Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Jam shumë i ngarkuar!»

«Jam shumë i ngarkuar!»

«Jam shumë i ngarkuar!»

PESHËNGRITËSIT që stërviten për Lojërat Olimpike nuk përpiqen të thyejnë rekorde çdo ditë. Ata stërviten rregullisht me pesha më të lehta, dhe kështu forcohen për pesha më të rënda. Nëse do ta sforconin vazhdimisht trupin deri aty ku s’mban më, do t’i stërmundonin muskujt dhe kyçet, e kjo do t’u vinte në rrezik shëndetin dhe karrierën.

Ka shumë të ngjarë që edhe ti si nxënës përpiqesh mjaft në shkollë. Veç kësaj, kur të japin detyra të vështira ose përgatitesh për provime, je gati dhe i ke mundësitë të studiosh edhe më shumë. * Por, po sikur çdo ditë të jesh i mbytur me mësime dhe aktivitete të tjera? Mbase e ke të vështirë të hash e të flesh siç duhet. Dalëngadalë stresi i madh mund të të sëmurë. Ndoshta tani ndihesh tamam kështu. *

Detyra shtëpie që s’kanë të sosur

«Ndërsa hidhem në klasa më të larta, detyrat e shtëpisë shtohen dhe bëhen më të vështira. Duhet gjithë ajo kohë për t’i mbaruar,—thotë Hirokoja * 15-vjeçare nga Japonia.—Kam qejf të bëj shumë gjëra të tjera, por detyrat e shtëpisë duhen dorëzuar të nesërmen. Nganjëherë më kap ankthi.» Svetlana 14-vjeçare nga Rusia shkruan: «E kam gjithnjë e më të vështirë të mbaroj detyrat. Çdo vit kam më shumë lëndë dhe mësuesit na japin shumë më tepër material për të studiuar. Gjithashtu, çdo mësues e mban lëndën e vet si më të rëndësishme se të tjerat. Është e vështirë të gjesh ekuilibrin dhe t’i bësh të gjitha.»

Pse u jepet kaq shumë rëndësi detyrave të shtëpisë? Gilbertoja 18-vjeçar nga Brazili shkruan: «Mësuesit thonë se duan të na përgatisin për konkurrencën e fortë të tregut të punës.» Prapëseprapë mund të ndihesh sikur të zihet fryma, ngaqë ke një mal me detyra shtëpie. Ndoshta mund ta pakësosh stresin duke ndryshuar pikëpamjen që ke për to dhe duke bërë hapa praktikë për t’u organizuar.

Konsideroje rritjen e volumit të detyrave të shtëpisë si stërvitje që të jesh i zoti kur të dalësh në jetë. Ndonëse të duket sikur koha që harxhon për detyrat s’ka fund, vitet e shkollës do të mbarojnë më parë nga ç’e pret. Kur të hysh në punë për të mbajtur veten, do të jesh i kënaqur që i bëre ato detyra të vështira. ‘Do të shohësh të mira për shkak të mundit’ që derdhe gjatë viteve shkollore.—Eklisiastiu 2:24.

Mund ta lehtësosh mjaft stresin nëse ke vetëdisiplinë dhe je i organizuar. (Shih kutinë  «Mënyra praktike për të pakësuar stresin».) Kur e bën zakon t’i dorëzosh në kohë detyrat dhe t’i kryesh mirë, mësuesit mund të krijojnë besim te ti dhe të dëshirojnë të të ndihmojnë. Mendo sikur të kesh këtë lloj marrëdhënieje me një nga mësuesit. Nëse do të të dilte diçka e papritur dhe do t’i thoshe më përpara se s’munde ta përfundosh në kohë një detyrë, a nuk mendon se mësuesi do të ishte më tolerant me ty? Danieli, një shërbëtor i Perëndisë, «ishte i denjë për besim dhe nuk gjetën tek ai asnjë pakujdesi a korruptim». Meqë ishte i papërtueshëm, fitoi pëlqimin e mbretit dhe besimin e tij. (Danieli 6:4) Nëse imiton Danielin në mënyrën si i kryen detyrat e shkollës, mësuesit mund të të bëjnë ndonjë lëshim kur ke nevojë.

A do të çliroheshe plotësisht nga stresi i shkollës nëse do të ishe i vëmendshëm në klasë, do t’i bëje detyrat e shtëpisë dhe do t’i përfundoje në kohë detyrat jashtë klase? Jo, por një pjesë e stresit mund të vijë nga vetë dëshira që ke për të dalë mirë me mësime. Në vend që t’i bësh sa për të kaluar radhën, mund të të lindë dëshira të mësosh e të përfitosh vërtet nga shkolla.

Ky lloj stresi është i dobishëm dhe bën mirë ta kesh. Sidoqoftë, mund të përballesh edhe me strese të dëmshme e të panevojshme.

