Jetova kohë ndryshimesh të mëdha në Kore
Jetova kohë ndryshimesh të mëdha në Kore
Treguar nga Çong-il Parku
«Frikacak! Nuk ta mban të vdesësh në frontin e luftës. Do që t’i bësh bisht shërbimit ushtarak dhe nxjerr si pretekst bindjet fetare.» Kështu më akuzoi kapiteni i Trupave të Kundërzbulimit në qershor të 1953-shit, më shumë se 55 vjet më parë.
KJO ndodhi gjatë Luftës së Koresë. Pastaj kapiteni nxori një pistoletë dhe e la mbi tryezë. «Mirë pra, do të vdesësh këtu, meqë s’dashke në front,—më tha.—Do ta mendosh edhe një herë?»
«Jo»,—u përgjigja i vendosur. Atëherë kapiteni urdhëroi një oficer të bëheshin gati të më ekzekutonin.
U gjenda në atë situatë, sepse më kishin thirrur për shërbimin ushtarak, por nuk kisha pranuar. Teksa po pritnim, i thashë kapitenit se ia kisha kushtuar jetën Perëndisë, ndaj besoja se ishte e gabuar ta sakrifikoja atë për ndonjë kauzë tjetër përveç shërbimit ndaj Perëndisë. Kaluan disa minuta heshtje. Pas pak oficeri u kthye dhe raportoi se gjithçka ishte gati për ekzekutimin tim.
Asokohe, në Korenë e Jugut njerëzit dinin fare pak, në mos asgjë, për Dëshmitarët e Jehovait, e le pastaj për faktin që ne refuzojmë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes në çfarëdo qeverie. Para se t’ju tregoj se ç’ndodhi më tej, po ju shpjegoj si arrita në vendimin që i bëra të ditur kapitenit.
Hapat e parë
Linda në tetor të vitit 1930, në një qytet afër Seulit, kryeqytetit të Koresë. Isha djali i madh i shtëpisë. Gjyshi ishte ithtar i devotshëm i Konfucit dhe më edukoi edhe mua me atë frymë. Ai nuk donte të shkoja në shkollë, kështu që hyra në shkollë vetëm pas vdekjes së tij, kur isha 10 vjeç. Pastaj, në vitin 1941, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara hynë në Luftën II Botërore në dy kampe kundërshtare.
Meqë Koreja ishte nën sundimin japonez, çdo mëngjes ne nxënësit duhej të merrnim pjesë në një ceremoni për nder të perandorit japonez. Halla dhe burri i saj ishin bërë Dëshmitarë të Jehovait dhe i kishin burgosur në Kore gjatë Luftës II Botërore, ngaqë nuk pranonin të mbështetnin luftën për shkak të bindjeve fetare. Japonezët i trajtonin aq mizorisht Dëshmitarët, saqë disa prej tyre vdiqën, ndër ta edhe burri i hallës. Më vonë halla jetoi me familjen tonë.
Koreja u çlirua nga sundimi japonez më 1945. Me ndihmën e hallës dhe të Dëshmitarëve të tjerë që kishin mbijetuar nga burgu, i
hyra seriozisht studimit të Biblës dhe u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait në vitin 1947. Në gusht të 1949-s, në Seul mbërritën Don dhe Ërlin Stili, misionarët e parë të caktuar në Kore, që ishin stërvitur në Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit. Pas disa muajsh erdhën misionarë të tjerë.Më 1 janar 1950, bashkë me tre koreanë të tjerë filluam shërbimin e pionierit, siç quhen Dëshmitarët e Jehovait që shumicën e kohës e kalojnë në predikim. Ishim të parët në Kore që u bëmë pionierë pas Luftës II Botërore.
Vitet e Luftës së Koresë
S’kaloi shumë dhe një të diel, më 25 qershor 1950 shpërtheu lufta mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut. Në gjithë Korenë kishte vetëm një kongregacion Dëshmitarësh të formuar nga 61 veta, që ndodheshim në Seul. Ambasada amerikane u kërkoi të gjithë misionarëve të largoheshin nga vendi për arsye sigurie. Edhe shumë Dëshmitarë vendës u larguan nga Seuli dhe u shpërndanë në jug të vendit.
