Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndriçohet një mister i madh shkencor

Ndriçohet një mister i madh shkencor

Ndriçohet një mister i madh shkencor

KUR palombarët eksploruan një anije të mbytur pranë ishullit grek të Antikiterës në vitin 1901, zbuluan një thesar. Anija e mbytur ishte një anije tregtare e Romës së lashtë e, ndër të tjera, transportonte statuja mermeri e bronzi dhe monedha argjendi nga Pergami. Nga monedhat, studiuesit llogaritën se anija, që ka shumë të ngjarë të ishte nisur për në Romë, u mbyt diku në periudhën e viteve 85-60 p.e.s.

Pas zbulimit, objektet në anije u ruajtën në Muzeun Arkeologjik Kombëtar të Athinës. Megjithatë nuk ishin as statujat, as monedhat, ato që i tërhoqën studiuesit në dyert e muzeut në vitin 2005. Vëmendja e tyre ishte përqendruar te një pajisje bronzi që fillimisht gjendej në një kuti druri, afërsisht sa një kuti këpucësh. Ky objekt, i njohur si mekanizmi i Antikiterës, vë në pikëpyetje hipotezat rreth arritjeve shkencore të qytetërimeve të hershme. Kjo pajisje është quajtur «mekanizmi më i sofistikuar që njihet nga bota e lashtë».

Çfarë është ai? Përse është kaq i rëndësishëm?

Objekt i mistershëm

Kur u nxor nga fundi i detit, ky objekt ishte ndryshkur keq dhe ishte veshur me shtresa. Pothuajse 2.000 vjet më vonë, ai i ngjasonte një shkëmbi të veshur me myshk. Meqë gjithë euforinë e kishin thithur statujat, ky objekt i mistershëm u la në hije.

Kur një arkeolog grek e studioi në vitin 1902, mekanizmi ishte i ndarë në disa pjesë. Kishte ingranazhe të përmasave të ndryshme me dhëmbë në formë trekëndëshi të rregullt. Pajisja dukej si orë, por kjo përjashtohej si mundësi, meqë mendohej se orët u futën në përdorim të gjerë rreth 700 vjet më parë.

Një artikull për mekanizmin e Antikiterës shpjegon se «historianët në përgjithësi nuk mendojnë se [grekët e rreth 2.000 vjetëve më parë] kishin ingranazhe të sakta teknikisht—ingranazhe metalike të organizuara në vargje komplekse që transmetonin lëvizjen nga një bosht transmisioni në tjetrin». Gjithsesi, mendohej se pajisja ishte një lloj astrolabi, instrument që dikur përdorej dendur për të përcaktuar gjerësinë gjeografike nëpërmjet pozicionit të trupave qiellorë.

Prapëseprapë, shumë thanë se ingranazhet ishin tepër të ndërlikuara për një objekt 2.000-vjeçar. Kështu nxorën përfundimin se nuk duhej të ketë qenë në anijen e lashtë të mbytur. Nga ana tjetër, një studiues hodhi idenë se objekti mund të ishte legjendarja sferë e Arkimedit. Kjo e fundit u përshkrua nga Ciceroni në shekullin e parë p.e.s., si një lloj modeli planetar mekanik që imiton në miniaturë lëvizjet e Diellit, Hënës dhe të pesë planetëve që mund të shihen me sy të lirë. Sidoqoftë, në përgjithësi u pranua teoria e astrolabit, pasi nuk kishte prova të qarta që ta hidhnin poshtë.

Shqyrtohet nga afër

Në vitin 1958, mekanizmin e studioi Derik de Sola-Prajsi, fizikan që më vonë ndërroi fushë dhe u bë profesor historie. Ai arriti në përfundimin se me anë të kësaj pajisjeje mund të llogariteshin dukuritë astronomike të kaluara ose të ardhshme, si për shembull, kur do të ishte hëna e plotë. Ai kuptoi se mbishkrimet në fushën e pajisjes tregonin ndarjet kalendarike, ditët, muajt dhe shenjat e zodiakut. Prajsi mendonte se dikur duhej të ketë pasur akrepa rrotullues që tregonin pozicionin e trupave qiellorë në periudha të ndryshme.

Prajsi nxori si përfundim se ingranazhi më i madh tregonte lëvizjen e Diellit dhe një rrotullim i plotë përkonte me një vit diellor. Nëse një ingranazh tjetër i lidhur me të parin tregonte lëvizjen e Hënës, atëherë raporti i numrit të dhëmbëzave të të dyja rrotëzave duhej të pasqyronte idetë e grekëve të lashtë për orbitat e Hënës.

Më 1971, Prajsi e studioi mekanizmin me anë të rrezeve X. Rezultatet vërtetuan teoritë e tij. Pajisja ishte një llogaritës astronomik kompleks. Prajsi bëri një skicë si funksiononte mekanizmi sipas idesë së tij dhe i botoi zbulimet në vitin 1974. Ai shkroi: «Askund tjetër nuk është zbuluar një instrument si ky. . . . Nga gjithë sa dimë për shkencën dhe teknologjinë e epokës helenike, nuk do të mendonim se kjo pajisje do të ekzistonte.» Asokohe punën e Prajsit nuk e duartrokitën sa duhet. Sidoqoftë të tjerë vazhduan kërkimet në gjurmët e tij.