Vrapojnë pa pushim në aktivitete jashtëshkollore

Përfytyro dikë që gjithnjë abuzon me makinën. I afrohet semaforit me shpejtësi të madhe dhe gomat ulërijnë nga frenimi i ashpër. Pastaj i mëshon gazit dhe niset shpejt duke xhiruar rrotat. Ç’do të ndodhë me makinën e këtij shoferi të rrëmbyer? Ka shumë të ngjarë t’i dëmtohet motori dhe pjesë të tjera. Por, para se të ndodhë kjo, mund të shkatërrohet në ndonjë aksident të rëndë.

Po kështu, shumë nxënës e sforcojnë pareshtur trupin dhe mendjen para dhe pas shkollës. Në librin e saj Të shkosh në shkollë (anglisht), Denisa Klark Popi shkroi për disa studentë që kishte takuar: «Dita e shkollës fillonte herët për ta, një ose dy orë para se të nisin punën shumë të rritur, e shpesh përfundonte natën vonë, pas stërvitjes së futbollit, provave të kërcimit, mbledhjeve me këshillin e nxënësve, punës dhe detyrave të shtëpisë.»

Në rast se studentët do të ecin me këtë ritëm të vrullshëm ditë pas dite, ka shumë mundësi t’i hapin vetes probleme. Për shkak të stresit të madh, ata mund të vuajnë nga stomaku e dhembjet e kokës. Ndërkohë që rraskapitja e vazhdueshme u dobëson sistemin imunitar, ata mund të sëmuren. Pastaj, nga ky vrap përfundojnë në zvarritje dhe mund të jetë një luftë e vërtetë që t’i marrin sërish forcat. A ka ndodhur diçka e tillë edhe me ty?

Është mirë të punosh pa u lodhur për synime që ia vlejnë, por, sado i fortë të jesh, ka një kufi për gjërat që mund të bësh gjatë ditës. Bibla jep këtë këshillë të dobishme: «Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit.» (Filipianëve 4:5) Dy përkufizime të fjalës «i arsyeshëm» janë «të mos jesh ekstremist ose të mos e teprosh» dhe «të kesh gjykim të shëndoshë». Një njeri i arsyeshëm merr vendime që nuk e dëmtojnë atë ose të tjerët. Ai tregon pjekuri, që është e paçmuar në botën e sotme të paqëndrueshme. Pra, që të ruash shëndetin, ji i arsyeshëm: hiq dorë nga disa aktivitete jo dhe aq të rëndësishme ku je angazhuar.

Rendin pas pasurisë

Megjithatë, disa të rinjve arsyetueshmëria u duket më shumë pengesë sesa ndihmë për të arritur synimet. Këta nxënës mendojnë se çelësi drejt suksesit është një punë me rrogë të mirë dhe pasuria që sjell ajo. Popi hasi këtë pikëpamje te disa nga të rinjtë që takoi. Ajo vërejti: «Këta nxënës donin të flinin më shumë dhe të kujdeseshin më shumë për shëndetin, por këtë nuk ua lejonte programi i ngarkuar, ku përfshihej shkolla, familja dhe puna. Gjithashtu dëshironin të kalonin më tepër kohë me miqtë, të bënin edhe aktivitete të tjera ose të merrnin ca ditë pushim, por shumica mendonin se nuk mund t’i bënin këto gjëra dhe prapë të mbanin nota të mira. Ata pohuan se duhej të bënin një zgjedhje dhe, për ta, suksesi i së ardhmes ishte më i rëndësishëm se lumturia e së tashmes.»

Këta nxënës të palodhur bëjnë mirë të mendojnë për fjalët që tha dikur një njeri i mençur: «Ç’dobi do të ketë njeriu nëse fiton gjithë botën, por humbet shpirtin e vet? Apo çfarë do të japë një njeri në këmbim të shpirtit?» (Mateu 16:26) Me këto fjalë, Jezu Krishti paralajmëroi se synimet për të cilat mund të rropatemi në këtë botë, nuk ia vlejnë për çmimin që duhet të paguajë shëndeti, gjendja emocionale dhe marrëdhënia jonë me Perëndinë.

Në librin e saj Çmimi i privilegjit (anglisht), psikologia Madlin Levini shkroi për «faktin se paraja, arsimi, pushteti, prestigji dhe të mirat materiale nuk të mbrojnë nga palumturia dhe sëmundjet emocionale». Popi, e cituar më parë, vuri re: «Shoh shumë fëmijë e prindër që bëjnë çmos të arrijnë përsosmërinë, sipas një koncepti të shtrembëruar që ekziston për suksesin.» Ajo shton: «Ne duhet të bëjmë çmos të jemi të shëndetshëm—mendërisht, fizikisht dhe shpirtërisht.»

Disa gjëra janë shumë më të rëndësishme se paraja. Ndër to janë mirëqenia emocionale dhe fizike, ndërgjegjja e pastër dhe miqësia me Krijuesin tonë. Këto janë dhurata të paçmuara nga Perëndia. Po t’i humbasësh duke rendur pas famës dhe pasurisë, mund të mos i fitosh më kurrë. Me këtë në mendje, shqyrtoni çfarë na mësoi Jezui: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve!»—Mateu 5:3.