Megjithatë, qeveria e Koresë së Jugut nuk i la të largoheshin nga Seuli djemtë si unë, në moshën e ushtrisë. Papritur, trupat komuniste marshuan në qytet dhe Seuli u vu nën kontrollin e ushtrisë komuniste. Edhe gjatë asaj kohe, kur m’u desh të fshihesha në një dhomë të vogël për tre muaj, arrita t’u dëshmoj njerëzve për Mbretërinë e Perëndisë. Njëherë takova një mësues që, ashtu si unë, u fshihej komunistëve. Si përfundim, ai jetoi në atë dhomë të vogël me mua dhe çdo ditë studioja Biblën me të. Me kalimin e kohës, u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait.
Autoritetet komuniste nga Koreja e Veriut na gjetën. Thamë se ishim studentë të Biblës dhe u shpjeguam mësimin biblik të Mbretërisë së Perëndisë. Sa u habitëm kur treguan interes për mesazhin e Biblës, në vend që të na arrestonin! Madje disa prej tyre u kthyen edhe herë të tjera, pasi dëshironin të dinin më shumë për Mbretërinë e Perëndisë. Kjo përvojë na forcoi besimin se Jehovai na mbronte.
Kur trupat e OKB-së pushtuan përsëri Seulin, mora një leje të veçantë që të udhëtoja për në qytetin e Tegut në mars të vitit 1951. Atje pata mundësi të predikoja me Dëshmitarët e tjerë për disa muaj. Në nëntor të vitit 1951, para mbarimit të luftës, Don Stili u kthye në Kore.
E ndihmova për riorganizimin e veprës së predikimit. Botimi Kulla e Rojës, si edhe Njoftuesi që u jepte udhëzime Dëshmitarëve si të kryenin veprën e predikimit, duheshin përkthyer në gjuhën koreane, duheshin shtypur dhe shaptilografuar. Ky material u dërgohej kongregacioneve, që në atë kohë ndodheshin në disa qytete. Hera-herës Doni dhe unë udhëtonim bashkë për të vizituar kongregacionet e për t’i inkurajuar.
Në janar të vitit 1953, u gëzova jashtë mase kur mora një letër ku më ftonin në Shkollën e Galaadit në Nju-Jork që të stërvitesha si misionar. Por, pasi kisha rezervuar vendin në avion, autoritetet koreane më kërkuan të paraqitesha për shërbimin ushtarak.
Një situatë për jetë a vdekje
Në qendrën e rekrutimit i shpjegova një oficeri pse mbaja qëndrim asnjanës dhe nuk pranoja të bëja shërbimin ushtarak. Ai më
dorëzoi te Trupat e Kundërzbulimit, që të përcaktonin nëse isha komunist. Atëherë u ndodha para asaj situate për jetë a vdekje që përmenda në fillim. Në vend që të më vriste, kapiteni u çua sakaq, i dha një shkop të trashë një oficeri dhe e urdhëroi të më rrihte. Ndonëse kisha dhembje të tmerrshme, isha i lumtur që arrita t’i përballoj.Trupat e Kundërzbulimit më kthyen në qendrën e rekrutimit, ku oficerët i shpërfillën bindjet e mia dhe, pa pyetur fare, më dhanë një numër identifikimi si ushtar e më çuan në një qendër të stërvitjes ushtarake në ishullin e Çexhusë, pranë Koresë. Të nesërmen në mëngjes, rekrutët e rinj, mes të cilëve edhe unë, duhej të bënin betimin ushtarak. Unë nuk pranova. Si pasojë, gjyqi ushtarak më dënoi me tre vjet burg.
Mijëra veta qëndrojnë besnikë
Ditën që duhej të isha nisur për t’u stërvitur si misionar, pashë një avion në qiell. Ishte avioni me të cilin duhej të isha nisur. Nuk më pushtoi mërzia ngaqë nuk ika dot në Galaad, por isha thellësisht i kënaqur që po i qëndroja besnik Jehovait. Nuk jam i vetmi Dëshmitar korean që nuk e ka pranuar shërbimin ushtarak. Më shumë se 13.000 Dëshmitarë të tjerë kanë mbajtur të njëjtin qëndrim në vitet pasuese. Ata kanë kaluar gjithsej mbi 26.000 vjet në burgjet e Koresë.
Pasi vuajta vetëm dy nga tri vitet e dënimit, në 1955-n më falën si i burgosur shembullor dhe më liruan. Rifillova shërbimin e pionierit. Më pas, në tetor të 1956-s mora caktimin për të shërbyer në zyrën e Dëshmitarëve të Jehovait në Korenë e Jugut. Më 1958, më ftuan prapë në Galaad. Kur u diplomova, më caktuan në Kore.
