Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A janë problemet e tua ndëshkim nga Perëndia?

A janë problemet e tua ndëshkim nga Perëndia?

Pikëpamja e Biblës

A janë problemet e tua ndëshkim nga Perëndia?

«Më duket sikur po ndëshkohem»,—thotë një grua nga mesi i të 50-ave, pasi merr vesh se ka kancer. Kur mendon për diçka të keqe që ka bërë vite më parë, ajo nxjerr si përfundim: «Siç duket me këtë Zoti po më thotë se kam mëkatuar.»

KUR u bien halle të mëdha, shumë njerëz mendojnë se po i ndëshkon Perëndia për ndonjë të keqe që kanë bërë dikur. Nëse papritur përballen me një mal problemesh, qahen: «Pse mua? Çfarë kam bërë që ta meritoj këtë?» A duhet të arrijmë në përfundimin se problemet tregojnë që Perëndia nuk na miraton? A janë vërtet ndëshkim nga Perëndia vuajtjet që përjeton secili prej nesh?

Adhurues besnikë që vuajtën

Vër re çfarë thotë Bibla për një burrë të quajtur Job. Krejt papritur ai humbi pasurinë. Më pas i vdiqën të dhjetë fëmijët nga një stuhi. S’kaloi shumë dhe i ra një sëmundje ligështuese dhe e neveritshme. (Jobi 1:13-19; 2:7, 8) Pas këtyre vuajtjeve Jobi tha: «Dora e Perëndisë më ka goditur.» (Jobi 19:21, Diodati i Ri) Me sa duket, ashtu si shumë veta sot, Jobi mendonte se Perëndia po e ndëshkonte.

Mirëpo, Bibla tregon që, para se Jobit t’i binin hallet, vetë Perëndia e kishte quajtur njeri ‘të paqortueshëm dhe të drejtë, që kishte frikë nga Perëndia dhe që i largohej së keqes’. (Jobi 1:8) Përderisa Perëndia tregoi se e miratonte, është e qartë se vuajtjet e Jobit nuk ishin ndëshkim nga Perëndia.

Ç’është e vërteta, në Bibël gjen plot ngjarje për njerëz të drejtë që hoqën vuajtje. Jozefi, ndonëse ishte shërbëtor besnik i Perëndisë, kaloi padrejtësisht vite të tëra në burg. (Zanafilla 39:10-20; 40:15) Timoteu, një i krishterë besnik, kishte ‘sëmundje të shpeshta’. (1 Timoteut 5:23) Edhe Jezu Krishti, që nuk bëri asnjë të keqe, u trajtua mizorisht e më pas pati një vdekje tepër të dhembshme. (1 Pjetrit 2:21-24) Pra, është e gabuar të nxjerrim përfundimin se vuajtjet janë shprehje të pakënaqësisë së Perëndisë. Por, nëse vuajtjet nuk vijnë nga Perëndia, atëherë nga vijnë?

Shkaqet e problemeve tona

Bibla tregon se shkaku i tragjedive të Jobit ishte Satana Djalli. (Jobi 1:7-12; 2:3-8) Veç kësaj, ajo bën të qartë se Satanai është burimi kryesor i problemeve tona sot, kur thotë: «Mjerë ti tokë e ti det, sepse Djalli zbriti ndër ju me zemërim të madh, ngaqë e di se ka një periudhë kohe të shkurtër!» (Zbulesa 12:12) Si «sundimtari i kësaj bote», Satanai ka bërë që shumë veta të kryejnë vepra të liga, dhe kjo ka sjellë mjerime e dhembje të papara.—Gjoni 12:31; Psalmi 37:12, 14. *

Megjithatë, nuk duhet t’ia vëmë menjëherë fajin Djallit për çdo problem. Si rrjedhojë e mëkatit të trashëguar dhe papërsosmërisë, kemi prirjen të marrim vendime jo të mençura që mund të na sjellin probleme. (Psalmi 51:5; Romakëve 5:12) Për shembull, përfytyro një njeri që me dashje nuk ushqehet mirë e nuk pushon sa duhet. Nëse kjo dalëngadalë i shkakton probleme të rënda shëndetësore, a duhet t’ia vërë fajin Djallit? Jo, ai thjesht ka korrur pasojat e hidhura të gjykimit të vet të dobët. (Galatasve 6:7) Në këtë rast ndodh siç thotë një proverb biblik: «Marria e vet njeriut ia prish jetën.»—Proverbat 19:3, Simon Filipaj.

Së fundi, duhet kuptuar se shumë përvoja të këqija vijnë ngaqë njerëzve «u rastis të kalojnë kohë të vështira dhe të përjetojnë ngjarje të paparashikuara». (Eklisiastiu 9:11) Mendo për dikë që gjendet befas mes një shtrëngate. Do të laget pak apo do të bëhet qull, kjo mund të varet nga vendi ku rastis të jetë kur nis shiu. Po ashtu, në këto «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», kushtet e këqija mund të kthehen sa hap e mbyll sytë në një rrebesh problemesh. (2 Timoteut 3:1-5) Se sa vuajtje heq secili nga ne, shpesh varet nga koha dhe nga rrethanat që i kemi pak ose aspak në dorë. A do të thotë kjo se vuajtjet nuk do të na ndahen kurrë?

Së shpejti gjithë vuajtjet do të marrin fund

Është lehtësuese që Perëndia Jehova shumë shpejt do t’u japë fund të gjitha vuajtjeve. (Isaia 25:8; Zbulesa 1:3; 21:3, 4) Ndërkaq, ai tregon se interesohet vërtet për ne, duke na ‘mësuar’ dhe ‘ngushëlluar nga Shkrimet’ që t’u bëjmë ballë problemeve të sotme teksa presim me padurim të ardhmen e mrekullueshme që është në prag. (Romakëve 15:4; 1 Pjetrit 5:7) Në atë kohë, ata që janë të drejtë në sytë e Perëndisë do të jetojnë në botën e re pafundësisht dhe pa asnjë vuajtje.—Psalmi 37:29, 37.

[Shënimi]

A DONI TË DINI?

▪ A kalojnë vuajtje vetëm njerëzit e këqij?​—Jobi 1:8.

▪ A e ka fajin Djalli për të gjitha problemet tona?​—Galatasve 6:7.

▪ A do të vazhdojnë përgjithnjë vuajtjet?​—Zbulesa 21:3, 4.

[Diçitura në faqen 29]

«Të gjithëve u rastis të kalojnë kohë të vështira dhe të përjetojnë ngjarje të paparashikuara.»​—Eklisiastiu 9:11