Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Njeriu që bëri hartën e botës

Njeriu që bëri hartën e botës

Njeriu që bëri hartën e botës

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BELGJIKË

Në fillim të vitit 1544, Gerard Merkatori u gjend në një qeli të ftohtë e të errët burgu. Ai mendonte se i erdhi fundi. Pse ndodhej në këto rrethana hartografi më i madh i shekullit të 16-të? Për ta kuptuar, le të shohim më nga afër jetën e tij dhe kohën në të cilën jetoi.

MERKATORI lindi më 1512-n në Rupelmond, një port i vogël pranë Anversës, Belgjikë. Ai studioi për filozofi dhe teologji në Universitetin e Luvenit. Pasi u diplomua, studioi mësimet e Aristotelit. S’kaloi shumë dhe filloi ta brente fakti që nuk arrinte t’i përputhte pikëpamjet e Aristotelit me mësimet e Biblës. Merkatori shkroi: «Kur pashë se tregimi i Moisiut për Zanafillën e botës nuk harmonizohej mjaftueshëm në shumë aspekte me Aristotelin dhe filozofët e tjerë, më lindën dyshime për mësimet e filozofëve dhe fillova të hetoj sekretet e natyrës.»

Ngaqë nuk donte të bëhej filozof, Merkatori nuk vazhdoi më tej studime universitare. Megjithatë, gjatë gjithë jetës, nuk hoqi dorë nga synimi për të gjetur prova në mbështetje të tregimit biblik të krijimit.

Iu kthye gjeografisë

Më 1534-n, Merkatori nisi të studionte matematikë, astronomi dhe gjeografi nën kujdesin e matematikanit Xhema Frisius. Gjithashtu, ai mund të ketë mësuar artin e gravurës nga mjeshtri dhe bërësi i globeve Gaspar van der Hajdeni. Në fillim të shekullit të 16-të, hartografët përdornin shkrimin gotik me germa të trasha, i cili e kufizonte informacionin që mund të shkruhej në hartë. Megjithatë, Merkatori huazoi një shkrim të ri dore italian, të quajtur italik, që ishte mjaft praktik për bërjen e globeve.

Më 1536-n, në bashkëpunim me Frisiusin dhe Van der Hajdenin, Merkatori punoi për gdhendjen e një globi të tokës. Në suksesin e projektit ndikoi shkrimi i bukur i dorës që përdori Merkatori. Në biografinë që ka shkruar në ditët tona për Merkatorin, Nikolas Kreini tha se, ndërkohë që një hartograf tjetër «kishte arritur të shkruante pesëdhjetë vende amerikane në një hartë muri që ishte aq e gjerë sa është i gjatë njeriu, Merkatori ia doli të fuste gjashtëdhjetë në një sferë me diametër vetëm dy pëllëmbë».

Lindja e një hartografi

Nga viti 1537, Merkatori kishte përfunduar punën e tij të parë të pavarur: hartën e Tokës së Shenjtë, pra të Izraelit të lashtë, të cilën e bëri që «dy dhiatat të kuptoheshin më mirë». Në shekullin e 16-të, hartat e Tokës së Shenjtë ishin tmerrësisht të pasakta. Në disa shënoheshin më pak se 30 emra vendesh, shumë prej të cilëve në vendndodhjen e gabuar. Nga ana tjetër, Merkatori shënoi mbi 400 vende në hartën e tij. Veç kësaj, në të tregonte rrugën që ndoqën izraelitët përmes shkretëtirës pas Daljes nga Egjipti. Mjaft bashkëkohës të Merkatorit e admironin hartën për shkak të saktësisë.

I frymëzuar nga suksesi, më 1538-n Merkatori botoi një hartë bote. Më përpara, hartografët nuk dinin shumë për Amerikën e Veriut dhe e quanin Toka e Largët e Panjohur. Ndonëse Amerika njihej si emër gjeografik, Merkatori ishte i pari që e përdori këtë emër si për Amerikën e Veriut, ashtu edhe për atë të Jugut.

Në kohën e Merkatorit po eksploroheshin oqeanet dhe po zbuloheshin shumë vise të reja. Detarët sillnin informacione kontradiktore që e bënin thuajse të pamundur vizatimin e hartave, pasi hartografëve u duhej të hamendeshin për të mbushur boshllëqet. Prapëseprapë, në vitin 1541, Merkatori ia doli të ndërtonte «globin më të kompletuar që ishte bërë deri në atë kohë».

I akuzuar për herezi

Luveni, qyteti ku banonte Merkatori, kishte shumë luteranë. Në vitin 1536 Merkatori tashmë ishte bërë simpatizant i luteranizmit dhe duket se e shoqja më vonë u bë luterane. Në shkurt të 1544-s, Merkatori u arrestua bashkë me 42 banorë të Luvenit nën akuzën se shkruanin «letra të dyshimta». Megjithatë, kjo mund të ketë ndodhur edhe ngaqë botimi i hartës së Tokës së Shenjtë kishte ngjallur dyshime te Taperi dhe Latomi, dy teologë në Universitetin e Luvenit. Ata kishin drejtuar gjyqin e përkthyesit të Biblës Uilliam Tindal, i cili u ekzekutua në Anversë më 1536-n. Ndoshta Taperi dhe Latomi ishin të shqetësuar se harta e Tokës së Shenjtë nga Merkatori do të nxiste leximin e Biblës, ashtu si ndodhi me përkthimin e Biblës nga Tindali. Sidoqoftë, Merkatori u burgos në kështjellën e Rupelmondit, në vendlindjen e tij.

