Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪ Një studim i gjerësishëm rreth gjendjes së llojeve të koraleve që formojnë shkëmbinjtë koralorë, tregon se 32,8 për qind e llojeve të klasifikuara për t’u mbrojtur janë «në rrezik të madh zhdukjeje», si pasojë e ndryshimit të klimës ose veprimtarisë së njeriut.—SCIENCE, SHBA.
▪ Nga më shumë se 2.000 fëmijë me probleme të frymëmarrjes që u vizituan në pavijonin pediatrik të një spitali në Athinë, rreth «65 për qind kishin thithur tym [duhani] nga njëri ose të dy prindërit».—KATHIMERINI—BOTIMI NË ANGLISHT, GREQI.
▪ «Çmimi në rritje i naftës, kostoja gjithnjë e më e lartë e jetës, . . . kërcënimi i rënies ekonomike . . . dhe katastrofat e shpeshta natyrore të cilat nxjerrin në pah sa të dobët jemi, janë probleme të rënda për të cilat është e qartë se nuk kemi ndonjë zgjidhje afatshkurtër ose afatgjatë.»—LUIS-MARIA DE PUIG, PRESIDENTI I ASAMBLESË PARLAMENTARE TË KËSHILLIT TË EVROPËS.
▪ Në Poloni, 17 për qind e djemve dhe 18 për qind e vajzave kishin provuar droga para se të mbushnin 15 vjeç.—ŻYCIE WARSZAWY, POLONI.
Konflikti midis luanëve dhe njerëzve
Me rritjen e popullsisë në Afrikë, habitati i kafshëve po zvogëlohet, dhe kjo po çon në «përballje të shpeshta dhe në mjaft raste të dhunshme», siç thuhet në revistën e Kejptaunit Africa Geographic. Në veçanti luanët «duket se kanë vënë në shënjestër njerëzit si pre». Për shembull, në Tanzani luanët kanë vrarë të paktën 70 veta çdo vit, që prej vitit 1990. Sipas revistës, në disa raste tufat e luanëve «po specializohen për të kapur njerëzit duke i sulmuar në hyrje të kasolles, duke i rrëmbyer nga çatitë prej kashte dhe nga muret e dobëta prej balte».
Zbulohen hambarë të lashtë egjiptianë
Arkeologët e Universitetit të Çikagos, gjatë punës në jug të Egjiptit, kanë nxjerrë shtatë drithnikë të lashtë, më të mëdhenjtë të njohur në atë vend. Nëpërmjet punimeve artizanale të zbuluara aty pranë, arkeologët përcaktuan se hambarët i përkasin periudhës 1630 deri në 1520 p.e.s. Nëse ky datim është i saktë, drithnikët i takojnë kohës së Moisiut. Ata janë rrethorë, me tulla balte, kanë diametër 5,5 deri në 6,5 metra dhe ka shumë të ngjarë të kenë qenë të paktën 7,5 metra të lartë. Drithnikët ishin pjesë e një qendre për shpërndarjen e ushqimit. Raporti që shkroi universiteti për këtë zbulim thotë se këto qendra «shërbenin si vende ku bereqeti i luginës së Nilit grumbullohej për nevojat e vendit. Përdorimi i drithit si monedhë u jepte pushtet faraonëve». Raporti shtonte se «ngaqë drithi ishte një formë monedhe, hambarët shërbenin si banka dhe depo ushqimesh».
Letra të forta hekur
Studiuesit në Institutin Teknologjik Mbretëror të Suedisë krijuan një metodë për të prodhuar nga celuloza e drurit një lloj letre që ruan forcën natyrore të fibrave. Përpunimi i zakonshëm mekanik i drurit për ta kthyer në brumë që të prodhohet letra, dëmton fibrat e vockla të celulozës dhe e ul mjaft forcën e tyre. Por ekipi suedez arriti ta shpërbënte drurin me enzima dhe pastaj, me anë të një rrahësi, i ndau në ujë pa i dëmtuar fibrat e celulozës. Kur fibrat e paprishura thahen, thuren tok dhe krijohet letra. Caku i rrjedhshmërisë së këtij materiali është më i madh se giza dhe thuajse njësoj sa çeliku që përdoret në ndërtim.