Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Në Gjermani vetëm 8 për qind e popullsisë janë të mendimit se aspekti më i rëndësishëm i Vigjiljes së Krishtlindjeve është ai fetar. Më 1980 kjo shifër ishte 47 për qind.—TV NEWS CHANNEL N24, GJERMANI.

«Për herë të parë në historinë e [SHBA-së], më shumë se një në 100 të rritur janë prapa hekurave. . . . Në rang kombëtar numri i të burgosurve [është] gati 1,6 milionë.»—THE NEW YORK TIMES, SHBA.

Nga një studim u zbulua se «100 për qind e spanjollëve që iu ishin bërë analizat», kishin në trup të paktën një lloj pesticidi, pra, «substanca që janë klasifikuar në shkallë ndërkombëtare si të rrezikshme për shëndetin».—UNIVERSITETI I GRANADËS, SPANJË.

«Në vendet që disponojnë informacione, të ardhurat nga taksat për duhanin janë 500 herë më të mëdha sesa ato të shpenzuara për parandalimin dhe kufizimet ndaj pirjes së duhanit.»—ORGANIZATA BOTËRORE E SHËNDETËSISË, ZVICËR.

Islamizmi ia ka kaluar katolicizmit për sa i përket numrit të besimtarëve. Në vitin 2006, 19,2 për qind e popullsisë së botës ishin myslimanë, kurse katolikë ishin 17,4 për qind.—AGJENSIA E LAJMEVE ROJTERS, BRITANI.

Parashuta ndihmon për të tërhequr anijen

Në këto kohë kur çmimi i karburantit po rritet dhe problemet e mjedisit sa vijnë e shtohen, pronarët e anijeve po kërkojnë mënyra për të pakësuar konsumin e karburantit dhe çlirimin e gazeve në atmosferë. Ata po përdorin një aleate të vjetër, erën. Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung thotë se tashmë është provuar një mënyrë duke përdorur një parashutë që ndihmon për të tërhequr anijen. Kjo parashutë e ngritur 300 metra në ajër shfrytëzon erën dhe bën të mundur që kapiteni të pakësojë punën e motorit të anijes. Kohët e fundit një parashutë me sipërfaqe 160 metra katrorë ndihmoi një anije mallrash të kalonte tejpërtej Atlantikut.

I mbijetojnë thatësirës

«Larvat e një mize afrikane i mbijetojnë thatësirave të mëdha duke u kthyer në sheqerka»,—thotë revista Science News. Kur çhidratohen jashtë mase, larvat e mizës Polypedilum vanderplanki e zëvendësojnë ujin në lëngun qelizor me një substancë si të qelqtë që ngjason me sheqerin e shkrirë kur ngurtësohet. Në këtë gjendje, metabolizmi i larvave ndërpritet krejt. Larvat mund të qëndrojnë në këtë «gjendje letargjie» edhe për 17 vjet, derisa shirat t’u japin prapë jetë.

Vendi ideal për astronominë

Një ekip ndërkombëtar ka ngritur në Dom-Argos një observator ku gjithçka realizohet nga robotët. Në lartësinë 4.000 metra mbi nivelin e detit ky vend është pika më e lartë në rrafshnaltën e Antarktidës Lindore. Meqë gjendet rreth 1.000 kilometra nga Poli i Jugut, atje është tepër ftohtë e nganjëherë mbretëron një errësirë e jashtëzakonshme. Ajri është shumë i thatë, nuk fryn dhe ka net që zgjatin katër muaj. Thuhet se Dom-Argosi është vendi më i mirë në mbarë tokën për vëzhgime astronomike. Lifan Uangi, drejtor i Qendrës Kineze për Astronominë në Antarktidë, thotë se, me një teleskop, në këtë vend «mund të marrim pamje që janë thuajse po aq cilësore sa ato që merren në hapësirë, por me një kosto shumë më të ulët sesa po të çonim një teleskop atje».