Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Skllevërit e harruar të Paqësorit Jugor

Skllevërit e harruar të Paqësorit Jugor

Skllevërit e harruar të Paqësorit Jugor

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FIXHI

TEKSA dy anijet rrëshqitnin lehtas nëpër lagunën e ishullit koralor të largët në Paqësor, turma vlonte nga hareja. Vite të shkuara, një i mbijetuar nga fundosja e një anijeje i kishte dhënë çdo familjeje atje disa faqe të grisura nga Bibla e tij. Ata njerëz të thjeshtë i kishin lexuar gjithë etje dhe, që atëherë, pritnin me padurim ardhjen e ndonjë mësuesi të krishterë.

Detarët që po vinin, u kishin premtuar t’i çonin në një vend ku mund të mësonin më shumë për Perëndinë. Rreth 250 burra e gra hipën me besim në anije dhe shumë prej tyre shtrëngonin fort pas vetes faqet e vyera të Biblës.

Por ata ishin viktima të një mashtrimi dinak. Me të hipur në anije, i lidhën, i rrasën nën kuvertë dhe i nisën për një udhëtim të gjatë drejt portit të Kalaos në Amerikën e Jugut. Shumë veta vdiqën në udhë e sipër për shkak të kushteve aspak higjienike. Shfrytëzimi seksual ishte krejt i zakonshëm. Ata që mbijetuan nga udhëtimi i shitën si skllevër për të punuar në plantacione e miniera ose si shërbëtorë nëpër shtëpi. Nuk do të ktheheshin kurrë në ishullin e tyre.

Tregtia e skllevërve

Rrëmbimi i ishullarëve të Paqësorit Jugor ndodhi gjatë shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të. Kështu në fillim të viteve 60 të shekullit të 19-të u çuan në Amerikën e Jugut mijëra banorë të ishujve. Dhjetëvjeçarin tjetër drejtimi ndryshoi për në perëndim, pasi ishullarët dërgoheshin në Australi. Më 1867, Ros Luini, ish-pjesëtar i Flotës Mbretërore, u ofroi kultivuesve të kallamsheqerit dhe të pambukut «vendësit më të mirë dhe më të leverdishëm të ishujve me 7 [paund] për kokë».

Përpjekjet e Zyrës së Kolonisë në Britani për të ndalur rrëmbimin e ishullarëve shkuan kot. Së pari, sepse ishte e vështirë të zbatohej ligji britanik për nënshtetasit e fuqive të huaja. Një arsye tjetër ishte se ligji britanik nuk kishte një përkufizim të plotë për skllavërinë. Kështu, në gjyq, ata që merreshin me tregtinë e skllevërve korrnin sukses me argumentin se ishullarët—ndonëse të mashtruar e të marrë me forcë—në të vërtetë nuk ishin skllevër, por ishin punëtorë me kontratë dhe me kohë do të paguheshin e do të dërgoheshin në shtëpi. Disa shkonin deri aty sa thoshin se po u bënin nder atyre ish-barbarëve duke i vënë nën ligjin britanik e duke i mësuar të punonin. Pra tregtia e skllevërve lulëzoi, të paktën për njëfarë kohe.

Situata përmbyset

Kur shtetas pa paragjykime ngritën zërin kundër rrëmbimit të ishullarëve, situata nisi të ndryshonte. Vërtet disa banorë të ishujve hynin me dëshirë në punë, por nuk do të tolerohej më që të merreshin me forcë. Nuk do të toleroheshin as abuzimet, si rrahjet me kamxhik dhe damkosjet, as kushtet skandaloze ku punonin dhe jetonin disa.

Ndryshimet u përshpejtuan kur peshkopin anglikan Xh. K. Pateson, kundërshtar i flaktë i tregtisë së skllevërve, e vranë po ata ishullarë që u mundua t’i mbronte. Duke përdorur një hile të vjetër, tregtarët e skllevërve kishin shkuar në një ishull para Patesonit me një anije që e kishin bërë kastile si të tijën. Pastaj i ftuan vendësit në anije të takonin peshkopin. Ata njerëz humbën pa nam e pa nishan. Kur arriti Patesoni i vërtetë, u gjend para një turme armiqësore dhe e vranë gabimisht për hakmarrje. Në përgjigje të këtij incidenti dhe të protestës publike në rritje, në Paqësor vendosën anije të flotës britanike dhe franceze që kishin marrë urdhra të ndalonin abuzimet.

Në Australi, qeveritë e Uellsit të Ri Jugor dhe të Kuinslandit bashkuan forcat me Zyrën e Kolonisë duke miratuar ligje që të ndalnin abuzimet dhe të kishin nën kontroll biznesin e pajtimit në punë të të huajve. Përveç kësaj u caktuan edhe inspektorë dhe në anijet që sillnin punëtorë u vunë përfaqësues të qeverisë. Ato përpjekje të zellshme dhanë fryt, pasi dënimet jepeshin për rrëmbime e vrasje, jo në bazë të neneve kundër skllavërisë që s’bënin punë. Në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të 19-të situata në Paqësorin Jugor ndryshoi. Në përgjithësi, rrëmbimit të skllevërve i ishte prerë rruga dhe në fillim të shekullit të 20-të, «punëtorët» që dikur vinin mizëri, u bënë fare të paktë.

Më 1901, një parlament i ri kombëtar, Komonuelthi i Australisë, mori në dorë imigrimin në mbarë vendin. Politika e tij pasqyronte opinionin publik, që asokohe nuk e shihte më me sy të mirë ardhjen e punëtorëve të huaj, sepse shumë veta kishin frikë se kjo do të bëhej pengesë për punëtorët vendës. Ishin apo jo punëtorë imigrantë, ishullarët e Paqësorit Jugor nuk mirëpriteshin më. Mijëra u riatdhesuan me forcë, dhe kjo çoi në tragjedi të tjera, pasi disa që i larguan nga vendi ku kishin ngritur familjen, u ndanë nga njerëzit e dashur.

Kujtohen skllevërit e harruar

Në shtator të vitit 2000, qeveria e shtetit të Kuinslandit botoi një deklaratë që gjendet e afishuar edhe sot. Në të pranohet roli që kanë luajtur ishullarët e Paqësorit Jugor në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Kuinslandit. Njëkohësisht shprehet keqardhja për trajtimin e egër që pësuan.

Gjatë gjithë historisë, shumë njerëz kanë përfituar nga rasti që të pasurohen në kurriz të jetës dhe të lirisë së të tjerëve. Bibla premton se kur të sundojë Mbretëria e Perëndisë nuk do të ketë më padrejtësi të tilla. Këtu në tokë, nënshtetasit e asaj qeverie qiellore «kanë për t’u ulur secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë».—Mikea 4:4.

[Diagrami dhe harta në faqet 24, 25]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Skllevërit i çonin në Australi dhe në Amerikën e Jugut

OQEANI PAQËSOR

MIKRONEZI

ISHUJT MARSHALL

Guineja e Re

ISHUJT SOLOMON

TUVALU

AUSTRALI KIRIBATI

KUINSLAND VANUATU

UELLSI I RI JUGOR KALEDONIA E RE AMERIKA E JUGUT

Sidnei ← FIXHI → Kalao

SAMOA

TONGA

ISHUJT KUK

POLINEZIA FRANCEZE

Ishulli i Pashkës

[Burimi i figurës në faqen 24]

Biblioteka Kombëtare e Australisë, nla.pic-an11279871