Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Marsi nga afër

Marsi nga afër

Marsi nga afër

NË GUSHT të vitit 2003, Marsi ishte jo më larg se 56 milionë kilometra nga shtëpia jonë, Toka, distanca më e afërt në rreth 60.000 vjet. Sipas shkallës astronomike, ishte sikur planeti i kuq të kishte ardhur në oborrin tonë për kënaqësinë e vrojtuesve të qiellit.

Deri në fillim të vitit 2004, në Mars ishin mbledhur një sërë sondash hapësinore. Disa e studionin planetin nga sipërfaqja (zbritësit), kurse të tjera nga orbita (orbitësit). Çfarë kemi mësuar për planetin fqinj nga këto misione kozmike?

Eksplorojnë planetin e kuq

Orbitësi Mars Global Surveyor (Topografi global i Marsit) mbërriti në Mars në vitin 1997. Ai zbuloi se dikur Marsi kishte një fushë magnetike të fuqishme. Gjithashtu, orbitësi bëri me saktësi topografinë e Marsit e, ndër të tjera, zbuloi se largësia nga pika më e ulët e planetit deri në pikën më të lartë është mbi 29 kilometra, kurse në tokë është pak më shumë se 19 kilometra. *

Pika më e ulët e Marsit është në ultësirën e paanë të Helasit, që me sa duket, u krijua nga goditja e një asteroidi gjigant. Pika më e lartë është maja e malit të Olimpit, një kon gjigant vullkanik i lartë 21 kilometra. Një kamerë e instaluar brenda orbitësit Surveyor filmoi edhe gurë me gjerësi mbi 18 metra, si edhe sipërfaqe të mëdha me duna rëre të lëvizshme dhe gryka të krijuara rishtazi. Një pajisje tjetër zbuloi se shumica e shkëmbinjve në sipërfaqe kanë origjinë vullkanike.

Ndonëse në nëntor të vitit 2006 lidhja me Mars Global Surveyor u ndërpre, tre orbitës—2001 Mars Odyssey (Odiseja e Marsit, 2001), Mars Express (Ekspresi i Marsit) dhe Mars Reconnaissance (Zbuluesi i Marsit)—vazhduan vrojtimin e planetit të kuq. * Me kamera dhe dedektorë më të ndjeshëm, analizuan atmosferën marsiane dhe hapësirën përreth, madje zbuluan dhe shënuan në hartën e tij akull me bollëk në polin e veriut.

Ky akull është në qendër të vëmendjes së misionit të sondës Phoenix Mars (Feniksi i Marsit), e cila u ul pa asnjë gabim në planetin e kuq më 25 maj 2008. Ky zbritës është i pajisur me instrumente tejet moderne për të analizuar atmosferën dhe akullin e përhershëm në rajonin polar. Shkencëtarët shpresojnë të mësojnë nëse kanë ekzistuar ndonjëherë mikroorganizma në dheun e akullt. Gjithsesi, kërkimet për ekzistencën e jetës, a të paktën për rrethanat që do ta favorizonin atë, kishin filluar më parë.

Robotët Spirit dhe Opportunity

Dy robotë eksplorues, Spirit (Shpirti) dhe Opportunity (Mundësia) shkuan në Mars në janar të 2004-ës. Vendi i uljes u zgjodh në bazë të të dhënave të marra nga misionet e mëparshme. Këto automjete robotike me përmasat e makinave të vogla të garave, e ngadalësuan zbritjen në atmosferën e Marsit duke përdorur mbrojtës nxehtësie, parashuta dhe raketa. Kur u ulën, kërcyen mbi sipërfaqe, të mbështjellë me jastëkë ajri, gati njësoj si pararendësi i tyre më i vogël, Mars Pathfinder (Eksploruesi i Marsit) në vitin 1997. *

Sipërfaqja e Marsit është thuajse sa sipërfaqja e tokës së thatë në planetin tonë, pra robotët kanë goxha vend për eksplorim. Vendi i zgjedhur për robotin Opportunity ishte Meridiani Planum, një rrafshnaltë me shkëmbinj të lashtë shtresa-shtresa, që përmbanin hematit, mineral i pasur me hekur. Roboti Spirit u ul në skajin tjetër të Marsit për të eksploruar në thellësi të kraterit gjigant të Gusefit, në të cilin shumë kohë më parë mund të ketë pasur një liqen, sipas disa kërkuesve. Siç thotë një raport i NASA-s, qëllimi i këtij misioni të dyfishtë ishte «të studiohej historia e kushteve të mjedisit në vende që dikur kanë qenë me ujë e të përshtatshme për jetën».

«Gjeologë» në Mars

Kur roboti Spirit arriti në destinacion më 4 janar 2004, rreth e qark kishte një terren të shkretë shkëmbor me gropa të cekëta rrethore. Roboti studioi terrenin pak a shumë siç do të bënte një gjeolog. Ai këqyri me kujdes dheun, shkëmbinjtë dhe relievin. Shkencëtarët që drejtonin robotin Spirit zbuluan se vendi i uljes ishte mbuluar me shkëmbinj vullkanikë dhe ishte plot gropa të shkaktuara nga meteoritët. Më pas Spirit u zhvendos 2,6 kilometra për të hulumtuar një grup kodrinash. Atje zbuloi forma shkëmbore të pazakonta dhe thepa shkëmbinjsh të butë shtresorë që mund të kishin origjinë vullkanike.

Ndërkohë, më 25 janar 2004, pasi kishte udhëtuar 456 milionë kilometra, Opportunity u ul vetëm 25 kilometra larg vendit të caktuar. Roboti i mbështjellë me jastëkë ajri, kërceu në sipërfaqen e rrafshët të Meridianit Planum e sakaq u rrokullis në një krater të vogël. Një shkencëtar tha se ulja e tij ishte sikur «të shënoje me një gjuajtje të vetme ndërplanetare» në një lojë golfi.

