Treni pa rrota
Treni pa rrota
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË HONG-KONG
ENDE pa hipur në trenin e ri vezullues me formë aerodinamike në Shangai, Kinë, pasagjerët e ndiejnë se do të udhëtojnë në një hekurudhë tjetërsoj. Kjo ndjesi shtohet teksa treni largohet nga stacioni ultramodern duke fëshfërirë dhe pastaj, ndërsa rrëshqet pa u ndier, e rrit shpejtësinë në më shumë se 430 km në orë. Kështu ky është treni më i shpejtë në përdorim. Vetëm për tetë minuta ai përshkon 30 km deri në Aeroportin Ndërkombëtar të Pudongut. Por gjëja më e veçantë e këtij treni është që nuk ka rrota.
Linja Shangai-Pudong ka të vetmin tren në botë me ngritje magnetike ose maglev. Ai nuk ecën mbi rrota metalike, por mbahet krejtësisht nga një fushë magnetike. Në vend të makinistit, ka pajisje kompjuterike që përcaktojnë vazhdimisht pozicionin e saktë të trenit dhe ia dërgojnë të dhënat një stacioni qendror kontrolli. Atje ka operatorë që, me ndihmën e kompjuterëve, kontrollojnë me saktësi lëvizjet e trenit.
Maglevi dhe hekurudhat tradicionale
Ndërtimi i këtij treni të veçantë dhe i rrugës së tij paraqiti mjaft vështirësi. Për shembull, trenin që është në lëvizje e ndan veç një hapësirë e ngushtë nga rruga. Kështu, për shkak të truallit të butë të Shangait, inxhinierëve iu desh të vinin në pistë pajisje bashkuese të veçanta që mund të përshtateshin. Ato do të kompensonin ngjeshjen e ngadaltë të dheut. Veç kësaj duhej të
mbanin parasysh deformimin e lehtë që pësojnë trarët e betonit, siç është zgjerimi ose tkurrja nga temperatura.Gjithsesi, teknologjia maglev ka goxha përparësi. Për shembull, falë saj nuk ka më zhurmë motori a rrotash dhe as nuk lëshohen lëndë të dëmshme. Pista dhe pajisjet e trenit nuk kanë nevojë për shumë mirëmbajtje. Gjithashtu, harxhon tri herë më pak energji se makinat dhe pesë herë më pak se avionët për të transportuar të njëjtin numër pasagjerësh. Imagjinoni që energjia e përdorur nga treni për të qëndruar pezull është më e vogël sesa ajo që konsumon sistemi i ajrit të kondicionuar në tren! Veç kësaj, në krahasim me trenat me rrota, maglevi mund të ngjitë shpate më të rrëpirëta e të marrë kthesa më të forta, ndaj nuk ka nevojë të ndryshohet terreni.
Me tërë këto përparësi mund të duket çudi që nuk janë ndërtuar më shumë hekurudha maglev. Një arsye është kostoja e madhe e ndërtimit. Ja pse autoritetet kineze kanë lënë pezull një propozim për ndërtimin e linjës maglev mes Shangait dhe Pekinit, e cila do të kushtonte dy herë më shumë sesa ndërtimi i një linje të zakonshme me shpejtësi të lartë. Për më tepër linja maglev nuk bëhet dot pjesë e rrjetit hekurudhor të Kinës.
Në linjën maglev të Shangait përdoret teknologji gjermane dhe kërkimet për maglevin vazhdojnë në Gjermani, Japoni e gjetkë. Në dhjetor të 2003-shit, treni maglev eksperimental i Japonisë shënoi një shpejtësi rekord në botën hekurudhore prej 581 km në orë. Për momentin treni i Shangait mbetet i vetmi i këtij lloji.
Në rrugën e kthimit për në Shangai, teksa maglevi largohet nga Pudongu, sytë e pasagjerëve nuk shqiten nga shpejtësimatësit dixhitalë që ndodhen në çdo vagon. Presin gjithë kureshtje se kur do të shënojnë shpejtësinë maksimale. Ç’është e vërteta, në udhëtimin e parë mjaft pasagjerë nuk e shohin dhe aq peizazhin përreth, kështu që bëjnë një udhëtim tjetër. Tek soditin pamjet që fluturojnë njëra pas tjetrës, e kuptojnë fare mirë pse maglevi është quajtur «aeroplan pa krahë».
[Kutia dhe diagramet në faqen 24]
SI FUNKSIONON MAGLEVI?
Elektromagnete të kontrolluara në mënyrë elektronike (1) të fiksuara poshtë kllapës së çdo vagoni bashkë me magnete nën rrugë (2) e ngrenë trenin deri sa mes këtyre dy grupeve magnetesh të krijohet një hapësirë rreth 1 centimetër. Magnete të tjera (3) i mbajnë vagonët në rresht të rregullt. Disa bobina (4) në pistë krijojnë një fushë magnetike që e vë në lëvizje trenin.
Për të kursyer energji, stacioni qendror i kontrollit e dërgon rrymën elektrike në një pjesë të pistës (5) vetëm kur treni kalon mbi atë pjesë. Në ato vende ku treni duhet të shtojë shpejtësinë ose të ngjitë një të përpjetë dërgohet më shumë energji. Kur treni duhet të ngadalësojë shpejtësinë ose të shkojë në drejtim të kundërt, fusha magnetike e bobinave të pistës ndërron kah.
A ËSHTË I SIGURT?
Edhe pse treni maglev ecën me shpejtësi të madhe, kllapat e tij mbështjellëse (6) gati e përqafojnë pistën, ndaj është thuajse e pamundur që treni të dalë nga rruga. Nuk ka nevojë për rripa sigurie dhe pasagjerët mund të lëvizin pa problem edhe kur treni ecën me shpejtësi normale. Kur energjia elektrike ndërpritet, disa frena speciale që punojnë me bateri krijojnë një fushë të kundërt magnetike që e ul shpejtësinë e trenit deri në 10 km në orë. Treni zbret si pa u ndier mbi ski dhe shket ngadalë derisa ndalet.
A janë të rrezikshme për shëndetin magnetet e fuqishme të trenit, siç është rasti i pasagjerëve që kanë pacemaker, aparat për rregullimin e ritmit të zemrës? Provat tregojnë se s’ka arsye për t’u shqetësuar. Ç’është e vërteta, fusha e jashtme magnetike e maglevit është më e dobët sesa ajo e trenave të zakonshëm.
[Figurat në faqet 24, 25]
Mbi 430 km në orë!
[Burimi i figurës në faqen 24]
Faqet 24 dhe 25: të gjitha fotografitë dhe skicat: © Fritz Stoiber Productions/me mirësjellje nga Transrapid International GmbH & Co. KG