Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të ndahemi?

A duhet të ndahemi?

Të rinjtë pyesin

A duhet të ndahemi?

«Tre muaj pasi ishim lidhur, që të dy thoshim se gjithçka shkonte për mrekulli. Thoshim se do të kalonim gjithë jetën së bashku, sikur kjo të ishte punë e mbaruar.»—Xhesika. *

«Çmendesha pas tij dhe pas nja dy vjetësh ai më vuri re. Doja të kisha një të dashur më të madh që të kujdesej për mua.»—Kela.

Në fund, si Xhesika edhe Kela u ndanë. Pse? Mos u treguan budallaçka që hoqën dorë nga djem kaq fantastikë?

KE GATI një vit që je lidhur me dikë. Në fillim ndiheshe e sigurt se ai ishte njeriu i duhur për ty.  * Nganjëherë të zgjohen sërish ato ndjenja romantike që provoje në fillim të lidhjes, por tani ke nisur të lëkundesh ca. A duhet t’i shpërfillësh dyshimet? Si ta kuptosh nëse duhet të ndaheni?

Në fillim duhet të përballesh me një fakt kokëfortë: të mbyllësh sytë para shenjave të këqija në një lidhje, është si të shpërfillësh sinjalet paralajmëruese në kruskotën e makinës. Problemi nuk zhduket, thjesht mund të rëndohet. Cilat janë disa shenja të këqija në një lidhje ndaj të cilave bën mirë të hapësh sytë?

Gjërat po ecin tepër shpejt. Kur një lidhje ecën tepër shpejt, mund të lindin probleme. Kela kujton: «Komunikonim me e-mail, chat room dhe me telefon. Ky lloj komunikimi mund të ketë ndikim më të fuqishëm sesa po të flasësh ballë për ballë, sepse futesh më shpejt në gjëra tepër personale.» Mos ia moho vetes mundësinë për t’u njohur mirë me njëri-tjetrin. Një marrëdhënie nuk duhet të jetë si një barishte që rritet shpejt e pastaj thahet. Përkundrazi, duhet të jetë si një bimë e çmuar që do kohë të rritet.

Më kritikon dhe më poshtëron. «I dashuri gjithnjë më ulte dinjitetin,—thotë Ana,—por doja marrëzisht të isha me të.» Më tej shton: «Toleroja gjëra që kurrë s’e kisha çuar nëpër mend se do t’i lejoja.» Bibla dënon ‘sharjet’. (Efesianëve 4:31) Fjalët poshtëruese, edhe kur thuhen me qetësi e pa nerva, s’kanë vend në një lidhje të dashur.—Proverbat 12:18.

Ka temperament shpërthyes. «Njeriu me aftësi dalluese është gjakftohtë»,—thuhet te Proverbat 17:27. Erina pa se i dashuri e kishte këtë të metë. Ajo thotë: «Kur kishim mosmarrëveshje, ai më shtynte dhe ndonjëherë përfundoja e mavijosur.» Bibla u thotë të krishterëve: «Hiqni çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi.» (Efesianëve 4:31) Një njeri që s’ka shumë vetëkontroll nuk është gati për të nisur një lidhje.—2 Timoteut 3:1, 3, 5.

E mban sekret lidhjen tonë. Anxhela sjell ndër mend: «Shoku im nuk donte që të tjerët ta dinin se kishim një lidhje. Madje u mërzit kur e mori vesh babi im.» Natyrisht, mund të ketë arsye të vlefshme përse një çift nuk u tregon të gjithëve për lidhjen e tyre. Por një përpjekje e qëllimshme për t’ua mbajtur sekret edhe atyre që kanë të drejtën ta dinë, sinjalizon telashe.

Nuk ka ndër mend të martohemi. Për të krishterët, një lidhje niset me një qëllim fisnik: të ndihmojë një djalë e një vajzë të kuptojnë nëse dëshirojnë të martohen me njëri-tjetrin. Sigurisht kjo nuk do të thotë se duhet të bësh plane për martesën me të filluar lidhjen. Shumë veta nuk përfundojnë në martesë me personin e parë që lidhen. Nga ana tjetër, një njeri nuk duhet të nisë një lidhje po të mos jetë gati të mbajë mbi supe përgjegjësitë e martesës.

Lidhja jonë është ndahu-bashkohu. Te Proverbat 17:17 thuhet: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë.» Kjo nuk do të thotë se gjithnjë do të keni një mendje. Por një lidhje që luhatet sa te ndarja te bashkimi, tregon se ka diçka më të thellë që nuk shkon, siç e kuptoi edhe Ana. Ajo thotë: «Ndahesha kushedi sa herë me të dashurin dhe më bëhej zemra copë. Por i kthehesha prapë një lidhjeje që më mirë të mos e kisha.»

