Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjetëm atë që kërkonim

Gjetëm atë që kërkonim

Gjetëm atë që kërkonim

Treguar nga Bert Tollmani

E kujtoj me mall fëmijërinë në Rezervatin e Gjakut, një komunitet indianësh që është pjesë e popullit të këmbëzinjve në Albertë, Kanada. Shtëpia jonë nuk ishte larg Maleve Shkëmbore të Kanadasë dhe Liqenit të bukur të Luizës.

NË FAMILJE ishim shtatë djem dhe dy vajza. Shpesh bashkë me vëllezërit e motrat shkonim te gjyshja. Ajo ishte mjaft punëtore dhe na mësonte mënyrën tradicionale të jetesës që kishin ndjekur shumë breza këmbëzinjsh para nesh. Mësuam si të mblidhnim fruta pylli, si të gatuanim ushqime tradicionale dhe si të mbillnim kopshtin. Gjyshi dhe babai më merrnin shpesh me vete për gjueti dhe peshkim. Gjuanim drerë e kaproj për t’u marrë mishin e lëkurën. Prindërit punonin pa u lodhur dhe bënin çmos të na krijonin kushte të mira në shtëpi. Më pëlqente jeta në rezervat.

Mirëpo gjithçka ndryshoi kur gjyshja vdiq në vitin 1963. Isha pesë vjeç, dhe kjo më turbulloi. Asgjë që dëgjoja nuk më ngushëllonte. Edhe pse isha njomëzak, pyesja veten: «Nëse ka një Krijues, ku është? Pse njerëzit vdesin?» Nganjëherë rënkoja nga mërzia. Kur prindërit më pyetnin ç’kisha, u thosha se më dhimbte ndonjë gjë.

Jetoj mes njerëzve të bardhë

Para se të vdiste gjyshja, s’kishim të bënim shumë me njerëzit e bardhë. Sa herë i shihnim, dëgjoja të tjerë që thoshin: «Ja një nga ata të bardhët, i lig dhe lakmitar, pa zemër. Ata nuk janë njerëz.» Më kishin paralajmëruar se fare pak njerëz të bardhë ishin të sinqertë dhe s’mund t’u zije besë. Ndonëse isha kureshtar për t’i takuar, bëja kujdes, sepse njerëzit e bardhë në zonën tonë shpesh talleshin me ne dhe na thoshin fjalë përçmuese.

Jo shumë kohë pasi gjyshja mbylli sytë, prindërit nisën të abuzonin me alkoolin. Ato ishin ndër vitet më të zymta të jetës sime. Kur isha tetë vjeç, dy mormonë nisën të na vinin në shtëpi. Dukeshin njerëz të mirë. Prindërit ranë dakord me ftesën e tyre që unë të merrja pjesë në një program sistemimi. Me sa kuptova, ky program kishte si qëllim që të ndryshonte fëmijët indianë duke i vënë të jetonin me njerëz të bardhë. Me sa duket, të detyruar nga rrethanat, prindërit mendonin se ishte më mirë që unë të jetoja me një familje tjetër. Isha i tronditur dhe i zhgënjyer, pasi i kisha dëgjuar të thoshin se njerëzve të bardhë s’mund t’u besoje. Nuk doja të shkoja dhe u mundova që kjo të mos ndodhte. Si përfundim, pranova kur prindërit më siguruan se me mua do të vinte edhe vëllai i madh.

Megjithatë, kur arritëm në Vankuver, në Kolumbinë Britanike, më ndanë nga vëllai dhe më çuan 100 km larg. Ndihesha si mos më keq. Edhe pse familja që më mikpriti ishin njerëz të mirë, për mua ishte një përvojë tronditëse dhe ndihesha i tmerruar. Pas dhjetë muajsh u ktheva në shtëpi.

Sërish me prindërit

Megjithëse gjendja në shtëpi s’kishte ndryshuar dhe aq, u kënaqa që u ktheva në shtëpi. Kur isha gati 12 vjeç, prindërit e lanë pijen. Kjo më lehtësoi, por tashmë isha futur në rrugë të keqe, pasi kisha filluar drogën dhe alkoolin. Prindërit më nxitnin të merresha me diçka tjetër, si garat rodeo, që i kisha me qejf. Garat rodeo nuk ishin për njerëzit zemërlepur. Mësova të ngisja demat që shkelmonin. Qëndroja mbi ta të paktën tetë sekonda pa më hedhur, teksa mbahesha vetëm me një dorë te litari i lidhur në barkun e demit.