Hidhet më shumë dritë

Në vitin 2005, ekipi i studiuesve të përmendur në fillim e analizoi mekanizmin duke përdorur fjalën e fundit të teknologjisë, skanerin TK, për të përftuar me rreze X një imazh tridimensional me cilësi të lartë. Këto studime hodhën dritë mbi mënyrën si funksiononte mekanizmi. Me një kurdisje, të paktën 30 ingranazhe të ndërthurura aktivizonin tri fusha në anën e parme dhe të prapme të kutisë. Kjo bënte të mundur të parashikoheshin ciklet astronomike, përfshirë eklipset, në lidhje me ciklin katërvjetor të Lojërave Olimpike dhe lojërave të tjera helenike. Këto lojëra zakonisht përdoreshin si referim për kronologjinë.

Pse ishin kaq të rëndësishme këto të dhëna? Ka disa arsye. Astronomia ishte e rëndësishme për popujt e lashtë, sepse dielli dhe hëna shërbenin si bazë për kalendarët që u tregonin bujqve kur të mbillnin. Lundërtarët i përdornin yjet për t’u orientuar. Dukuritë astronomike ndikonin shumë në shoqërinë greke. Por ka edhe një arsye tjetër pse ky informacion ishte me vlerë.

«Për babilonasit e lashtë parashikimi i eklipseve ishte shumë i rëndësishëm, pasi mendohej se ishin ogur i keq,—shkruan Martin Aleni që punon në Projektin për Studimin e Mekanizmit të Antikiterës.—Mbase mekanizmi konsiderohej vegël politike që u jepte mundësi sundimtarëve të zotëronin mbi nënshtetasit. Madje është hedhur ideja se një nga arsyet përse i njohim kaq pak këta mekanizma është se ata mbaheshin si sekrete ushtarake a politike.»

Pavarësisht nga çfarë mund të na mësojë tjetër, mekanizmi është dëshmi se astronomia dhe matematika në Greqinë e lashtë, që bazoheshin mjaft në traditën e gjatë të babilonasve, ishin shumë më tepër të zhvilluara nga ç’mund të mendojmë ne. Revista Nature shprehet kështu: «Mekanizmi i lashtë i Antikiterës jo vetëm që vë në pikëpyetje hamendjet tona rreth teknologjisë së trashëguar nëpër epoka, por edhe hedh dritë mbi vetë historinë.»

[Kutia në faqen 26]

KUSH E KRIJOI?

Mekanizmi i Antikiterës nuk mund të ketë qenë i vetmi i këtij lloji. «Nuk ka asnjë shenjë gabimi,—shkruan Martin Aleni.—Të gjitha veçoritë mekanike e kanë një qëllim. Nuk ka vrima ose copëza metali të tepërta që të bëjnë të mendosh se prodhuesi e modifikoi projektin teksa ndërtonte mekanizmin. Kjo të çon në përfundimin se duhet të ketë ndërtuar një sërë mekanizmash të tjerë më parë.» Pra, kush e krijoi? Ç’u bë me pajisjet e tjera që bëri ai?

Studimi më i fundit rreth këtij mekanizmi ka zbuluar emrat e muajve në fushën e tij të pasme, që parashikonte eklipset. Emrat e kanë origjinën nga Korinti. Kjo bën që studiuesit të mendojnë se pajisja u krijua dhe u përdor nga njerëz të një kulture të caktuar. Revista shkencore Nature thotë: «Kandidatët kryesorë janë kolonitë korintase të Greqisë Veriperëndimore ose të Sirakuzës në Sicili. Nëse qëndron e dyta, kjo do të thotë se e kemi trashëguar nga koha e Arkimedit.»

Përse nuk kanë mbijetuar pajisje të tilla? «Bronzi është me vlerë dhe mjaft i riciklueshëm,—shkruan Aleni.—Si rrjedhojë, zbulimet antike prej bronzi janë tepër të rralla. Shumë zbulime bronzi me vlera historike janë gjetur nën ujë, ku s’i arrinin dot ata që mund t’i ripunonin.» Një studiues thotë: «E kemi këtë [model] vetëm ngaqë ripunuesit e këtij metali nuk e arrinin dot.»

[Diagrami dhe figurat në faqen 25]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Rindërtimi i ingranazheve të mekanizmit të Antikiterës

1. Fusha e parme tregonte fazat e Hënës, pozicionin e Diellit e të Hënës. Gjithashtu tregonte ditën dhe muajin sipas kalendarit diellor dhe lëvizjen e Diellit (e të planetëve të dukshëm) në lidhje me yjësitë e zodiakut

2. Fusha e pasme e sipërme tregonte lidhjen midis muajve hënorë, viteve diellore dhe kohës së lojërave helenike

3. Fusha e pasme e poshtme parashikonte eklipsin diellor dhe hënor

[Figurat]

Pamje ballore

Pamje nga prapa

[Burimi]

Të dyja fotografitë: ©2008 Tony Freeth/​Antikythera Mechanism Research Project (www.antikythera-mechanism.gr)

[Figura në faqen 26]

Ja si mund të ketë qenë kapaku i pasmë

[Burimi]

©2008 Tony Freeth/​Antikythera Mechanism Research Project (www.antikythera-mechanism.gr)

[Burimi i figurës në faqen 24]

Të gjitha fotografitë: ©2005 National Archaeological Museum/​Antikythera Mechanism Research Project (www.antikythera-mechanism.gr)