Libri im i vogël rozë
Libri im i vogël rozë
Treguar nga Sinthia Njueli
KUR isha shtatë vjeçe, një vajzë në autobusin e shkollës në Shrivport, Luizianë, SHBA, më dha një libër të vogël ngjyrë rozë me titull Dëgjoni Mësuesin e Madh. Më tha se do të ma jepte për 50 centë. Kështu erdhi në shtëpinë time dhe së bashku numëruam 50 centët.
Vdisja për atë libër të vogël rozë. Pas pak kohësh, u sëmura dhe u shtrova në spital. Që të mos mërzitesha, familjarët më lexonin nga libri im i dashur. Mirëpo, teksa rritesha, e lexoja gjithnjë e më rrallë, pasi ai ishte bërë kryesisht për fëmijët. Libri më kishte mësuar gjëra të rëndësishme, por duhej t’i kuptoja më mirë. Vendosa që çdo javë të shkoja në kisha të ndryshme, që të gjeja përgjigjet e Biblës për pyetjet e mia. Gjithsesi, nuk gjeta shpjegime bindëse.
Kur ndiqja shkollën e mesme, feja për mua nuk ishte edhe aq e rëndësishme, ndonëse ende dëshiroja me zjarr ta njihja Biblën dhe e lexoja rregullisht. Një ditë vura re se një shoqe klase nuk mori pjesë në betimin para flamurit dhe, kur e pyeta, m’u përgjigj: «Unë ia kam dhënë besnikërinë time Jehovait, pra, si mund t’ia kushtoj edhe Perëndisë, edhe flamurit?» M’u duk logjike. «Po kush është Jehovai?»—thashë me vete.
Për çdo pyetje që bëra, shoqja më dha përgjigje nga Bibla. Mendoja: «Nga i ka mësuar gjithë këto gjëra? Jemi moshatare, e megjithatë ajo di gjithçka për Biblën.» Shoqja më shpjegoi: «Mësoj për Biblën në Sallën e Mbretërisë.» E pranova gjithë qejf ftesën për të shkuar në mbledhje të dielën. Kisha qenë në të gjitha kishat e qytetit, por s’di se si nuk kisha shkuar në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait. Po atë të diel e kuptova menjëherë se ky ishte vendi ku mësohej Bibla.
Pas mbledhjes, shkova te banaku i literaturës dhe ja tek më zunë sytë te rafti i sipërm librin e vogël rozë. Kishin kaluar dhjetë vjet që kur ajo vajzë e vogël ma dha atë libër në autobus dhe e kisha harruar se kush ishte. Por tani m’u kujtua. Ishte po ajo vajzë, Nensi, që më ftoi në mbledhje.
Pas asaj dite, bëja çdo javë studim biblik dhe përparova shpejt. Kisha mësuar kaq shumë nga libri im i vogël rozë, saqë i kuptoja menjëherë ato që mësoja nga studimi. Shpejt ia kushtova jetën Jehovait dhe u pagëzova në vitin 1985 në moshën 18-vjeçare. Ndërkaq Nensi ishte transferuar në Florida dhe i humbëm lidhjet.
Disa vjet më vonë u martova. Më 1991, bashkë me tim shoq, Druin, u bëmë pionierë dhe kalonim shumë kohë në predikim në një qytet të vogël në lindje të Teksasit. Por ç’ndodhi vallë me Nensin? S’e kisha idenë. Një natë, teksa lexoja Kullën e Rojës të 1 dhjetorit 1992, thirra: «E gjeta Nensin! Ja Nensi!» E pashë në fotografinë e të diplomuarve të Galaadit. Ajo dhe i shoqi, Nik Simoneli, ishin caktuar në Ekuador, në Amerikën e Jugut.
Në vitin 2006, bashkë me burrin, bëmë kërkesë të shërbenim si vullnetarë në projektet ndërkombëtare të ndërtimit të Dëshmitarëve të Jehovait. Sa u entuziazmuam kur morëm vesh se na caktuan në projektin për zgjerimin e degës në Ekuador! Ditën e parë që shkela në degën e Ekuadorit, ja tek erdhi Nensi. Rastisi që, tamam atë ditë, po bënte një vizitë në degë. E pamë njëra-tjetrën dhe u përqafuam. Ishim sërish bashkë, 32 vjet pasi më kishte dhënë librin e vogël rozë. Sa mirënjohëse i jam Jehovait për atë libër dhe për vajzën e vogël që ma dha!
[Kutia dhe figurat në faqen 23]
KANË NDIKUAR NË JETËN E MILIONA VETAVE
Në vitin 2003, pas 32 vjetësh që shtypej libri Dëgjoni Mësuesin e Madh, doli një botim i rishikuar i tij. Titullohej Të mësojmë nga Mësuesi i Madh. Deri sot, më tepër se 65 milionë kopje të këtyre librave që flasin për mësimet e Jezuit, janë shtypur në më shumë se 100 gjuhë. Mund ta merrni librin Të mësojmë nga Mësuesi i Madh nga ndonjë Dëshmitar i Jehovait në zonën tuaj.
[Figurat në faqen 23]
Fotografitë e vogla: në fëmijëri kur u njohëm me njëra-tjetrën
Sinthia
Nensi
Fotografia e madhe: vite më vonë në degën e Ekuadorit