Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fëmijë të dhjamosur: Çfarë mund të bëhet?

Fëmijë të dhjamosur: Çfarë mund të bëhet?

Fëmijë të dhjamosur: Çfarë mund të bëhet?

DHJAMOSJA te fëmijët ka marrë përmasa epidemike në shumë vende. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, anembanë botës rreth 22 milionë fëmijë nën moshën pesëvjeçare janë mbi peshë.

Nga një sondazh kombëtar në Spanjë doli se një në tre fëmijë janë ose mbi peshë ose të dhjamosur. Brenda dhjetë vjetësh (1985-1995), numri i fëmijëve të dhjamosur në Australi u trefishua. Në Shtetet e Bashkuara rastet e dhjamosjes te fëmijët e moshës 6 deri në 11-vjeçare janë shtuar më shumë se trefish gjatë tri dekadave të fundit.

Ky problem po prek edhe vendet në zhvillim. Organizata Ndërkombëtare Kundër Dhjamosjes thotë se, në disa pjesë të Afrikës, ka më shumë fëmijë të dhjamosur sesa të kequshqyer. Më 2007-n, Meksika radhitej e dyta pas Shteteve të Bashkuara për dhjamosjen e fëmijëve. Thuhet se, vetëm në qytetin e Meksikos, 70 për qind e fëmijëve dhe e adoleshentëve janë mbi peshë ose të dhjamosur. Kirurgu pediatër dr. Fransisko Gonsales paralajmëron se ky mund të jetë «brezi i parë që do të vdesë para prindërve nga pasojat e dhjamosjes».

Cilat janë këto pasoja? Diabeti, tensioni i lartë dhe sëmundjet e zemrës janë tri prej tyre. Dikur këto probleme shëndetësore haseshin në përgjithësi te të rriturit. Sipas Institutit të Mjekësisë në SHBA, 30 për qind e djemve dhe 40 për qind e vajzave që lindën në vitin 2000 në Shtetet e Bashkuara, rrezikojnë që në të ardhmen të diagnostikohen me diabet të tipit 2 për shkak të dhjamosjes.

Sondazhet tregojnë se vërehet edhe një dukuri tjetër alarmuese mes fëmijëve. Rritja e numrit të fëmijëve të dhjamosur po çon në shpeshtimin e rasteve me tension të lartë. «Po të mos prapësohet kjo dukuri e shtimit të rasteve me tension të lartë, mund të kemi një shpërthim sëmundjesh të reja kardiovaskulare tek adoleshentët dhe te të rriturit»,—paralajmëron dr. Rebeka Din-Dziethami në Fakultetin e Mjekësisë «Morhauz» në Atlanta, Xhorxhia.

Cilat janë shkaqet?

Nga se shkaktohet epidemia globale e dhjamosjes te fëmijët? Ndonëse gjenet e trashëguara nga prindërit mund të ndikojnë, shtimi alarmues i fëmijëve të dhjamosur dekadat e fundit tregon se gjenet nuk janë i vetmi shkaktar. Stiven O’Rahili, profesor i biokimisë dhe mjekësisë në Universitetin e Kembrixhit në Angli, thotë: «Shtimi i rasteve të dhjamosjes nuk shpjegohet dot me origjinën gjenetike. Gjenet s’kanë si të ndryshojnë brenda 30 vjetësh.»

Klinika «Mejo», në Shtetet e Bashkuara, thotë për shkaqet e këtij problemi: «Edhe pse dhjamosja te fëmijët ka disa shkaqe gjenetike dhe hormonale, pesha e tepërt vjen ngaqë fëmijët hanë shumë dhe lëvizin fare pak.» Ja dy shembuj që tregojnë si po ndryshojnë sot zakonet në të ngrënë.