Pas njëfarë kohe u njoha me In-Hjun Sungun, një Dëshmitare besnike, dhe u martuam në maj të vitit 1962. Ajo ishte rritur në një familje budiste dhe kishte mësuar për Dëshmitarët nga një shoqe klase. Tri vitet e para të martesës, çdo javë vizitonim nga një kongregacion në Kore, që t’u forconim besimin vëllezërve. Që nga viti 1965, kemi punuar në zyrën e degës të Dëshmitarëve, që sot gjendet rreth 60 kilometra nga Seuli.
Meditoj për ndryshimet
Kur hedh vështrimin pas, mrekullohem nga ndryshimet e shumta që janë bërë në këtë vend. Pas Luftës II Botërore dhe luftës me Korenë e Veriut, Koreja e Jugut ishte katandisur si mos më keq. Qytetet dhe rrugët ishin rrënuar. Elektricitetin dhe ngrohjen i kishim me ndërprerje ose s’kishim fare. Ekonomia ishte përtokë. Në 50 vitet pasuese, Koreja e Jugut ka bërë përparime të jashtëzakonshme.
Sot Koreja e Jugut renditet e 11-ta në botë për nga zhvillimi ekonomik. Ajo njihet për qytetet moderne, trenat super të shpejtë, elektronikën dhe për mjeshtërinë e ndërtimit të makinave. Koreja e Jugut zë vendin e pestë në botë për prodhimin e makinave. Por për mua më shumë rëndësi kanë hapat që janë bërë në Korenë e Jugut për respektimin e të drejtave të njeriut.
Kur më dënoi gjyqi ushtarak në vitin 1953, qeveria koreane s’e kuptonte përse dikush nuk pranonte të shkonte në ushtri. Disa nga ne u akuzuan si komunistë, madje Dëshmitarë të tjerë vdiqën nga rrahjet. Shumë nga ata që u burgosën kur ishin të rinj kanë parë bijtë, madje disa edhe nipërit e tyre, të hynin në burg për të njëjtën arsye.
Vitet e fundit, media në përgjithësi ka folur
mirë për rastet kur Dëshmitarët e Jehovait nuk kanë pranuar të përfshihen në çështjet ushtarake të asnjë vendi për shkak të ndërgjegjes. Një avokat, përfaqësues i akuzës në gjyqin kundër një Dëshmitari, shkroi një letër të hapur ku kërkonte ndjesë për çka kishte bërë. Kjo letër u botua në një revistë të njohur.Shpresoj se e drejta jonë për të refuzuar shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes do të respektohet edhe në Korenë e Jugut siç ndodh në shumë vende të tjera. Lutem që autoritetet e Koresë së Jugut të respektojnë bindjet e të rinjve që refuzojnë ushtrinë për hir të ndërgjegjes dhe të mos i dënojnë më me burgim, «që të vazhdojmë të bëjmë një jetë të qetë dhe të patrazuar».—1 Timoteut 2:1, 2.
Si shërbëtorë të Perëndisë tonë Jehova e çmojmë mundësinë për të përkrahur të drejtën e tij si Sundimtari ynë. (Veprat 5:29) Duam me gjithë shpirt t’ia gëzojmë zemrën duke i qëndruar besnikë. (Proverbat 27:11) Ndihem i lumtur që jam mes atyre miliona vetave që kanë vendosur ‘të besojnë te Jehovai me gjithë zemër dhe të mos mbështeten në kuptueshmërinë e tyre’.—Proverbat 3:5, 6.
[Diçitura në faqen 13]
«Sa u habitëm kur treguan interes për mesazhin e Biblës, në vend që të na arrestonin!»
[Diçitura në faqen 14]
Dëshmitarët koreanë kanë kaluar 26.000 vjet në burg ngaqë nuk kanë pranuar shërbimin ushtarak
[Figura në faqen 12]
Në burgun ushtarak, 1953
[Figura në faqen 15]
Vizitoja kongregacionet me Don Stilin gjatë luftës, 1952
[Figura në faqen 15]
Para dasmës, 1961
[Figura në faqen 15]
Ndihmoja si përkthyes mbikëqyrësin qarkor, 1956
[Figura në faqen 15]
Me In-Hjun Sungun sot