Kryevepra «të pikturuara» me gurë
Kryevepra «të pikturuara» me gurë
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ITALI
NGA të gjitha teknikat që kanë përdorur artistët për të paraqitur natyrën, teknika që shpesh quhet mozaiku i Firences ose commesso është ndër më të vështirat. Për këtë lloj mozaiku, që është tipik për qytetin e Firences në Itali, nuk përdoren copa guri, qeramike ose xhami me formë të rregullt, siç bëhet me shumë mozaikë të tjerë. Artistët i krijojnë pikturat me petëza guri të çrregullta. Zakonisht këto priten kaq saktë sa gati nuk dallohen fare ku bashkohen.
Larmia e ngjyrave në paletën e artistit që «pikturon» me gurë, të lë pa fjalë. Lazuriti është një gur i çmuar me ngjyrë bojëqielli të ndezur e njolla të bardha ku shndritin kristale piriti të arta. Malakiti ka shirita të gjelbër të lehtë e të gjelbër të mbyllur. Mermeri i stolisur me damarë ka lloj-lloj nuancash të së verdhës, të kafesë, të së gjelbrës dhe të së kuqes. Agati, diaspri, oniksi, porfiri e gurë të tjerë të çmuar kanë një spektër nuancash plot jetë e piklash që artistët i shfrytëzojnë për të krijuar kryevepra. Me ngjyrat dhe damarët e këtyre gurëve, ata paraqitin peizazhet shkëmbore, bimët, ujërat plot tallaze e qiellin ku enden retë.
Ky lloj mozaiku nuk është aspak një risi. Ka shumë mundësi që ai u shpik në Lindjen e Mesme. Në shekullin e parë p.e.s. mbërriti në Romë dhe preferohej mjaft për zbukurimin e dyshemeve dhe të mureve. Ndonëse në periudhën e mesjetës teknika e mozaikut të Firences përdorej gjithandej, ishin mozaikët e Firences në Toskanë ata që e bënë të famshme këtë teknikë nga shekulli i 16-të e më tej. Edhe sot e kësaj dite në pallatet e muzetë anekënd Evropës sheh kryevepra madhështore me këtë teknikë.
«Të pikturosh» me gurë është punë e mundimshme. Një botim thotë se orët që i kushtohen «qoftë edhe një vepre të thjeshtë do
ta tmerronin sot një analist që studion shfrytëzimin e kohës në industri». Kështu edhe sot, ashtu si në të kaluarën, çmimet që u vënë artistët mozaikëve të tyre janë mjaft të kripura për shumicën e njerëzve.Si bëhen?
Para se të bëhet një mozaik i ri, duhet një model, zakonisht një pikturë. Një kopje e modelit origjinal pritet në pjesë ku secila përkon me një copëz të mozaikut që do të krijohet. Kur artisti zgjedh me durim gurin e përshtatshëm për çdo copëz, nuk imiton medoemos modelin, por fut edhe imagjinatën. Çdo pjesë e kopjes së modelit origjinal ngjitet te petëzat e gurëve të përzgjedhur.
Më tej, artisti e vë në morsë secilën petëz, që është vetëm dy-tre milimetra e trashë. Pastaj me një sharrë—një tel hekuri i tendosur mbi një hark me dru gështenje—pret me merak pjesët që do (figura lart). Telin e lyen me një pastë gërryese. Më pas këto pjesë duhet t’i limojë kaq mirë sa, kur t’i ngrejë lart të gjitha tok, të mos kalojë asnjë rreze drite mes vendeve ku bashkohen. Përfytyroni sa e vështirë bëhet puna kur duhen paraqitur dredhat hollake të një hardhie!
Copëzat e mozaikut bashkohen dhe ngjiten përfundimisht mbi një shtresë me rrasa guri. Pas kësaj, dora e fundit e lëmimit dhe e lustrimit të sipërfaqes së gurtë i jep pikturës një vezullim që fotografitë nuk e tregojnë dot. Të mahnit vërtet mjeshtëria e artistëve që me nuancat e ngjyrave të një guri të vetëm e realizojnë aq mirë lojën e dritëhijeve mbi petalet e një luleje të brishtë, sa duket si e vërtetë. Frutat, vazot, fluturat, zogjtë e peizazhet janë vetëm disa nga temat e arrira të krijimtarisë së tyre.
Një nga gjërat tërheqëse të mozaikut të Firences është se artisti nuk i përcakton dot deri më një hollësitë e veprës së tij. Ai duhet të zgjedhë mes ngjyrave dhe gurëve që tashmë i ka krijuar Perëndia. Në një libër rreth kësaj teme thuhet: «Gurët e hijshëm bëjnë të zhytesh në mendime për madhështinë dhe fuqinë e parrëfyeshme të Perëndisë që ka futur brenda zajeve të vogla bukurinë e mbarë dheut . . . , e kështu ke gjithnjë para syve një pasqyrim dhe shkëlqim të hyjnorit.»
[Burimi i figurës në faqen 16]
Të gjitha fotografitë e faqeve 16 dhe 17: Su concessione del Ministero per i Beni e le Attivitá Culturali-Opificio delle Pietre Dure di Firenze, Archivio Fotografico