Së pari, meqë prindërit punojnë dhe kanë më pak kohë e fuqi të gatuajnë, fëmijët konsumojnë gjithnjë e më tepër ushqime të çastit. Lokalet fast-food kanë mbirë si kërpudhat anekënd botës. Sipas një studimi, në Shtetet e Bashkuara afro një e treta e gjithë fëmijëve 4 deri në 19-vjeç hanë çdo ditë fast-food. Zakonisht këto ushqime janë plot me sheqerna e yndyrna dhe serviren në racione të mëdha që të tundojnë t’i hash.

Së dyti, pijet e gazuara dhe lëngjet e tjera të gatshme preferohen më tepër se qumështi dhe uji. Për shembull, çdo vit meksikanët harxhojnë më shumë për pijet e gazuara, sidomos për pijet me kola, sesa për dhjetë ushqimet bazë të marra së bashku. Sipas librit Lufta kundër dhjamosjes te fëmijët (anglisht), po të pish vetëm 600 ml pije të gazuara në ditë, mund të shtosh rreth 12 kg në vit.

Për sa i përket mungesës së aktivitetit fizik, një studim i Universitetit të Glasgout, Skoci, zbuloi se një trevjeçar bën mesatarisht vetëm njëzet minuta në ditë «lëvizje të lehta ose energjike». Duke komentuar për këtë studim, dr. Xhejms Hilli, profesor i pediatrisë dhe i mjekësisë në Universitetin e Kolorados, tha: «Jeta e fëmijëve sa vjen e bëhet më sedentare, dhe kjo nuk është karakteristikë vetëm për Mbretërinë e Bashkuar, por vërehet në shumë vende përreth botës.»

Çfarë zgjidhje ka?

Specialistët e të ushqyerit nuk rekomandojnë dietë të rreptë për fëmijët, pasi kjo mund të dëmtojë rritjen dhe shëndetin e tyre. Në fakt, klinika «Mejo» thotë: «Një ndër strategjitë më të mira për të luftuar peshën e tepërt te fëmijët është të përmirësoni dietën dhe aktivitetin fizik të gjithë familjes.»—Shih kutinë shoqëruese.

Jini të vendosur të hani ushqime të shëndetshme dhe të bëni ushtrime si familje. Kështu fëmijët tuaj do t’i kenë këto zakone të mira edhe kur të rriten.

[Kutia dhe figura në faqen 28]

Ç’MUND TË BËJNË PRINDËRIT?

1 Blini dhe jepuni më shumë fruta dhe perime, sesa ushqime të gatshme.

2 Kufizojini pijet e gazuara, ato me sheqer dhe ushqimet me shumë yndyrë e sheqer. Në vend të këtyre jepuni ujë ose qumësht me pak yndyrë dhe ushqime të shëndetshme.

3 Që ushqimet të mos thithin shumë yndyrë, mos i skuqni, por piqini në furrë, në skarë, gatuajini me avull ose përdorni metoda të tjera.

4 Jepuni racione më të vogla.

5 Mos e përdorni ushqimin si shpërblim ose për t’i marrë me të mirë.

6 Mos lejoni që fëmijët të rrinë pa mëngjes, përndryshe do ta teprojnë më pas në të ngrënë.

7 Hani në tavolinë. Kur ha para ekranit të televizorit ose të kompjuterit, nuk e kupton sa ha dhe e ndien me vonesë ngopjen.

8 Nxitini të merren me aktivitet fizik, si të ngasin biçikletën, të luajnë me top e të kërcejnë me litar.

9 Kufizojuani kohën para televizorit, kompjuterit dhe videolojërave.

10 Planifikoni të dilni si familje, si për shembull të shkoni në kopshtin zoologjik, të notoni ose të luani në park.

11 Jepuni fëmijëve punë shtëpie që kërkojnë lëvizje.

12 Jini shembull duke ngrënë ushqime të shëndetshme e duke bërë ushtrime.

[Burimi]

Burimi: Institutet Kombëtare të Shëndetësisë në SHBA dhe klinika «Mejo»