Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

«Me anë të teleskopëve Subaru dhe Keck në Mauna-Kea [Havai], një ekip astronomësh kanë zbuluar fijezime galaktikash gjigante e me tri përmasa që shtrihen në një hapësirë prej 200 milionë vjet-dritë.» Këto fijezime formojnë strukturën më të madhe që është zbuluar.—SITI I TELESKOPIT SUBARU, JAPONI.

Zyra e Mbretërisë së Bashkuar për Statistikat Kombëtare raporton se «numri i martesave [në Angli dhe Uells] në vitin 2006 ishte më i ulëti gjatë 110 viteve të fundit. Gjithnjë e më shumë çifte po parapëlqejnë të bashkëjetojnë.»—THE GUARDIAN WEEKLY, BRITANI.

Sipas Forumit Pew për Fenë dhe Jetën Publike, «44% e të rriturve ose kanë ndërruar fenë, ose nuk kanë qenë të lidhur me ndonjë fe dhe tani frekuentojnë ndonjë besim, ose kanë shkëputur çdo lidhje me fenë».—SHBA.

Seks «sa për një natë» nëpër kolegje

«Përveç disa kolegjeve evangjeliste . . . , s’ka shumë ndryshim midis kolegjeve dhe universiteteve publike, private dhe katolike, për sa i përket ‘mentalitetit sa për një natë’ që mbizotëron në këto ambiente—një mentalitet sipas të cilit studentët kërkojnë përvoja seksuale me partnerë të ndryshëm.» Kështu tha teologia katolike dhe asistent profesoresha Dona Frejtas pasi bëri një studim për sjelljen seksuale dhe për fenë në kolegjet amerikane. Sipas gazetës National Catholic Reporter, Frejtasi tha se fakti që feja nuk ndikon në moralin seksual, zbulon jo vetëm «sa i fuqishëm është mentaliteti sa për një natë nëpër kolegje», por edhe «sa e dobët është feja përballë tij».

Prindërit paguhen për të rritur vajza

Sipas BBC News, qeveria indiane po u ofron prindërve të varfër një shumë me vlerë rreth 2.000 euro për të rritur vajza. Familjet do të marrin të holla në dorë kur lind vajza dhe në faza të ndryshme të jetës, derisa ajo të mbushë 18 vjeç. Ndonëse zgjedhja e gjinisë dhe aborti përzgjedhës u ndaluan me ligj në vitin 1994, ende janë të përhapur. Sipas llogaritjeve, gjatë 20 viteve të fundit aborti u mori jetën gati 10 milionë fetuseve femër, dhe kjo ndikoi mjaft në ekuilibrin e gjinive në disa zona. Nga një regjistrim i popullsisë në vitin 2001 doli se në mbarë vendin për çdo 1.000 djem nën moshën gjashtë vjeç, kishte 927 vajza, dhe ky ndryshim po thellohet. Në një shtet raporti i lindjeve ishte 793 vajza për çdo 1.000 djem.

Reagimi i zogjve ndaj zhurmës

Disa zogj sforcohen që ta dëgjojnë njëri-tjetrin mes zhurmës së qytetit. Sipas revistës New Scientist, ndërkohë që për njerëzit zhurma e qyteteve mund të jetë e bezdisshme, për zogjtë ajo është çështje «jetë a vdekje», pasi meshkujt këndojnë që «të tërheqin partneret dhe të shënojnë territorin». Meqë zhurma e qytetit është më e fortë në tonalitetet e ulëta, disa zogj këndojnë natën, e ngrenë volumin ose këndojnë në tonalitete më të larta. Revista thotë se kjo përshtatje e zogjve nuk kufizohet vetëm nëpër qytete. Edhe ata që jetojnë afër «ujëvarave dhe lumenjve të rrëmbyeshëm këndojnë me tone më të larta».