Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta përballoj ndarjen?

Si ta përballoj ndarjen?

Të rinjtë pyesin

Si ta përballoj ndarjen?

«Pas pesë vjetësh shoqëri kishim qenë të lidhur për gjashtë muaj. Kur donte t’i jepte fund lidhjes, nuk arrinte as të ma thoshte në sy. Thjesht nuk më fliste më me gojë. Ndihesha përtokë. Zhgënjimi po ma merrte frymën. Vrisja mendjen: ‘Ku gabova?’»​—Rakela. *

NDARJA mund ta ndrydhë natyrën e qeshur dhe ta kthejë në trishtim e lot. Mendo për Xhimin dhe Suzanën që u shoqëruan për dy vjet. Gjatë asaj kohe u lidhën shumë emocionalisht. Tërë ditën Xhimi i dërgonte mesazhe në celular plot fjalë dashurie. Hera-herës i bënte dhurata për t’i treguar se mendonte për të. «Xhimi përpiqej të më dëgjonte e të më kuptonte,—thotë Suzana.—Më bënte të ndihesha e veçantë.»

Madje Xhimi dhe Suzana flitnin për martesën dhe se ku do të jetonin si burrë e grua. Ai i mori edhe masën për t’i blerë unazën. Pastaj, befas i dha fund lidhjes. Suzana ndihej e dërrmuar. Ndonëse bënte gjërat e përditshme, ishte e mpirë nga tronditja. Ajo thotë: «S’kisha pikë fuqie, si mendërisht, edhe fizikisht.» *

Pse është e dhembshme?

Nëse gjendesh në situatën e Suzanës, mbase mendon: «A do ta marr ndonjëherë veten?» (Psalmi 38:6) Dëshpërimi është i natyrshëm. Ndarja mund të jetë një nga përvojat më të dhembshme që ke duruar. Disa kanë thënë se është sikur të vdes një pjesë e jotja. Madje mund të ndihesh si ata që kanë pasur një vdekje e, ndër të tjera, të kalosh këto faza tipike pikëllimi:

Mohimi. «S’ka si të ketë marrë fund. Ka për të ndërruar mendje pas nja dy ditësh.»

Inati. «Si arriti të ma punonte kështu? S’e duroj dot!»

Dëshpërimi. «Jam kot fare. Kurrë s’ka për të më dashur njeri.»

Pranimi. «Do t’ia dal. Ndarja është e dhembshme, por po e marr veten.»

Ji optimiste, sepse është e mundur ta arrish fazën e fundit, pra ta pranosh situatën. Se sa kohë do të të duhet, varet nga disa gjëra, si për shembull, sa ka zgjatur lidhja dhe deri ku kishte shkuar. Por ndërkohë, si ta përballosh vuajtjen?

Si t’i bësh ballë?

Mbase e ke dëgjuar shprehjen: koha shëron çdo plagë. Në fillim kur ndahesh, këto mund të tingëllojnë fjalë boshe. Kjo ndodh ngaqë koha është veç një pjesë e zgjidhjes. Le ta ilustrojmë: kur çahesh, me kalimin e kohës plaga do të të mbyllet, por tani të dhemb. Duhet ta ndalosh gjakrrjedhjen dhe të lehtësosh dhembjen. Gjithashtu duhet ta mbrosh që të mos të infektohet. Njësoj ndodh edhe me plagën emocionale. Tani për tani të dhemb. Por mund të bësh disa gjëra që ta lehtësosh dhembjen dhe të mos e lejosh vrerin të ta infektojë plagën. Koha do të bëjë të sajën, por si mund të bësh ti pjesën tënde? Ndiq sugjerimet e mëposhtme.

Mos e ndrydh pikëllimin. S’ka asnjë të keqe ta zbrazësh dëshpërimin me të qarë. Në fund të fundit Bibla thotë se ka «një kohë për të qarë» e madje «një kohë për të vajtuar». (Eklisiastiu 3:1, 4) Të qash, nuk do të thotë se je e dobët. Edhe Davidi, një luftëtar i guximshëm, kur ishte në ankth të madh, tha: «Çdo natë e lag shtratin me vajin tim dhe bëj që të rrjedhin lot mbi shtrojen time.»—Psalmi 6:6, Diodati i Ri.

