Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mund ta forcosh kujtesën

Mund ta forcosh kujtesën

Mund ta forcosh kujtesën

«Kujtesa na e pasuron jetën. Pa të, do ta humbnim fillin e vazhdimësisë dhe çdo mëngjes në pasqyrë do të na shfaqej një i huaj. Çdo ditë e ngjarje do të ishte pa lidhje; as do të mësonim nga e kaluara, as do të bënim plane për të ardhmen.»​—LIBRI «MISTERET E MENDJES».

SI KA mundësi që disa zogj i kujtojnë edhe pas disa muajsh vendet ku kanë ruajtur farat për dimrin dhe ketrat mbajnë mend vendet ku kanë groposur arrat a lajthitë, kurse ne mund të harrojmë edhe se ku i kemi lënë çelësat para një ore? Po, shumë prej nesh ankohen se kanë kujtesë të dobët. Megjithatë, truri i njeriut, ndonëse i papërsosur, ka aftësi mahnitëse për të mësuar e për të mbajtur mend. Sekreti është ta vëmë plotësisht në punë.

Kapacitet i jashtëzakonshëm

Edhe pse truri i njeriut peshon gati 1 kilogramë e gjysmë dhe është pak a shumë sa një portokall i madh, ai ka rreth 100 miliardë neurone ose qeliza nervore, të cilat krijojnë një rrjet pafundësisht të ndërlikuar. Vetëm një neuron mund të lidhet me 100.000 të tjera. Ky rrjet i jep trurit aftësinë të përpunojë e të ruajë një sasi marramendëse informacioni. Sigurisht, vështirësia është që njeriu të kujtojë informacionin kur i duhet. Disa janë fenomenë në këtë drejtim, dhe shumë prej tyre kanë pak shkollë ose s’kanë fare.

Për shembull, në Afrikën Perëndimore kronistët e fiseve, megjithëse janë analfabetë, mund të thonë përmendësh emrat e shumë brezave të fshatrave të tyre. Falë këtyre kronistëve, shkrimtari amerikan Aleks Heili, i cili mori çmimin Pulicer me librin «Rrënjët», hulumtoi gjenealogjinë e fisit të tij në Gambia deri në gjashtë breza. Heili tha: «U jam thellësisht borxhli kronistëve të Afrikës, ku sot me të drejtë thuhet se, kur vdes një kronist, është sikur të bëhet shkrumb një bibliotekë.»

Të marrim edhe rastin e dirigjentit të famshëm italian Arturo Toskaninit, të cilin e zbuluan në moshën 19-vjeçare kur e thirrën të zëvendësonte një dirigjent tjetër. Pavarësisht nga shikimi i dobët, ai arriti ta dirigjonte përmendësh të tërë operën Aida.

Këto arritje mund të na mrekullojnë. Gjithsesi, shumica e njerëzve e kanë kapacitetin të kujtojnë shumë më tepër nga ç’ua merr mendja. A dëshiron ta forcosh kujtesën?

Si ta forcosh kujtesën?

Kujtesa përmbledh tri faza: kodimin, ruajtjen dhe riprodhimin. Truri e kodon informacionin kur e kap dhe e regjistron. Ky informacion më tej ruhet për t’u kujtuar ose riprodhuar më vonë. Kujtesa na lë në baltë kur ndonjëra nga këto faza nuk funksionon.

Vetë kujtesa është ndarë në disa lloje. Ato janë: kujtesa ndijore, kujtesa afatshkurtër dhe kujtesa afatgjatë. Kujtesa ndijore e merr informacionin nëpërmjet shqisave, si nuhatja, shikimi dhe prekja. Kujtesa afatshkurtër ose imediate ruan pak informacione për një kohë të shkurtër. Ja pse mund t’i mbledhim numrat me mendje, të mbajmë mend një numër telefoni deri në momentin që do t’i biem dhe të kujtojmë gjysmën e parë të një fjalie teksa lexojmë ose dëgjojmë pjesën e dytë. Por, siç e dimë të gjithë, kujtesa afatshkurtër është e kufizuar.

Nëse dëshiron ta ruash gjatë në mendje informacionin, duhet të përdorësh kujtesën afatgjatë. Si mund ta vësh aty informacionin? Parimet e mëposhtme do të të ndihmojnë.

Trego interes Kultivo interes për një çështje dhe kujtoji vetes arsyet pse duhet të mësosh rreth saj. Siç mund ta dish nga përvoja, kur futen ndjenjat, gjërat të nguliten më thellë në kujtesë. Kjo mund t’i ndihmojë mjaft studentët e Biblës. Kur e lexojnë Biblën me një qëllim të dyfishtë—për t’u lidhur më shumë me Perëndinë dhe për t’u mësuar të tjerëve rreth tij—mund t’u forcohet ndjeshëm kujtesa.—Proverbat 7:3; 2 Timoteut 3:16.