Kur isha adoleshent, pleqtë e fisit më njohën me fenë e të parëve. I hyra me interes, sepse nuk kisha dhe aq respekt për fetë e njerëzve të bardhë. Arsyetoja se zakonet e këmbëzinjve ushqenin mirësinë dhe drejtësinë që nuk gjendeshin në shumë fe «të krishtere». Ndihesha rehat me popullin tim dhe më pëlqente humori e afrimiteti mes familjarëve e miqve.

Në këtë kohë mësova edhe për padrejtësitë që kishin pësuar indianët për shekuj me radhë. Më thoshin se njeriu i bardhë kishte përhapur sëmundje mes nesh dhe kishte shfarosur bizonin, aq jetik për ne. Thuhet se kolonel R. I. Doxhi, i ushtrisë amerikane, urdhëroi: «Vritni çdo bizon që ju del para. Çdo bizon i vrarë është një indian më pak.» Mësova se kjo e ligështoi popullin e këmbëzinjve dhe ua preu krahët.

Veç kësaj, disa qeveritarë dhe aleatët e tyre fetarë kishin bërë çmos të asimilonin dhe të transformonin indianët që i konsideronin njerëz të egër. Ata besonin se gjithçka e indianëve duhej ndryshuar: kultura, bindjet, sjellja dhe gjuha, që të bëheshin si të bardhët. Në Kanada, disa fëmijë indianë vuajtën nga abuzimet në shkollat fetare me konvikt. Të tjerë panë si zgjidhje drogën, alkoolin, dhunën dhe vetëvrasjen, probleme që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite nëpër rezervate.

Për t’u shpëtuar këtyre problemeve, disa indianë vendosën ta braktisnin kulturën e këmbëzinjve. Ata u flitnin anglisht fëmijëve, jo gjuhën amtare, dhe u munduan të imitonin të bardhët. Gjithsesi, në vend që të pranoheshin, shumë nga këta i tallnin jo vetëm njerëzit e bardhë, por edhe indianët e tjerë, që i quanin indianë-mollë: të kuq nga jashtë e të bardhë nga brenda.

Të copëtohej zemra tek shihje indianët që hiqnin aq shumë vuajtje. Doja me gjithë shpirt kushte më të mira për njerëzit në rezervatin tonë dhe për të tjerët anembanë Kanadasë e Shteteve të Bashkuara.

Dëshiroja me zjarr përgjigjet

Gjatë adoleshencës mendoja se të tjerët nuk do të më pranonin kurrë. Shpesh ndjenja e inferioritetit më kthehej në inat. Madje nisa t’i urreja njerëzit e bardhë. Gjithsesi, prindërit dhe halla më këshillonin të mos ushqeja ndjenjat e këqija të urrejtjes e të hakmarrjes; ata më inkurajonin të falja, të tregoja dashuri dhe të mos ua vija veshin paragjykimeve. Më vonë pashë se kjo këshillë ishte në përputhje me parimet e Biblës. Gjithashtu, ende isha i etur për përgjigjet e pyetjeve që më kishin munduar në fëmijëri. Më lindën edhe pyetjet pse ekzistojmë dhe pse vazhdojnë padrejtësitë. Për mua s’kishte pikë kuptimi që njeriu të jetonte kaq pak e në fund të vdiste. Isha i pështjelluar.

Sa herë vinin Dëshmitarët e Jehovait, më dërgonin mua të hapja derën. Gjithnjë i respektoja, sepse dukeshin pa paragjykime. Ndonëse e kisha të vështirë t’i formuloja pyetjet siç duhej, ngaherë bënim biseda interesante. Mbaj mend kur na erdhi për vizitë Xhon Brusteri dhe Heri Kalihu i cili ishte një Dëshmitar nga populli ynë. Folëm gjatë tek ecnim përmes stepave. Mora një libër dhe e lexova gjysmën, por pastaj nuk e di si më humbi.

Jepem pas garave rodeo

U kërkoja këshilla të moshuarve në rezervatin tim. Edhe pse i vlerësoja këshillat e tyre të mençura, kurrë nuk mora përgjigje bindëse për pyetjet që kisha rreth jetës. Kur isha rreth 16 vjeç, ika nga shtëpia dhe u dhashë pas garave rodeo. Në festat ku shkoja pas garave ishin të zakonshme dehjet dhe abuzimi me drogën. Më vriste ndërgjegjja, sepse e dija që një sjellje e tillë ishte e gabuar dhe e ndieja se Perëndia nuk e miratonte mënyrën si jetoja. Shpesh i lutesha Krijuesit të më jepte ndihmë që të bëja çka ishte e drejtë dhe të gjeja përgjigjet e pyetjeve që ende më mundonin.

