Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A po shteron uji?

A po shteron uji?

A po shteron uji?

Një fjalë e urtë uzbeke thotë: «Kur shteron uji, shteron jeta.» Këtë disa specialistë nuk do ta quanin proverb, por parashikim. Çdo vit vdesin rreth dy milionë veta si pasojë e kushteve të këqija higjienike dhe ujit të ndotur, e 90 për qind e viktimave janë fëmijë.

SI E merrni ju ujin? Thjesht hapni rubinetin dhe del uji? Apo, siç ndodh rëndom në disa vende, duhet të bëni goxha udhë më këmbë, të mbani radhë e pastaj të çoni në shtëpi kovën e rëndë me lëngun e çmuar? A ju ikin orë të tëra vetëm e vetëm që të siguroni mjaft ujë për larje e gatim? Ja sa i rrallë është uji dhe me sa mundim sigurohet ai në shumë vende. Në librin Luftërat për ujin: Thatësirat, përmbytjet, marrëzia dhe politika e etjes, Diana Reins Uardi thotë se 40 për qind e popullsisë së botës «e merr ujin në puse, lumenj, rezervuarë dhe pellgje jashtë shtëpive». Në disa vende, gratë harxhojnë deri në gjashtë orë që të nxjerrin ujë për familjet e tyre. Pastaj me zor e çojnë gjer në shtëpi, me enë që peshojnë mbi 20 kile kur mbushen plot.

Më shumë se një e treta e popullsisë së botës po e heq në kurriz krizën e ujit dhe të kushteve higjienike. Situata është e rëndë sidomos në Afrikë, ku 6 në 10 veta nuk kanë as edhe një banjë për së mbari. Pasojë e kësaj, sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është «përhapja e baktereve, viruseve dhe parazitëve që gjenden në jashtëqitjet e njeriut, të cilat . . . ndotin burimet e ujit, dheun e ushqimin». Kjo ndotje, siç thotë raporti, «është ndër shkaqet kryesore të diarresë, vrasësit numër 2 të fëmijëve në vendet në zhvillim, dhe i sëmundjeve të tjera të rënda, si: kolera, skistosomiaza e trakoma».

Uji është quajtur floriri i lëngët, nafta e shekullit të 21-të. Prapëseprapë, kombet po e shpërdorojnë aq shumë këtë lëng të çmuar, sa lumenjve të mëdhenj mezi u mbetet ujë për të derdhur në det. Vaditjet dhe avullimi bëjnë kërdinë, ndaj dora-dorës po shterin edhe lumenj të famshëm, si: Koloradoja në perëndim të Shteteve të Bashkuara, Janceja në Kinë, Indi në Pakistan, Gangu në Indi dhe Nili në Egjipt. Ç’është bërë për ta lehtësuar krizën? Cila është zgjidhja përfundimtare?

[Kutia dhe figura në faqen 3]

UJI NË RREZIK

▪ «Në vitin 1960, deti Aral në Azinë Qendrore ishte liqeni i katërt më i madh në botë. Më 2007, ishte katandisur sa 10 për qind e madhësisë së dikurshme.»​—Scientific American.

▪ Pesë Liqenet e Mëdha në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada—Erie, Huron, Miçigan, Ontario dhe Liqeni i Sipërm—po zvogëlohen me «shpejtësi alarmuese».​—The Globe and Mail.

▪ Dikur mulliri i Denilikuinit në Australi bluante drithë për 20 milionë njerëz. Mirëpo tani prodhimi i orizit ka rënë me 98 për qind dhe në dhjetor të 2007-s mulliri u mbyll. Shkaku? «Gjashtë vite të gjata thatësire.»​—The New York Times.

[Figura]

Anije në tokë të shkretë në detin Aral

[Burimi]

© Marcus Rose/​Insight/​Panos Pictures

[Kutia dhe hartat në faqen 4]

«THAHEN LUMENJTË E PËRRENJTË»

«Njëherë e një kohë, liqeni Çad në Afrikë ishte pikë referimi për astronautët që i binin përqark globit, kurse tani ata mezi e pikasin. Liqeni ndodhet mes shteteve [Kamerun], Çad, Niger dhe Nigeri . . . , dhe që në vitet 60 është zvogëluar me 95 për qind. Në atë zonë, kërkesa për ujë vaditjeje ka arritur kulmin, e si pasojë po thahen lumenjtë e përrenjtë që ushqejnë liqenin. Kështu, liqeni Çad së shpejti mund të zhduket krejt dhe vendndodhja e tij mund të mbetet mister për brezat e ardhshëm.»—Plani B 2.0—Shpëtimi i një planeti në vështirësi dhe i një qytetërimi në telashe, nga Lester R. Brauni.

[Hartat]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Ujë

☒ Bimësi

□ Tokë

1963

NIGER

ÇAD

Liqeni Çad

NIGERI

KAMERUN

2007

NIGER

ÇAD

Liqeni Çad

NIGERI

KAMERUN

[Burimi]

NASA/​U.S. Geological Survey