Paranë e ke padron apo shërbëtor?
A VUAN nga sëmundja e parasë? Sipas raporteve, ajo ka prekur një përqindje të madhe të popullsisë së botës. Ç’është kjo sëmundje?
Dr. Roxher Hendersoni, studiues në fushën e shëndetit mendor në Mbretërinë e Bashkuar, e krijoi rishtas termin «sëmundja e parasë» për të etiketuar simptomat fizike dhe psikologjike që shfaqin njerëzit e stresuar nga problemet me paratë. Ndër këto simptoma janë marrja e frymës, dhembja e kokës, të përzierat, acarimi i lëkurës, mungesa e oreksit, zemërimi pa shkak, nervozizmi dhe mendimet pesimiste. Hendersoni thotë: «Problemet me paratë janë shkaqe të rëndësishme stresi.»
Nuk është habi që muajt e fundit gjithnjë e më shumë njerëz po vuajnë pasojat e ankthit nga paratë. Kriza financiare që po kalojnë shumë vende, ka bërë që në shkallë botërore, mjaft njerëz të humbin punën, shtëpinë dhe kursimet. Kanë rënë institucione të mëdha financiare, madje edhe shtetet më të pasura kanë marrë masa urgjente për të parandaluar rrënimin e plotë financiar. Në vendet në zhvillim, ngritja e çmimeve të ushqimit dhe të gjërave bazë ka sjellë shumë stres.
Problemet nga paraja janë të zakonshme edhe në kohë begatie. Gjatë viteve të fundit të mirëqenies ekonomike, shumë njerëz kanë rënë pre e anktheve për paratë. Për shembull, The Witness, një gazetë e Afrikës së Jugut, thoshte se në Afrikë po përhapej «një sëmundje sociale e karakterizuar nga konsumi pa fre, nga mentaliteti ‘fitimi mbi gjithçka’ dhe nga materializmi i tërbuar». Gazeta rendiste disa simptoma të kësaj ‘sëmundjeje’, ku përfshiheshin «stresi, borxhet, shpërdorimi, mania e punës, ndjenja se kurrë nuk i kanë gjërat e nevojshme, zilia dhe depresioni». Paraja u fajësua për keqësimin e vazhdueshëm të cilësisë së jetës në Afrikë.
Përpara krizës së sotme financiare, India kaloi një periudhë lulëzimi ekonomik. Revista India Today International thoshte se gjatë 2007-s «konsumi arriti befas në një nivel të paparë» në atë vend. Gjithsesi, në atë kohë, autoritetet kishin frikë se nga ky bum ekonomik mund të shtoheshin trazirat, madje edhe dhuna.
Gjatë së njëjtës periudhë, në Shtetet e Bashkuara, brezi i ri po shfaqte prirjen për të shpenzuar pa fre për mallra luksi. Prapëseprapë, kjo fuqi blerëse nuk po i bënte të lumtur. Studiuesit thoshin se atje mirëqenia ishte ndër shkaqet kryesore të alkoolizmit, depresionit dhe vetëvrasjes. Një studim zbuloi se pavarësisht nga bollëku e begatia, «më pak se një në tre amerikanë» thoshte se ishte «shumë i lumtur».
Padronë të parasë
Nga ana tjetër, si në kohë të mira, ashtu edhe në të këqija, shumë njerëz—të pasur dhe të varfër—nuk janë dhe aq në ankth për paratë e pasurinë. Pse janë ndryshe?
Në një raport me titull Kuptimi i parasë (anglisht), studiuesit vërejtën se, për disa njerëz, «paraja është një motiv i fortë dhe janë nën kontrollin e saj. Kjo mund të çojë në stres dhe çrregullime mendore». Në kontrast, ata shtuan: «Ata që i administrojnë mirë paratë, shpesh ndiejnë se e kanë në dorë situatën dhe
janë të kënaqur me veten. Janë padronë të parasë dhe jo skllevër të saj. . . . Duam të theksojmë se ata që administrojnë mirë paratë, mund të kenë edhe më pak stres, e për rrjedhojë më pak ankth.»Ç’pikëpamje ke për paranë? Si ndikon te ti paqëndrueshmëria e ekonomisë botërore? Paranë e ke padron apo skllav? Mbase nuk i ke simptomat e të ashtuquajturës sëmundje e parasë. Gjithsesi, qofshim të pasur a të varfër, të gjithë mund të prekemi nga pasojat e ankthit për paratë. Shqyrto se si mund të të sjellin paqe mendore dhe një jetë më të lumtur disa ndryshime në administrimin e parave.