Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ku t’i gjejmë përgjigjet?

Ku t’i gjejmë përgjigjet?

Ku t’i gjejmë përgjigjet?

NJË nga synimet e fesë është t’u mësojë njerëzve qëllimin e jetës. Megjithatë, shumë njerëz kanë parë se mësimet e fesë nuk ua kanë plotësuar nevojat shpirtërore. Denisa, e rritur në një familje katolike, kujton: «Në Katekizmin e Baltimorës trajtohet pyetja: ‘Pse na bëri Perëndia?’ Përgjigjja është: ‘Perëndia na bëri që të tregojë mirësinë e tij dhe të ndajë me ne lumturinë e tij të përjetshme në parajsë.’»

Denisa vazhdon: «Kjo nuk më jepte një arsye të qartë pse ekzistoj. Nëse thjesht po pres për të shkuar në parajsë, ç’duhet të bëj tani që jam këtu?» Shumë veta mendojnë si Denisa. Një sondazh tregon se dy të tretat e të anketuarve janë të mendimit se mjaft kisha dhe sinagoga nuk i ndihmojnë njerëzit të gjejnë kuptimin e jetës.

Si pasojë, shumë veta i kërkojnë gjetkë përgjigjet. I drejtohen shkencës ose filozofive të ndryshme të etiketuara si humanizëm, nihilizëm dhe ekzistencializëm. Pse njerëzit vazhdojnë të kërkojnë, ndonëse pak veta gjejnë përgjigje bindëse?

Nevojë shpirtërore e lindur

Dr. Kevin Siboldi e quan këtë nevojë «një prirje universale të njerëzve për të adhuruar diçka». Vitet e fundit shumë shkencëtarë kanë arritur në përfundimin se njerëzit kanë një prirje të lindur për të kërkuar një kuptim më të thellë në jetë. Disa mendojnë se ndërtimi gjenetik dhe fiziologjik flasin për një nevojë të natyrshme të njerëzve që të lidhen me një fuqi më të lartë.

Ndonëse në qarqet akademike debatohet nëse njeriu e ka këtë nevojë të lindur apo jo, shumë vetave nuk u duhet miratimi i shkencëtarëve që të besojnë se njeriu ka një nevojë shpirtërore. Është pikërisht kjo nevojë e brendshme që bën të lindin në mendjen tonë pyetje që disa i quajnë më të rëndësishmet: pse ekzistojmë? Si duhet ta jetojmë jetën? A mbajmë përgjegjësi para një Krijuesi të plotfuqishëm?

Nëse ndalemi dhe vrojtojmë me kujdes natyrën, do të gjejmë disa nga përgjigjet e këtyre pyetjeve. Për shembull, të mendojmë për gjërat tepër të ndërlikuara që gjenden në natyrë, duke filluar që nga organizmat njëqelizorë e deri te grumbujt e galaktikave miliona vjet-dritë larg. A nuk na tregojnë se ekziston një Krijues a Projektues inteligjent? Bibla thotë: ‘Cilësitë e padukshme [të Perëndisë], madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra, prandaj ata nuk kanë asnjë justifikim.’—Romakëve 1:20.

Të plotësojmë nevojën shpirtërore

Në Bibël thuhet si i bëri Perëndia njerëzit: «Ka vënë edhe përjetësinë në zemrën e tyre.» (Eklisiastiu 3:11) Dëshira jonë e lindur është të jetojmë, jo të vdesim. Na vjen natyrshëm të kërkojmë domethënien e jetës, të dimë përgjigjet e pyetjeve që kemi.

Përpjekja për të gjetur përgjigjet është pjesë e pandashme e qenies njerëzore. Pasi përmendi arritjet shkencore dhe teknologjike të njeriut, një redaktor i gazetës The Wall Street Journal shkroi: «Kemi mbetur ende me pyetjet, si: cilët jemi? Përse ekzistojmë? Ku po shkojmë?» Është e mençur t’i kërkojmë përgjigjet te burimi më i mirë. Duke na e drejtuar vëmendjen te ky Burim, Bibla thotë: «Na ka bërë [Perëndia], e s’jemi bërë vetë.»—Psalmi 100:3.

Që të plotësojmë këtë nevojë shpirtërore, a nuk është logjike t’i kërkojmë përgjigjet nga Ai që ka bërë mrekullitë e krijimit? Jezu Krishti na nxiti të bëjmë pikërisht këtë. Ai pohoi se vetëm Burimi i jetës, Krijuesi ynë, mund ta plotësojë nevojën tonë shpirtërore.—Psalmi 36:5, 9; Mateu 5:3, 6.

Sigurisht, për të plotësuar këtë nevojë, është e domosdoshme të gjejmë një përgjigje me baza për pyetjen: pse ekzistojmë? Le të shqyrtojmë pikëpamjen e Krijuesit tonë, e cila na jep zemër.