Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur dielli nuk lind

Kur dielli nuk lind

Kur dielli nuk lind

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FINLANDË

«DIELLI lind e pastaj perëndon dhe shpejtohet në drejtim të vendit nga del përsëri»,—thotë Bibla. (Eklisiastiu 1:5, Diodati i Ri) Megjithatë, nga mesi i nëntorit deri në fund të janarit vështirë se e dallon lindjen dhe perëndimin e diellit në shumë zona në veri të Rrethit Polar të Veriut. Atje njerëzit s’kanë ç’bëjnë tjetër veçse të durojnë errësirën e netëve të gjata të dimrit arktik.

Në një shkallë më të vogël, net të gjata kanë edhe zona në jug të Rrethit Polar të Veriut. Për shembull, në Shën-Pjetërburg, Rusi; Helsinki, Finlandë; Stokholm, Suedi dhe Oslo në Norvegji—qytete që janë më pak se 800 km në jug të Rrethit Polar të Veriut—dita ka vetëm gjashtë orë dritë në mes të dimrit.

«Mendimi se dimri i arktikut është i zi sterrë, është i gabuar»,—thotë Ari, i rritur në Kirunë, në Laponi të Suedisë. Një pjesë e mirë e ditës mund të përmblidhet me një fjalë, muzg. Paula, artiste që jeton në Laponinë e Finlandës, thotë: «Kur Laponia mbështillet nga dëbora, mbizotërojnë nuanca të zbehta të së kaltrës dhe të vjollcës.»

Dimrat e errët ndikojnë për keq te disa njerëz. «I ndiej shumë ndryshimet e stinëve dhe të klimës»,—shkroi Zhan Sibeliusi, kompozitor i famshëm finlandez. Ai shtoi: «Në dimër, kur dita është e shkurtër, gjithnjë bie shpirtërisht.» Patjetër, Sibeliusi nuk është i vetmi njeri që vuan nga i ashtuquajturi depresion dimëror. Edhe mjeku grek, Hipokrati (rr. 460- rr. 377 p.e.s.) mendonte se stinët ndikojnë te humori i njerëzve.

Gjithsesi, vetëm në vitet 80 të shekullit të 20-të, rënia e humorit në dimër ose depresioni dimëror u përkufizua si sindromë më vete. Studimet kanë zbuluar se, ndër veriorët, një përqindje e vogël e popullsisë vuan nga çrregullimi emocional stinor. Një formë më e lehtë, e quajtur nënsindromë e këtij çrregullimi, është përhapur tre ose katër herë më shumë. Mendohet se qindra mijë njerëz vuajnë në njëfarë mase nga kjo sindromë.

Andrei në Shën-Pjetërburg, Rusi, thotë: «Më flihet gjithë kohës.» Anikën, që jeton në Finlandë, e trishton ardhja e dimrit. Ajo thotë: «Nganjëherë errësira më bën të ndihem sikur vuaj nga klaustrofobia, sepse nuk ke si t’i shpëtosh.»

Specialistët këshillojnë një sërë metodash për ta përballuar depresionin dimëror. Për shembull, disa këshillojnë të qëndrosh jashtë sa më shumë gjatë orëve me dritë. Edhe ata që merren me aktivitete fizike në ambiente të hapura gjatë dimrit, thonë se kjo ua lehtëson trishtimin dimëror.

Jarmoja, që e ka provuar dimrin edhe në veri e në jug të Finlandës, thotë: «Gjatë periudhës më të errët ndezim më shumë qirinj dhe mbajmë më shumë drita ndezur.» Disa i ka ndihmuar terapia me dritë të fortë. Të tjerë shkëputen nga errësira e dimrit dhe shkojnë me pushime në një vend më në jug. Sidoqoftë, disa paralajmërojnë se kthimi në errësirën e dimrit pas pushimeve plot diell, mund t’i bëjë ca njerëz të ndihen edhe më të trishtuar.

Faktor tjetër që duhet mbajtur parasysh është edhe ushqimi. Meqë drita e diellit e ndihmon trupin të prodhojë vitaminën D, mungesa e dritës mund të shkaktojë mungesë të kësaj vitamine. Prandaj, disa këshillojnë që në dimër të konsumohen më shumë ushqime me vitaminë D, siç janë: peshku, mëlçia dhe bulmetrat.

Po ata faktorë që shkaktojnë errësirën e dimrit sjellin edhe bollëk drite. Teksa Toka rrotullohet në orbitën e saj, pak nga pak ajo i kthen diellit skajin e ftohtë. Drita e diellit gradualisht fillon të mbizotërojë gjatë ditës. Kështu vjen vera e Arktikut, stina ku mund të shijoni dritën e diellit edhe në mes të natës.

[Diçitura në faqen 27]

Një pjesë e mirë e ditës mund të përmblidhet me një fjalë, muzg

[Figura në faqen 26]

Mesdita gjatë dimrit arktik

[Burimi]

Dr. Hinrich Bäsemann/​Naturfoto-Online

[Figura në faqen 26]

Shumë vetave u sjell trishtim mungesa e dritës së diellit