Kushto vëmendje «Në shumicën e rasteve, kujtesa e dobët vjen nga vëmendja e dobët»,—thuhet në librin Misteret e mendjes. Ç’mund të të ndihmojë që të kushtosh vëmendje? Trego interes dhe, kur është e mundur, mbaj shënime. Mbajtja e shënimeve jo vetëm që ta përqendron mendjen, por edhe të ndihmon që ta rishikosh më vonë materialin.

Përpiqu të kuptosh «Me gjithçka që fiton, fito kuptueshmëri»,—thuhet te Proverbat 4:7. Kur nuk e kupton një mësim ose koncept, zakonisht nuk e kujton mirë ose nuk e kujton fare. Kur e kupton mirë diçka, dallon lidhjen midis pjesëve dhe i ndërthur sipas një linje logjike. Për shembull, në rast se një student i mekanikës e kupton si punon motori, do t’i kujtojë më mirë hollësitë për motorin.

Organizo materialin Ndaji në grupe konceptet e ngjashme ose idetë që lidhen me njëra-tjetrën. Për shembull, një listë ushqimesh mbahet mend më kollaj kur artikujt i ndajmë në grupe: mishrat, zarzavatet, frutat e të tjera. Veç kësaj ndaje informacionin në pjesë më të vogla, me jo më shumë se pesë deri në shtatë elementë. Numrat e telefonit në përgjithësi ndahen në pjesë, që të mbahen mend më lehtë. Së fundi, mund ta kesh më të lehtë po ta bësh listën sipas një rendi, mbase sipas rendit alfabetik.

Thuaje me zë Kur e përsërit me zë atë që dëshiron të kujtosh (për shembull, një fjalë a shprehje në gjuhë të huaj), forcohen lidhjet nervore. Si ndodh kjo? Pikësëpari, kur i thua fjalët, kjo të detyron të kushtosh vëmendje. Së dyti, mësuesja mund të të japë menjëherë udhëzime. Dhe së treti, kur dëgjon, madje edhe veten, vihen në punë pjesë të tjera të trurit.

Përfytyroje Imagjinoje atë që dëshiron të mbash mend. Ndoshta mund të bësh edhe një vizatim a skicë të saj. Ashtu si përsëritja me zë, edhe përfytyrimi aktivizon pjesë të ndryshme të trurit. Sa më shumë shqisa përdor, aq më thellë ngulitet informacioni.

Lidhe me atë që di Kur mëson diçka të re, lidhe me atë që di. Lidhja e ideve të reja me atë që është ruajtur në kujtesë, e bën më të lehtë kodimin dhe riprodhimin e informacionit, sepse shërben si sinjal për trurin. Për shembull, që të mbash mend emrin e dikujt, lidhe me ndonjë tipar të veçantë të paraqitjes së tij ose me diçka tjetër që ta sjell ndër mend atë emër. Sa më humoristike a e çuditshme të jetë lidhja, aq më mirë e mban mend informacionin. Me pak fjalë, duhet të mendojmë për njerëzit dhe gjërat që duam të mbajmë mend.

Libri Në kërkim të kujtesës thotë: «Nëse shumicën e gjërave e bëjmë automatikisht dhe nuk reflektojmë për atë që ndodh përreth e për përvojat tona, çmimi që paguajmë është një kujtesë e turbullt për vendin ku kemi qenë dhe atë që kemi bërë.»

Ngulite në mendje Lër kohë që informacioni të përpunohet a, si të thuash, të thithet. Një nga mënyrat më të mira është ta përsëritësh atë që ke mësuar, mbase duke ia thënë dikujt tjetër. Në rast se ke pasur ndonjë përvojë interesante ose ke lexuar diçka inkurajuese në Bibël a në ndonjë botim biblik, tregoja dikujt. Kështu do të përfitoni të dy: kujtesa jote do të forcohet dhe shoku yt do të inkurajohet. Jo më kot përsëritja është quajtur nëna e dijes.

Metoda të dobishme për kujtesën

Në Greqinë dhe në Romën e lashtë, oratorët mbanin fjalime të gjata pa pasur fare nevojë për shënime. Si ia bënin? Ata përdornin disa metoda për kujtesën. Këto metoda janë strategji ose marifete që na ndihmojnë ta ruajmë informacionin në kujtesën afatgjatë dhe ta sjellim ndër mend kur na duhet.