Në vitin 1978, kur isha në Kalgari, njoha një vajzë indiane me emrin Roza. Ajo ishte gjysmë nga indianët këmbëzinj dhe gjysmë nga indianët kri. Kishim të njëjtat interesa dhe mund të flitja hapur e lirshëm me të. Ramë në dashuri dhe u martuam në vitin 1979. U bëmë me një vajzë, Karmën, dhe me një djalë, Xharedin. Roza ka qenë bashkëshorte besnike, mbështetje e fortë dhe nënë e mirë. Një ditë, kur kishim shkuar si familje për vizitë te vëllai im i madh, gjeta librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë. * Më tërhoqi ajo që lexova dhe m’u duk mjaft e arsyeshme. Por tamam kur fillova ta kuptoja mesazhin e Biblës, arrita te një pjesë e librit që i kishte faqet të grisura. Bashkë me Rozën nga s’kërkuam për ato faqe, por më kot. Prapëseprapë vazhdova të lutesha për ndihmë.

Vizitë te prifti

Në pranverën e vitit 1984, Roza lindi fëmijën tonë të tretë, një vajzë të bukur, Kejlën. Por vetëm pas dy muajsh, Kejla vdiq nga një sëmundje zemre e lindur. Ishim të dërrmuar dhe nuk dija si ta ngushëlloja Rozën. Ajo ma mbushi mendjen të shkonim bashkë te prifti katolik i rezervatit që të gjenim ngushëllim dhe përgjigjet e pyetjeve tona.

E pyetëm përse duhej të vdiste vogëlushja jonë dhe ku kishte shkuar. Ai na tha se Perëndia e mori Kejlën se i duhej një engjëll tjetër. Mendoja: «Pse Perëndia duhej të merrte vajzën tonë që të bëhej një engjëll, nëse ai është Krijuesi i Plotfuqishëm? E ç’ndihmë do t’i jepte një foshnjë e brishtë?» Prifti s’e hapi as edhe një herë Biblën. Kur u larguam, ndiheshim bosh.

Na ndihmon lutja

Një mëngjes të hëne, nga fundi i nëntorit 1984, po lutesha gjatë duke iu përgjëruar Perëndisë për ndihmë që të bëhesha njeri më i mirë, të kuptoja atë që po ndodhte dhe të gjeja qëllimin e jetës. Po atë mëngjes trokitën në derë dy Dëshmitare të Jehovait, Diana Belemi dhe Kerën Skoti. Ishin të sinqerta dhe të sjellshme dhe flitnin tërë entuziazëm. I dëgjova, mora një Bibël e librin e titulluar Mbijetesë për në një tokë të re * dhe pranova që Diana të kthehej po atë javë me të shoqin, Darilin.

Vetëm kur ato u larguan, më shkoi në mendje se kjo duhej të ishte përgjigjja e lutjes sime. Isha kaq i emocionuar saqë bëja ecejake nëpër shtëpi, duke pritur me padurim Rozën të kthehej nga puna dhe t’i tregoja ç’kishte ndodhur. Sa u habita kur Roza më tha se edhe ajo ishte lutur një natë përpara dhe i kishte kërkuar Perëndisë të gjente fenë e duhur. Atë të premte studiuam për herë të parë Biblën. Më vonë morëm vesh se atë ditë që erdhën te ne, Kerën dhe Diana nuk kishin gjetur dot shtëpitë ku ishin nisur të predikonin. Por, kur panë shtëpinë tonë, u nxitën të vinin te ne.

Më në fund gjej përgjigjet

Kur ne nisëm të studionim Biblën, fisi dhe miqtë fillimisht u habitën dhe na rrinin ftohtë. Pastaj na bënë presion duke na thënë se po e çonim dëm jetën dhe nuk po i shfrytëzonim talentet dhe aftësitë tona. Megjithatë ishim të vendosur të mos ia kthenim krahët Mikut që sapo kishim njohur, Krijuesit tonë, Jehovait. Në fund të fundit kishim gjetur diçka të çmuar: të vërtetat e mrekullueshme dhe sekretet e shenjta të Fjalës së Perëndisë, Biblës. (Mateu 13:52) Roza dhe unë u pagëzuam si Dëshmitarë të Jehovait në dhjetor të 1985-s. Tani të afërmit kanë mjaft respekt për Dëshmitarët e Jehovait, ngaqë kanë parë se jeta jonë ka ndryshuar për mirë pas pagëzimit.

