Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Biçikleta që mpreh thika

Biçikleta që mpreh thika

Biçikleta që mpreh thika

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË TANZANI

▪ Ç’do të mendonit po të shihnit një burrë të ulur mbrapsht në biçikletë, që pedalon me sa ka fuqi, por prapëseprapë ngel në vend? Në disa pjesë të botës, si këtu në lindje të Afrikës, ka shumë të ngjarë që ky të jetë një mprehës thikash, që e nxjerr bukën e gojës duke u plotësuar këtë nevojë myshterinjve.

Biçikleta e tij është e zakonshme, por i janë bërë disa modifikime të rëndësishme. Skara e biçikletës është përforcuar dhe aty është fiksuar një gur smerili rrethor. Rripi i transmisionit, një kordon najloni, është vënë rreth e qark diskut të një rrote tjetër biçiklete të ndarë më dysh dhe të salduar në rrotën e pasme të biçikletës.

Nuk dihet me siguri si erdhi në Afrikë kjo gjetje kaq inteligjente. «Më kanë thënë se biçikleta të tilla përdoreshin në Dar-el-Salam, kryeqytetin e Tanzanisë, para se ideja të mbërrinte në Moshi, ku jetoj unë,—thotë Andrea që ka mprehur thika me këtë metodë që nga viti 1985.—Këtu hyri në përdorim në vitin 1982.»

Ku i gjejnë biçikletat për të mprehur thikat? Andrea shpjegon: «Shkojmë te një fundi, siç i thonë zejtarit në gjuhën suahili, dhe e porositim të na modifikojë një biçikletë të zakonshme sipas kërkesave tona.» Zakonisht për një ose dy ditë e kemi gati.

Shkëndija dhe djersë

Andrea e fillon ditën aty nga ora shtatë e mëngjesit, kur i hipën biçikletës dhe niset drejt një zone të populluar. Me të mbërritur, thërret sa i ha zëri: «Hajde thika me mpreh! Thika me mpreh!» U bie edhe zileve të bëra enkas për biçikletën e tij. S’kalon shumë, kur ja, në një dritare shfaqet fytyra e një amvise. Ajo e thërret Andrean dhe i jep nja dy thika të topitura. Fqinji i sjell një hanxhar, kurse berberi, gërshërët. Andrea mpreh edhe shata, turjela, e thuajse çdo gjë që ka teh prerës.

Kur e bën gati biçikletën për punë, Andrea kërkon ndonjë vend të rrafshët në tokë, ul këmbalecin e biçikletës, dhe kështu rrota e pasme ngrihet nga toka. Pastaj vë rripin e transmisionit prej najloni, ulet në një shalë të dytë, me fytyrë nga rrota e pasme dhe pedalon.

Përreth fluturojnë shkëndija dhe i dalin bula djerse teksa mpreh lloj-lloj gjërash, derisa bëhen të mprehta brisk. Dita e punës për Andrean përfundon aty nga ora gjashtë e mbrëmjes.

Këta mprehës thikash janë vetëm një shembull që ilustron se si ‘ata që ngulmojnë’ mund t’i përdorin zgjuarsinë dhe iniciativën për ta nxjerrë bukën me djersën e ballit, edhe në kushte të vështira ekonomike.—Proverbat 13:4.