Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’do të thotë të jesh besnik në martesë?

Ç’do të thotë të jesh besnik në martesë?

Pikëpamja e Biblës

Ç’do të thotë të jesh besnik në martesë?

Shumë njerëz presin që bashkëshortët t’i qëndrojnë besnikë njëri-tjetrit duke mos kryer marrëdhënie seksuale me të tjerë. Kjo pikëpamje për besnikërinë në martesë përputhet me Biblën që thotë: «Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor të jetë pa ndyrësi.»—Hebrenjve 13:4.

A MUND të thuhet se dikush është besnik në martesë vetëm ngaqë nuk kryen marrëdhënie me partnerë të tjerë? Po nëse dikush ka fantazi seksuale për dikë që nuk është bashkëshorti? A ka mundësi që shoqëria e ngushtë me dikë të gjinisë tjetër të kthehet në një formë tradhtie?

A janë të padëmshme fantazitë seksuale?

Bibla tregon se seksi është pjesë e natyrshme dhe e shëndetshme e jetës martesore, burim reciprok gëzimi dhe kënaqësie. (Proverbat 5:18, 19) Por sot, shumë specialistë mendojnë se është normale, madje i bën mirë shëndetit, që një njeri i martuar të ushqejë fantazi seksuale për partnerë të tjerë. A janë të padëmshme këto fantazi për sa kohë që nuk bëhen realitet?

Zakonisht fantazitë seksuale përqendrohen te kënaqësia personale. Kjo sjellje egoiste shkon kundër këshillës që jep Bibla për të martuarit. Fjala e Perëndisë thotë për marrëdhëniet seksuale: «Gruaja nuk ka autoritet mbi trupin e saj, por burri. Edhe burri nuk ka autoritet mbi trupin e tij, por gruaja.» (1 Korintasve 7:4) Ndjekja e këshillës biblike nuk lejon që seksi të kthehet në një akt për të kënaqur epshin egoist që ka si karburant fantazinë. Për rrjedhojë, të dy bashkëshortët janë edhe më të lumtur.—Veprat 20:35; Filipianëve 2:4.

Të fantazosh për marrëdhënie jashtë martesës është si të përgatitesh për veprime që, po të kryhen, do ta lëndonin tmerrësisht bashkëshortin. A e rritin këto fantazi seksuale rrezikun për ta tradhëtuar bashkëshortin? Përgjigjja e thjeshtë është po. Bibla ilustron lidhjen midis veprimeve dhe mendimeve: «Por secili sprovohet, i tërhequr dhe i joshur nga dëshira e vet. Pastaj dëshira, si bëhet pjellore, lind mëkatin.»—Jakovi 1:14, 15.

Jezui tha: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet.» (Mateu 5: 28) Duke mos e lejuar mendjen të endet nëpër fantazi kurorëshkelëse, ‘ruan zemrën’ dhe mbron martesën.—Proverbat 4:23.

Pse të qëndrosh besnik në ndjenja?

Që një martesë të jetë e suksesshme, kërkohet ‘t’i përkushtohesh’ bashkëshortit. (Kënga e Solomonit 8:6; Proverbat 5:15-18) Ç’do të thotë kjo? Ndonëse është normale të kesh shokë të të dyja gjinive, bashkëshorti është i pari që ka të drejtë t’i kushtosh kohë, vëmendje dhe energji emocionale. Çdo lidhje që i merr bashkëshortit atë që me të drejtë i takon dhe ia jep dikujt tjetër, është një formë tradhtie, edhe nëse nuk përfshihen marrëdhëniet seksuale. *

Si mund të krijohet një lidhje e tillë? Dikush i gjinisë tjetër mund të duket më tërheqës ose më mirëkuptues sesa bashkëshorti. Kur kalon kohë me të në vendin e punës ose në ambiente shoqërore, mund të hapësh biseda për çështje personale, përfshirë edhe problemet ose zhgënjimet që ke në martesë. Kështu mund të zhvillohet një varësi emocionale. Komunikimi ballë për ballë, me telefon ose nëpërmjet Internetit mund të bëjë që të shpërdorosh mirëbesimin e bashkëshortit. Të martuarit me të drejtë presin që disa çështje t’i diskutojnë vetëm me njëri-tjetrin dhe ‘bisedat në mirëbesim’ të mbeten mes tyre.—Proverbat 25:9.

Ki kujdes të mos e justifikosh veten me mendimin se nuk ndien asgjë për tjetrin, ndërkohë që në të vërtetë ndjenjat mund të kenë lindur. ‘Zemra është e pabesë’,—thotë Jeremia 17:9. Në rast se ke lidhje të ngushtë me dikë të gjinisë tjetër, pyet veten: «A justifikohem kur të tjerët më pyesin për këtë shoqëri dhe a mundohem ta mbaj sekret? A do të isha në siklet nëse bashkëshortit do t’ia kapte veshi bisedat tona? Si do të ndihesha në qoftë se bashkëshorti do të kishte një miqësi të tillë me dikë tjetër?»—Mateu 7:12.

Një marrëdhënie e papërshtatshme mund ta shkatërrojë martesën, pasi afrimiteti emocional i hap udhën intimitetit seksual. Siç paralajmëroi Jezui, ‘nga zemra vjen kurorëshkelja’. (Mateu 15:19) Gjithsesi, edhe nëse nuk shkon puna deri në kurorëshkelje, mund të jetë jashtëzakonisht e vështirë të ndreqet dëmi që shkakton humbja e besimit. Karena * tha: «Kur zbulova se Marku fliste fshehurazi disa herë në ditë në telefon me një grua tjetër, m’u bë zemra copë. Nuk arrija dot ta besoja se nuk kishin kryer marrëdhënie seksuale. S’di në do të mundem t’i besoj më.»

Mbaji shoqëritë me gjininë tjetër brenda kufijve të duhur. Mos i shpërfill ndjenjat e papërshtatshme e mos i justifiko motivet e papastra. Kur kupton se marrëdhënia me dikë e kërcënon martesën, mos humb kohë, por kufizoje ose jepi fund. Bibla thotë: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet.»—Proverbat 22:3.

Një mish i vetëm: Mbroje këtë lidhje

Krijuesi ynë kishte si qëllim që martesa të ishte lidhja më e ngushtë midis dy njerëzve. Ai tha se burri dhe gruaja «do të bëhen një mish i vetëm». (Zanafilla 2:24) Lidhja si një mish i vetëm shkon përtej intimitetit seksual. Ajo përfshin një lidhje të ngushtë ndjenjash që forcohet nga vetëmohimi, besimi dhe respekti reciprok. (Proverbat 31:11; Malakia 2:14, 15; Efesianëve 5:28, 33) Zbatimi i këtyre parimeve do të të ndihmojë ta mbrosh martesën nga dëmi që shkakton tradhtia me mendje dhe me ndjenja.

[Shënimet]

^ par. 11 Megjithatë, është e rëndësishme të nënvizohet se, sipas Shkrimeve, vetëm marrëdhëniet seksuale jashtë martesës përbëjnë bazën për divorc.—Mateu 19:9.

^ par. 14 Emrat janë ndryshuar.

A DONI TË DINI?

▪ A mund të çojnë në veprime fantazitë seksuale?—Jakovi 1:14, 15.

▪ A mund ta kërcënojë martesën shoqëria e ngushtë me dikë të gjinisë tjetër?—Jeremia 17:9; Mateu 15:19.

▪ Si mund ta forcosh lidhjen martesore?—1 Korintasve 7:4; 13:8; Efesianëve 5:28, 33.

[Diçitura në faqen 29]

«Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet.»—Mateu 5:28.