Po, gjeta atë që kërkoja! Përgjigjet e Biblës për pyetjet e rëndësishme janë të thjeshta e logjike. U kënaqa kur mësova qëllimin e jetës, arsyen pse vdesim dhe premtimin e Perëndisë që mund ta takojmë sërish vajzën tonë, Kejlën, e ta shohim të rritet në kushte të përsosura. (Gjoni 5:28, 29; Zbulesa 21:4) Me kalimin e kohës mësova edhe se nuk duhet të abuzojmë me trupin, duhet ta respektojmë jetën dhe të mos ngjallim konkurrencë. (Galatasve 5:26) Edhe pse ishte e vështirë, vendosa të mos ngisja më dema dhe të lija garat rodeo që t’i pëlqeja Perëndisë.

Njohuria e saktë nga Bibla na liroi nga besëtytnitë që mundojnë shumë indianë, siç janë besimi se ardhja e kukuvajkës ose angullima e fortë e qenit ndjell vdekjen e një familjari. Nuk kemi më frikë se mos na bëjnë keq frymërat e padukshme brenda krijesave të tjera ose objekteve pa jetë. (Psalmi 56:4; Gjoni 8:32) Tani i çmojmë krijimet e mrekullueshme të Jehovait. Kam miq nga shumë kombe, që i quaj vëllezër e motra. Ata na pranojnë si të barabartë dhe si bashkëshërbëtorë të Perëndisë. (Veprat 10:34, 35) Shumë prej tyre po përpiqen me gjithë shpirt të mësojnë kulturën e bindjet e indianëve, si edhe gjuhën e këmbëzinjve, që t’ua japin mesazhin e Biblës në mënyrë sa më tërheqëse.

Familja jonë jeton në Rezervatin e Gjakut, në jug të provincës së Albertës, ku kemi një fermë të vogël. Ende na kënaq kultura indiane: ushqimet, muzika dhe vallet tradicionale. Nuk marrim pjesë në vallet gjatë grumbullimeve tradicionale që ndonjëherë quhen pau-uau, por na pëlqen t’i shohim kur janë të përshtatshme. Gjithashtu, jam përpjekur t’u kaloj fëmijëve trashëgiminë tonë kulturore dhe t’u mësoj gjuhën e këmbëzinjve. Shumë indianë njihen për cilësitë e mrekullueshme: janë dashamirës, të përulur dhe kujdesen me dashuri për familjen dhe miqtë. Gjithashtu njihen për mikpritjen dhe për respektin që u tregojnë të tjerëve, edhe atyre që kanë prejardhje të ndryshme. Ende i çmoj dhe i admiroj këto gjëra.

Ajo që na jep më shumë gëzim është se e përdorim kohën dhe gjithçka kemi për t’i ndihmuar të tjerët ta njohin Jehovain dhe ta duan. Djali ynë, Xharedi, shërben si vullnetar në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait pranë Torontos. Unë kam privilegjin të shërbej si plak në kongregacionin e Maklaudit dhe bashkë me Rozën e Karmën jemi pionierë të rregullt, pra e kalojmë shumicën e kohës në predikim. Është kënaqësi të predikojmë në gjuhën amtare të këmbëzinjve. Na ngrohet zemra kur njerëzit i përgjigjen së vërtetës për Krijuesin dhe qëllimet e tij.

Bibla thotë për Jehovain: «Nëse e kërkon, ai do të të lërë që ta gjesh.» (1 Kronikave 28:9) Jam mirënjohës që e ka përmbushur këtë premtim duke na ndihmuar që unë dhe familja ime ta gjenim atë që kërkonim.

[Shënimet]

^ par. 22 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Tani nuk shtypet më.

^ par. 27 Botuar në anglisht dhe në gjuhë të tjera nga Dëshmitarët e Jehovait. Tani nuk shtypet më.

[Diçitura në faqen 13]

«Nëse ka një Krijues, ku është? Pse njerëzit vdesin?»

[Diçitura në faqen 16]

‘Shumë indianë njihen për dashamirësinë dhe përulësinë’

[Figura në faqen 12]

Gjyshja më mësoi kulturën tradicionale të këmbëzinjve

[Figura në faqen 15]

U dhashë i tëri pas rodeos

[Figura në faqen 15]

Fletushka speciale «Mund të keni besim te Krijuesi» është botuar në gjuhën e këmbëzinjve e në gjuhë të tjera

[Figura në faqen 15]

Tani kam kënaqësinë t’u mësoj të tjerëve Biblën

[Figura në faqen 15]

Me familjen time sot