Shumë të rinj e kanë pranuar këtë fakt. Teksa japin maksimumin në shkollë, e dinë se rezultatet e shkëlqyera në mësime dhe pasuria nuk sjellin lumturi jetëgjatë. Ata pranojnë se rendja pas këtyre synimeve i ngarkon me stres të kotë. Këta nxënës kanë mësuar se themeli për një të ardhme vërtet të lumtur është të plotësojnë ‘nevojën [që] të mësojnë për Perëndinë’. Botuesit e kësaj reviste ose Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde do të të ndihmojnë me kënaqësi të gjesh lumturi teksa plotëson nevojën për të mësuar për Perëndinë.

[Shënimet]

^ par. 3 Për nxënësit që çalojnë në mësime ose nuk përpiqen sa duhet, shih «Të rinjtë pyesin . . . A mund të shkoj më mirë me mësime?» te Zgjohuni! i marsit 1998, faqet 20-22.

^ par. 3 Për informacione të tjera rreth kësaj teme, shih «Të rinjtë pyesin . . . Kur t’i bëj detyrat e shtëpisë?» te Zgjohuni! i 22 janarit 2004, faqet 13-15.

^ par. 5 Disa emra janë ndryshuar.

[Diçitura në faqen 6]

Sado i fortë të jesh, ka një kufi për gjërat që mund të bësh gjatë ditës

[Diçitura në faqen 8]

Nëse merr njohuri për Krijuesin, ke marrë arsimimin më të mirë

[Kutia dhe figura në faqen 5]

 MËNYRA PRAKTIKE PËR TË PAKËSUAR STRESIN

❑ A harxhon shumë kohë duke kërkuar nëpër letra e shënime? Disa njerëz kanë nevojë për ndihmë që të organizohen më mirë. Mos ki turp t’u kërkosh të tjerëve sugjerime.

❑ A i zvarrit punët? Sa për provë, bëj një përpjekje që ta përfundosh para kohe një detyrë. Lehtësimi dhe kënaqësia që do të ndjesh, do të të habitë dhe mund të të nxitë të mos i shtysh më detyrat e shtëpisë.

❑ A të ndodh shpesh të shohësh ëndrra me sy hapur gjatë mësimit? Bëj një provë për një muaj: dëgjo me vëmendje në klasë dhe merr shënime të dobishme që t’i lexosh më vonë. Do të habitesh se sa më kollaj do ta kesh me detyrat e shtëpisë. Rezultati i mirë do të ta pakësojë stresin e shkollës.

❑ A ke zgjedhur kurse ose lëndë me program të ngjeshur për të qenë më i përgatitur se të tjerët, por që kërkojnë më shumë kohë dhe mund? A është e domosdoshme t’i ndjekësh? Fol me prindërit. Merri mendim dikujt që ka një pikëpamje të arsyeshme për arsimimin. Mbase do të kuptosh se këto kurse ose lëndë fakultative nuk ndikojnë shumë në përparimin tënd.

[Kutia në faqen 6]

MUR MBROJTËS IMAGJINAR

«Gjërat me vlerë janë si një qytet i fortë për të pasurin dhe në imagjinatën e tij ato janë si një mur mbrojtës.» (Proverbat 18:11) Në kohët e lashta, muret e larta u shërbenin njerëzve si mbrojtje nga sulmet. Por imagjino sikur të jetoje në një qytet të rrethuar me një mur që ekziston vetëm në mendjen tënde. Sado që të mundoheshe ta bindje veten për të kundërtën, ai mur nuk do të të mbronte nga armiqtë.

Ashtu si njerëzit që jetojnë në një vend të pambrojtur si ky, edhe të rinjtë që rendin pas pasurisë shkojnë drejt zhgënjimit. A je prind? Është mirë ta ndihmosh fëmijën tënd të mos bjerë në grackën e materializmit dhe të mos e ndërtojë jetën në një qytet me mur imagjinar.

Të vërtetat vijuese të bazuara në Bibël mund të të ndihmojnë të arsyetosh me djalin ose vajzën:

▪ Shpeshherë pasuria e madhe më shumë krijon probleme, sesa zgjidh. «Bollëku nuk e lë të pasurin të flejë.»Eklisiastiu 5:12; 1 Timoteut 6:9, 10.

▪ Po të planifikojë mirë, njeriu nuk ka nevojë për pasuri që të jetë i lumtur. «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim.»Proverbat 21:5; Luka 14:28.

▪ Të ardhurat modeste që plotësojnë nevojat mjaftojnë që njeriu të jetë i kënaqur. «Mos më jep as varfëri, as pasuri.»Proverbat 30:8. *

[Shënimi]

^ par. 43 Mund të gjeni më shumë informacion rreth grackës së materializmit te Zgjohuni! i 8 prillit 2003, faqet 20, 21.

[Figurat në faqen 7]

Kur sforcohesh tepër, nuk e arrin atë që do

[Figura në faqen 7]

MOS i shih detyrat e shtëpisë si problem, por si pjesë të përgatitjes për punë