Një teknikë e tillë e përdorur nga oratorët e lashtë grekë ishte metoda e vendndodhjes, të cilën për herë të parë e përshkroi në vitin 477 p.e.s. poeti grek Simonidi që ishte nga Kea e sotme. Kjo teknikë ndërthur parimet e organizimit, përfytyrimit dhe lidhjes së materialit të ri me diçka të njohur, siç mund të jetë një pikë referimi në rrugë ose një objekt në dhomë a në shtëpi. Njerëzit që përdorin këtë teknikë bëjnë një shëtitje imagjinare dhe i lidhin pjesët e një informacioni që duan të mbajnë mend me disa pika referimi a objekte. Kur dëshirojnë të sjellin ndër mend informacionin, thjesht i rikthehen së njëjtës shëtitjeje imagjinare.—Shih kutinë  «Bëj një shëtitje imagjinare».

Studimet e bëra me njerëz që kanë zënë vendet e para në Kampionatet Botërore të Kujtesës, që zhvillohen çdo vit, kanë treguar se kujtesa e tyre fantastike nuk vinte falë ndonjë inteligjence të jashtëzakonshme. Për më tepër, shumica e pjesëmarrësve ishin 40-50-vjeçarë. Cili ishte sekreti i tyre? Shumë thanë se kjo zotësi vinte ngaqë i përdornin mirë këto teknika që ndihmojnë kujtesën.

Një metodë e efektshme për të ndihmuar kujtesën është akrostika që përdorej mjaft nga hebrenjtë e lashtë. Për shembull, në shumë psalme shkronja e parë e çdo vargu ose e çdo grupi vargjesh renditet sipas alfabetit hebraik. (Shih Psalmet 25, 34, 37, 111, 112 dhe 119.) Imagjino, falë kësaj teknike të dobishme për kujtesën, këngëtarët kujtonin 176 vargjet e Psalmit 119.

Po, mund ta stërvitësh dhe ta forcosh kujtesën. Siç e kanë treguar studimet, kujtesa jonë i ngjan një muskuli. Sa më shumë ta përdorim aq më e fortë bëhet, madje edhe në moshë të thyer.

[Kutia në faqen 27]

DISA KËSHILLA

▪ Vëre në punë kujtesën duke mësuar gjëra të reja, si ndonjë gjuhë të huaj ose vegël muzikore.

▪ Përqendroje vëmendjen te gjërat më të rëndësishme.

▪ Mëso teknika që ndihmojnë kujtesën.

▪ Pi shumë ujë. Çhidratimi mund të shkaktojë pështjellim në mendje.

▪ Fli sa duhet. Gjatë gjumit truri ruan informacionet.

▪ Bëj pushime të shkurtra gjatë studimit. Stresi shkakton çlirimin e kortizolit i cili mund të prishë bashkëveprimin nervor.

▪ Mos abuzo me alkoolin dhe mos pi duhan. Alkooli e dëmton kujtesën afatshkurtër dhe alkoolizmi mund të çojë në mungesën e tiaminës, një lloj vitamine B, thelbësore që kujtesa të punojë siç duhet. Kurse duhani pakëson oksigjenin që shkon në tru. *

[Shënimi]

^ par. 36 Sipas informacionit të botuar në Internet në revistën Brain & Mind.

[Kutia dhe figurat në faqen 28]

 BËJ NJË SHËTITJE IMAGJINARE

Si mund ta mbash mend një listë ushqimesh me disa artikuj, si bukë, vezë, qumësht dhe gjalpë? Me anë të metodës së vendndodhjes mund «t’i shohësh» teksa bën një shëtitje imagjinare në dhomë.

Përfytyro sikur jastëku i karriges është buka

sikur në abazhur po ngrohen vezët

sikur peshku i akuariumit po noton në qumësht

sikur ekrani i televizorit është lyer me gjalpë

Sa më qesharake ose e çuditshme të jetë imagjinata, aq më mirë. Kur të shkosh në dyqan, bëje edhe një herë këtë shëtitje imagjinare.

[Kutia në faqen 29]

HARRESA KA TË MIRËN E VET

Mendo si do të ishte jeta jote sikur të mbaje mend çdo gjë, e rëndësishme ose vogëlimë. Do të të bëhej koka lëmsh, apo jo? Siç thuhej në revistën New Scientist, një grua që kujtonte thuajse çdo gjë që i ndodhte në jetë «e përshkroi kujtesën e saj të vazhdueshme si ‘të pandalshme, të pakontrollueshme, tepër sfilitëse dhe si një barrë’». E mira është që shumica prej nesh nuk e kemi këtë problem, pasi, siç mendojnë studiuesit, truri ynë ka aftësinë të heqë informacionet që s’vlejnë ose që janë vjetëruar. Në revistën New Scientist thuhet: «Harresa e mirë është thelbësore që kujtesa të funksionojë plotësisht. Kur harrojmë diçka të dobishme, . . . kjo thjesht tregon se sistemi krasitës po punon më mirë se ç’duhet.»