurim. Arsyet përse Perëndia nuk i pranon mjetet ndihmëse në adhurim dhe përse shërbëtorët besnikë nuk i përdornin ato, bëhen më të qarta kur kuptojmë natyrën dhe qëllimin e vërtetë të lutjes.

Lutje që i pëlqejnë Perëndisë

Në lutjen model, Jezui e quajti Perëndinë «Ati ynë». Po, Krijuesi ynë nuk është një qenie e largët ose forcë mistike që duhet ta qetësojmë me formula magjike, rite a mantra. Përkundrazi, ai është një Atë i dashur dhe dëshiron që ne ta njohim si të tillë e ta duam. Jezui tha: «Unë e dua Atin.» (Gjoni 14:31) Edhe një profet në Izraelin e lashtë tha: «Ti, o Jehova, je Ati ynë.»​—Isaia 64:8.

Si mund t’i afrohemi Jehovait si Atit tonë qiellor? (Jakovi 4:8) Si në çdo marrëdhënie tjetër, edhe me Perëndinë afrohemi me anë të komunikimit. Perëndia na «flet» nëpërmjet faqeve të Biblës, Fjalës së tij të shkruar, ku na zbulon veprat, personalitetin e tij dhe qëllimin që ka për ne. (2 Timoteut 3:16) Nga ana tjetër, ne i flasim Perëndisë me anë të lutjes ose duke iu drejtuar me përnderim. Sigurisht, lutjet duhet të jenë të sinqerta dhe të përzemërta, jo formale dhe mekanike.

Mendoni për këtë: si do të komunikonin normalisht fëmijët me prindërit në një familje ku ka ngrohtësi e dashuri? A do të thoshin vazhdimisht të njëjtat fjalë a shprehje, mbase duke i numëruar me ndonjë mjet sa herë që i përsëritnin? Natyrisht që jo. Përkundrazi, ata do të thoshin gjëra me kuptim, që tregonin respekt dhe që vinin nga zemra.

Kështu duhet të jetë edhe me lutjet që i drejtojmë Perëndisë. Mund t’i drejtohemi Perëndisë thuajse për çdo gjë që na shqetëson. Te Filipianëve 4:6, 7 thuhet: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë . . . do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore.» Sigurisht, kur kemi ankth për diçka, mund të lutemi shpesh. Por kjo nuk është njësoj si të përsëritësh fjalë për fjalë.​—Mateu 7:7-11.

Bibla jep shumë shembuj lutjesh që i pëlqejnë Perëndisë, duke përfshirë psalmet ose këngët, si dhe lutje që i bëri vetë Jezui. * (Psalmet 17 dhe 86, mbishkrimet; Luka 10:21, 22; 22:40-44) Një nga këto lutje të Jezuit gjendet te kapitulli 17 i Gjonit. Rezervoni disa minuta për ta lexuar. Ndërkaq vini re në ç’mënyrë Jezui ia zbrazi zemrën Perëndisë. Gjithashtu, shihni se kjo lutje nuk ishte aspak egoiste, por tregonte sa i donte Jezui dishepujt e tij. Ai tha: «Atë i shenjtë, ruaji . . . nga i ligu [Satanai].»​—Gjoni 17:11, 15.

A dalloni në fjalët e Jezuit qoftë edhe ndonjë shenjë që tregon se po kryente një rit pa ndjenja ose mekanik? Absolutisht jo! Ç’shembull i shkëlqyer për ne! Po, të gjithë ata që duan t’i afrohen Perëndisë së vërtetë duhet ta njohin me saktësi ç’person është. Më tej, të motivuar nga dashuria që bazohet në njohuri, duhet të hedhin poshtë traditat dhe praktikat fetare që nuk i pëlqejnë Perëndisë. Këtyre njerëzve Jehovai u thotë: «Unë do të jem për ju një atë dhe ju do të jeni për mua bij e bija.»​—2 Korintasve 6:17, 18.

[Shënimet]

^ par. 8 Në lutjen «Ati ynë» Jezui nuk tha: «Ju lutuni me këto fjalë», që do të ishte në kundërshtim me atë që sapo kishte thënë. Përkundrazi tha: «Ju lutuni në këtë mënyrë.» (Mateu 6:9-13) Ç’donte të theksonte? Gjërat që lidhen me besimin duhet t’i vëmë përpara gjërave materiale, siç na zbulon lutja model.

^ par. 15 Ndonëse psalmet këndoheshin në raste të ndryshme, ato nuk ishin përsëritje si mantra dhe as nuk përdoreshin gjatë riteve të shoqëruara me rruzare ose rrotë lutjesh.

A DONI TË DINI?

▪ A vlen edhe për rruzaret dhe rrotën e lutjeve këshilla e Jezuit për të mos i përsëritur lutjet?​—Mateu 6:7.

▪ Çfarë duhet të tregojnë lutjet tona për mënyrën si e konsiderojmë Perëndinë?​—Isaia 64:8.

▪ Nëse hedhim poshtë mashtrimet fetare, si do të na konsiderojë Perëndia?​—2 Korintasve 6:17, 18.