Kujdesu për shëndetin. Ushtrimet dhe ushqimi i shëndetshëm do të të ndihmojnë të fitosh energjinë e humbur nga vuajtja emocionale. Bibla thotë: «Stërvitja e trupit është e dobishme.»—1 Timoteut 4:8.

Në çfarë drejtimesh duhet të tregosh kujdes për shëndetin?

․․․․․

Zëre kohën me veprimtari. Mos hiq dorë nga gjërat që i ke me qejf. Tani më shumë se kurrë mos u veço nga të tjerët. (Proverbat 18:1) Po të shoqërohesh me ata që interesohen për ty, do të përqendrohesh në gjëra pozitive.

Ç’synime mund të vësh që ta zësh kohën me veprimtari?

․․․․․

Shprehja ndjenjat Perëndisë në lutje. Kjo mund të jetë e vështirë. Pas një ndarjeje disa ndihen sikur i ka tradhtuar edhe Perëndia. Ata mendojnë: «U luta sa s’ka që të gjeja dikë dhe ja çfarë ndodhi.» (Psalmi 10:1) Megjithatë, a është e drejtë ta shohësh Perëndinë si një mbles qiellor? Patjetër që jo. Ai nuk është fajtor as kur ndonjë nga palët dëshiron t’i japë fund lidhjes. Një gjë e dimë mirë për Jehovain: ‘Ai interesohet për ty.’ (1 Pjetrit 5:7) Prandaj zbrazja zemrën në lutje. Bibla thotë: «Bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja. . . . Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.»—Filipianëve 4:6, 7.

Për çfarë gjërash mund t’i lutesh në veçanti Jehovait tek lufton me dhembjen e ndarjes?

․․․․․

Shiko përpara

Pasi të ketë kaluar koha dhe plaga të jetë mbyllur, mund të jetë mirë ta mendosh me kujdes ç’ndodhi me lidhjen tuaj. Kur të ndihesh gati për këtë, një ndihmë mund të jetë të shkruash përgjigjet e pyetjeve të mëposhtme.

▪ A ta tregoi arsyen e ndarjes? Në rast se po, shkruaje më poshtë, pavarësisht nëse të duket apo jo një arsye e vlefshme.

․․․․․

▪ Çfarë arsyesh të tjera mund të ketë pasur?

․․․․․

▪ Kur kthen kokën pas, a mendon se mund të kishe bërë diçka që do ta ndryshonte fundin? Nëse po, çfarë?

․․․․․

▪ A të ka treguar kjo përvojë se ku duhet të punosh për të kultivuar më tej miqësinë me Jehovain dhe cilësitë e krishtere, si dhe për t’u rritur emocionalisht?

․․․․․

▪ A ka diçka që do ta bëje ndryshe në një lidhje të ardhshme? Çfarë?

․․․․․

Vërtet, lidhja juaj nuk doli siç shpresoje. Por mbaj mend: mes një shtrëngate është e lehtë të përqendrohesh te qielli i zymtë e te rrebeshi. Mirëpo, pastaj shiu ndalet e qielli kthjellohet. Të rinjtë që folën në këtë artikull, me kalimin e kohës e morën veten dhe ecën para. Ji e sigurt se njësoj do të jetë edhe me ty!

[Shënimet]

^ par. 3 Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.

^ par. 5 Ndonëse në artikull tregohen përvojat e disa vajzave, parimet vlejnë njësoj edhe për djemtë.

PËR TË MENDUAR

▪ Çfarë ke mësuar për veten nga lidhja që kishe?

▪ Çfarë ke mësuar për seksin tjetër?

▪ Kujt mund t’i hapesh kur të vë poshtë dëshpërimi?

[Kutia në faqen 20]

SUGJERIM

Suzana, e përmendur më sipër, bëri një listë me shkrime dhe e mbante gjithnjë pranë që t’i lexonte kur e ndiente se do të bëhej keq. Ndoshta edhe ti mund të bësh kështu me disa nga shkrimet e këtij artikulli.

[Figura në faqen 19]

Ndarja është si një çarje: të dhemb, por me kalimin e kohës do të shërohet