Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Nuk jam më skllav i alkoolit (maj 2007)  I lexoj hera-herës revistat tuaja kur m’i sjellin Dëshmitarët. Artikujt më duken shumë inkurajues në krahasim me lajmet e zymta që jepen në televizor e nëpër gazeta. Personalisht nuk kam pasur kurrë probleme me alkoolizmin, por disa familjarë e disa miq të mi, po. Ai burrë për të cilin fliste artikulli thoshte se e la pijen pas tre muajsh, ndërkohë që kishte një jetë të tërë që vuante nga abuzimi me alkoolin. Edhe pse e përgëzoj për këtë, më duhet ta them se ky shembull nuk është aspak realist dhe mendoj se ka shumë mundësi të shkurajojë çdokënd që po lufton me këtë problem. Në përgjithësi alkoolistët bien disa herë në këtë ves gjatë rrugës së vështirë të shërimit.

Xh. A., Shtetet e Bashkuara

«Zgjohuni!» përgjigjet: Nuk kishim ndër mend të thoshim se është e lehtë të çlirohesh nga varësia e abuzimit me alkoolin. Jemi dakord se mjaft njerëz që mundohen t’i shpëtojnë kësaj varësie, me raste shkasin prapë në këtë ves dhe shkurajohen në rrugën drejt shërimit. Edhe ata që e lënë menjëherë pijen dhe nuk janë më në varësinë e alkoolit duhet të rrinë vigjilentë që të mos bien përsëri. Kështu, siç thuhej në artikull, pasi kishte kaluar dhjetë vjet pa vënë pije në gojë, ai burrë, që dikur ishte «skllav i alkoolit», pohoi: «Shumë veta nuk e dinë luftën e tmerrshme që bëj dhe se mjafton një gotë e vetme që t’i kthehem prapë avazit të vjetër. Dëshira për pijen ende më ngacmon. Duhen lutje të zjarrta dhe vendosmëri që të gjej forcën për të thënë jo.» Duke u mbështetur te Perëndia me anë të lutjes, shumë ia kanë dalë mbanë të mos jenë më skllevër të alkoolit.—Psalmi 55:22.

A mund t’i besoni Biblës? (nëntor 2007)  Jam 12 vjeçe dhe dua t’ju falënderoj për këtë numër special kaq interesant të revistës Zgjohuni! nga i cili mësova shumë. Më pëlqeu sidomos pjesa në faqen 7 që fliste për harmoninë e brendshme të Biblës. Ajo nxirrte në pah gjëra që as më kishin shkuar në mendje më parë. Mezi pres numrin tjetër special të kësaj reviste.

D. F., Shtetet e Bashkuara

Për të menduar Doja t’ju falënderoja për ndryshimet e bëra në revistën Zgjohuni! Pyetjet në fund të disa artikujve më kanë ndihmuar shumë. Ato më kanë ndihmuar të kujtoj informacionin, si dhe të meditoj për materialin. Ritmi i jetës sonë është kaq i shpejtë, saqë disa pika të rëndësishme e ndërtuese mund të na shpëtojnë gjatë leximit.

M.A.S., Brazil

Vdekja—Armike e përhershme? (dhjetor 2007)  Para gjashtë muajsh, mamaja ime humbi jetën në një aksident. Sa u ngushëllova kur lexova atë artikull që ma forcoi shpresën se do ta shoh përsëri kur të ringjallet! Shumë faleminderit!

L.L.R., Brazil

Të rinjtë pyesin . . . Pse ia vlen të jetosh sipas normave të Biblës? (nëntor 2007)  Mendoja se për sa kohë nuk kryeja imoralitet, s’kishte gjë të keqe të lidhesha me dikë. Por, s’kaloi shumë dhe nuk më mjaftonte vetëm të rrija me të dashurin. Fillova të kisha dëshira të papërshtatshme. Ju falënderoj jashtë mase që i paraqitni këto mësime nga Bibla në një mënyrë që kuptohen kollaj nga të rinjtë me pak përvojë.

E. F., Japoni