Roboti Opportunity eksploroi një sërë krateresh me shtresa shkëmbore që kishin brenda sfera të vogla të pasura me hematit, të cilave iu vu nofka boronica. Ato nuk janë vërtet blu, por grija e tyre bën kontrast me sfondin e dheut e të shkëmbinjve të kuqërremtë. Disa shtresa shkëmbore krijojnë valëzime e forma tipike si ato të depozitave ranore në vendet ku rrjedh ujë. Disa shkencëtarë mendojnë se këto forma, si edhe klori e bromi i shkëmbinjve, të bëjnë të dyshosh se dikur aty ka pasur ujë të kripur.

Nga misioni i zbritësit Phoenix Mars në vitin 2008, u mblodhën edhe më shumë të dhëna për sipërfaqen e Marsit, sidomos për rajonin e tij të akullt. Një krah roboti gërmoi në akull dhe furnizoi me kampionë dheu e akulli dy «laboratorët» e zbritësit Phoenix. Gjithsesi, siç shpjegonte revista Scientist, sipas planit ky mision do të ishte jetëshkurtër, sepse vetëm pak muaj pasi zbritësi do të përfundonte punën, dimri marsian «do ta mbështillte [zbritësin] Phoenix me një shtresë të trashë ngrice prej dyoksidi karboni».

Fakti që shkencëtarët mund të eksplorojnë planetë me qindra milionë kilometra larg, ilustron se ç’mund të bëjnë njerëzit kur punojnë së bashku për të njëjtin qëllim. Veç kësaj, këto arritje janë meritë e zgjuarsisë së njerëzve. Nga ana tjetër, eksplorimi i hapësirës kozmike, madje vetë shkenca në tërësi, mundësohen vetëm falë ligjeve fizike të pandryshueshme e plotësisht të besueshme që drejtojnë universin. Këto ligje nuk u krijuan vetë, por i vuri Arkitekti i Madh i universit, Perëndia Jehova.

[Shënimet]

^ par. 5 Largësia prej 19 kilometrash është nga fundi i gropës së Marianeve në oqeanin Paqësor gjer në majë të malit të Everestit.

^ par. 7 Orbitësit 2001 Mars Odyssey dhe Mars Reconnaissance u lëshuan nga Enti Kombëtar Aeronautik dhe Hapësinor i SHBA-së (NASA), kurse orbitësi Mars Express u lëshua nga Agjencia Evropiane e Hapësirës.

^ par. 10 Shih artikullin «Një robot eksploron Marsin» në revistën Zgjohuni! të 22 qershorit 1998, anglisht.

[Kutia dhe figura në faqen 16]

A KA JETË NË MARS?

Astronomët e shekullit të 18-të e të 19-të, Uiljam Hershell dhe Persival Louell, hodhën teorinë se planeti i kuq ishte plot gjallesa inteligjente, dhe teoria evolucioniste e Darvinit dukej se e mbështeste këtë koncept. Por të gjitha këto pikëpamje janë rrëzuar. Vrojtimet me satelit kanë zbuluar një terren djerrë dhe një shtresë të hollë atmosferike që përbëhet kryesisht nga dyoksidi i karbonit. Më 1976, eksperimentet që bëri zbritësi Vikingu 1 zbuluan se në sipërfaqen e Marsit nuk kishte jetë. *

Prapëseprapë, shkencëtarët vazhdojnë kërkimet për ndonjë shenjë jete dhe zbritësi Phoenix Mars ishte orvatja më e fundit. Meqë disa mikroorganizma mbijetojnë edhe në kushte ekstreme në tokë, shkencëtarët mendojnë se organizma të ngjashëm mund të ekzistojnë edhe në disa vende në Mars. Zbritësi Bigëll 2, i ngjitur te orbitësi Mars Express, ishte pajisur për të zbuluar lëndë organike në dheun e Marsit, por ulja dështoi në fund të vitit 2003. Vitin pasues shkencëtarët gjetën gjurmë metani në atmosferën e Marsit, dhe kjo ishte shkëndija për hamendjet nëse ky gaz ishte me origjinë biologjike apo vullkanike.

A mund të lindë vetvetiu jeta në univers? Bibla përgjigjet: «Ti [Perëndia] je burimi i jetës.» (Psalmi 36:9) Po, jeta vjen vetëm nga jeta, nga Jetëdhënësi i parë që është Krijuesi, Perëndia Jehova.—Veprat 17:25.

[Shënimi]

^ par. 24 Shih artikullin «Vizitojnë sërish planetin e kuq» në revistën Zgjohuni! të 22 nëntorit 1999, anglisht.

[Burimi]

NASA/​JPL/​Cornell

[Figura në faqen 15]

Krahu robotik i zbritësit «Phoenix Mars», me kovë ekskavatori, sondë dhe kamerë

[Figura në faqen 15]

Fotografi me ngjyra të përpunuara e «boronicave»

[Figura në faqen 15]

Mali Olimp, koni i një vullkani të shuar, 21 kilometra i lartë

[Figura në faqen 15]

Roboti «Spirit» e shpoi dhe e pastroi sipërfaqen e këtij shkëmbi

[Burimet e figurave në faqen 15]

Sipër majtas: NASA/​JPL-Caltech/​University of Arizona/​Texas A&M University; sipër djathtas: NASA/​JPL/​Malin Space Science Systems; poshtë majtas dhe djathtas: NASA/​JPL/​Cornell