Më bën presion të bëjmë seks. «Nëse më do, do ta bësh.» «Duhet ta çojmë një hap më tej lidhjen.» «Nuk quhet seks nëse s’bëjmë marrëdhënie.» Të gjitha këto janë fraza mashtruese që djemtë kanë përdorur për t’i shtyrë vajzat drejt marrëdhënieve seksuale. Te Jakovi 3:17 thuhet: «Mençuria nga lart është para së gjithash e dëlirë.» Ti meriton një djalë që është i pastër moralisht dhe që respekton kufijtë e tu të dëlirësisë seksuale. Mos bëj asnjë lëshim në këtë pikë!

Të tjerët më kanë paralajmëruar për të. Bibla thotë: «Planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim, por përmbushen aty ku ka shumë këshilltarë.» (Proverbat 15:22) «S’mund të shpërfillësh mendimet e familjarëve dhe miqve të vjetër, ashtu siç nuk mund të shpërfillësh as zilet e alarmit që ndien brenda teje,—thotë Xhesika.—Sa më shumë i shpërfill ato që thonë të tjerët, aq më të vështirë ia bën vetes.»

Më sipër janë renditur vetëm disa nga shenjat e këqija që paralajmërojnë telashe në një lidhje. * Nëse je lidhur me dikë, si është në këto pika shoku yt? Më poshtë shkruaj ndonjë shqetësim që ke.

․․․․․

Si të ndahem?

Ta zëmë se vendos që do të ishte më mirë t’i jepje fund lidhjes. Si ta bësh? Ka disa mënyra, por mbaj parasysh sa vijon.

Ki guxim. «Isha bërë kaq e varur nga i dashuri, saqë kisha frikë ta lija»,—thotë Tina. Duhet guxim për të folur hapur kur duhet t’i japësh fund një lidhjeje. Por është e mençur t’i dalësh zot vetes dhe t’i bësh të qarta ndjenjat e tua. (Proverbat 22:3) Kjo të jep mundësi të vësh kufij të qartë se çfarë do të tolerosh e çfarë nuk do të tolerosh në një lidhje, e më vonë edhe në martesë.

Vepro me drejtësi. Si do të doje të të trajtonin po të ishe ti në vendin e tjetrit? (Mateu 7:12) Sigurisht, shoku yt meriton më shumë se një e-mail të shkurtër, një mesazh në celular apo në sekretarinë telefonike që thotë: «Mori fund!»

Gjej vendin e duhur. Duhet të flasësh ballë për ballë apo me telefon? Duhet të shkruash një letër apo të bisedosh? Varet shumë nga rrethanat. Mos u tako në ndonjë vend ku je në rrezik dhe as në ndonjë vend të veçuar ku mund të ndizen dëshira të gabuara.—1 Selanikasve 4:3.

Fol me sinqeritet. Thuaj hapur përse mendon se kjo lidhje s’mund të vazhdojë. Nëse mendon se shoku yt nuk të ka trajtuar si duhet, thuaja. Fjalët që zgjedh duhet të tregojnë si ndihesh. Për shembull, në vend që të thuash: «Ti gjithnjë më poshtëron», thuaj: «Ndihem e poshtëruar kur ti . . . »

Ji e gatshme edhe të dëgjosh. Mos je keqkuptuar për ndonjë gjë? Mos lejo të mashtrohesh nga fjalët e zgjuara, por nga ana tjetër, ji e arsyeshme dhe merri parasysh të gjitha faktet. Bibla na këshillon me mençuri ‘të jemi të shpejtë në të dëgjuar e të mos nxitohemi në të folur’.—Jakovi 1:19.

[Shënimet]

^ par. 3 Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.

^ par. 6 Ndonëse në këtë artikull çështja paraqitet nga këndvështrimi i një vajze, parimet zbatohen edhe për djemtë.

^ par. 16 Për më shumë informacione shih revistën Zgjohuni! të majit 2007, faqet 18-20.

PËR TË MENDUAR

▪ Rendit cilësitë që për ty janë thelbësore te njeriu me të cilin do të lidhesh. ․․․․․

▪ Cilat të meta për ty janë të papranueshme? ․․․․․

[Kutia në faqen 20]

NJERIU QË ZGJEDH TË SHOQËROHESH DUHET . . .

□ të ketë bindjet e tua fetare.—1 Korintasve 7:39.

□ të respektojë kufijtë e tu moralë.—1 Korintasve 6:18.

□ të mbajë parasysh nevojat e tua dhe të të tjerëve.—Filipianëve 2:4.

□ të ketë reputacion të mirë.—Filipianëve 2:20.

[Kutia në faqen 20]

KI KUJDES NËSE SHOKU YT . . .

□ gjithnjë ngul këmbë që t’i dalë e vetja.

□ vazhdimisht të bën të ndihesh fajtore, budallaqe ose pa vlerë.

□ përpiqet të të mbajë larg nga miqtë dhe familjarët.

□ të kontrollon gjithnjë se ku je.

□ të akuzon se flirton me të tjerët kur nuk ka asnjë bazë për këtë.

□ të kërcënon ose të jep ultimatume.

[Figura në faqen 19]

Të mbyllësh sytë para shenjave të këqija në një lidhje, është si të shpërfillësh sinjalet paralajmëruese në kruskotën e makinës

KONTROLLO VAJIN