Antoneta van Rusmalsi, një nga të akuzuarit e tjerë, dëshmoi se Merkatori nuk kishte marrë pjesë kurrë në leximet e fshehta të Biblës me protestantët. Por, meqë Antoneta vetë i kishte ndjekur këto lexime, atë e varrosën të gjallë që të vdiste ngadalë nga marrja e frymës. Merkatorin e liruan pas shtatë muajsh, gjithsesi, të gjitha gjërat ia kishin konfiskuar. Më 1552-shin, Merkatori u shpërngul në Duisburg të Gjermanisë, ku atmosfera fetare ishte më tolerante.

Atlasi i parë

Merkatori vazhdoi të mbronte tregimin biblik të krijimit. Ai ia kushtoi shumicën e jetës përgatitjes së një sinteze ose përmbledhjeje për krijimin «e qiellit dhe të tokës, qysh nga fillimi i kohëve e deri në të tashmen», siç u shpreh ai. Kjo vepër përmbante si të dhëna kronologjike, ashtu edhe gjeografike.

Më 1569-n, Merkatori botoi një listë të ngjarjeve më të rëndësishme historike që nga krijimi e këtej. Kjo ishte pjesa e parë e sintezës, që titullohej Chronologia (Kronologji). Ai kishte si synim t’i ndihmonte njerëzit të kuptonin vendin e tyre në kohë dhe në histori. Prapëseprapë, meqë Merkatori përfshiu në librin e tij protestën e Luterit kundër indulgjencave më 1517-n, Chronologia u fut në listën e librave të ndaluar nga Kisha Katolike.

Vitet që pasuan, Merkatori i kushtoi mjaft kohë vizatimit dhe skalitjes së pllakave për bërjen e hartave të gjeografisë së tij të re. Në vitin 1590, Merkatorit i ra iktus që e la pa gojë dhe të paralizuar në krah të majtë, dhe kjo ia vështirësoi tepër ecurinë e punës. Megjithatë, ai ishte i vendosur ta çonte deri në fund veprën më të rëndësishme të jetës së tij dhe vazhdoi me të derisa vdiq më 1594-n, në moshën 82-vjeçare. Djali i Merkatorit, Rumoldi, përfundoi pesë harta të pambaruara. Përmbledhja e plotë e hartave të Merkatorit u botua më 1595-n. Ishte vëllimi i parë i hartave që u quajt atlas.

Atlasi i Merkatorit përmbante një studim të kapitullit të parë të Zanafillës, ku vërtetësia e Fjalës së Perëndisë mbrohej përballë kundërshtimit të filozofëve. Merkatori e quajti këtë studim «qëllimi i gjithë mundit tim».

«Gjeografi më i madh i ditëve tona»

Vëllimi i Atlasit me format më të madh, që u botua nga Jodok Hondi më 1606-n, u shtyp në shumë gjuhë dhe u bë ndër më të kërkuarit në treg. Abraham Orteli, një hartograf i shekullit të 16-të, e lëvdoi Merkatorin duke e quajtur «gjeografi më i madh i ditëve tona». Nikolas Kreini, shkrimtar i kohës sonë, e përshkroi Merkatorin si «njeriu që bëri hartën e planetit».

Trashëgimia që la Merkatori është akoma pjesë e jetës sonë të përditshme. Sa herë kërkojmë në atlas ose kur ndezim Sistemin Global të Pozicionimit (GPS), po nxjerrim dobi nga puna e Merkatorit, njeriut të shquar që gjatë gjithë jetës u përpoq të gjente vendin e tij në krijimin e Perëndisë.

[Kutia në faqen 21]

MERKATORI—STUDIUES I ZELLSHËM I BIBLËS

Merkatori besonte se toka do të bëhej përsëri një vend ku do të mbizotëronte drejtësia, paqja dhe begatia. Ai shkroi një studim që nuk u botua, ku komentonte kapitujt 1-11 të Romakëve, në të cilin hidhte poshtë idenë kalviniste të paracaktimit të fatit. Është interesante se nuk ishte dakord as me Martin Luterin e tha se, përveç besimit, për të shpëtuar duhen edhe veprat. Në një letër, Merkatori shkroi se mëkati «nuk vjen nga planetët [astrologjia] dhe as nga ndonjë prirje natyrore e krijuar nga Perëndia, por vetëm nga vullneti i lirë i njeriut». Në korrespondencën e tij hidhte poshtë dogmën katolike të transubstancimit, pra, se vera dhe buka shndërrohen vërtet në gjakun dhe trupin e Jezuit. Ai tha se fjalët e Jezuit «ky është trupi im» nuk duhen marrë në kuptim të mirëfilltë, por në kuptim simbolik.

[Kutia dhe figura në faqen 22]

PROJEKSIONI I MERKATORIT

A keni provuar ndonjëherë të shtroni lëkurën e portokallit? Patjetër, kjo nuk mund të bëhet pa e shformuar. Kjo ilustron problemin me të cilin përballeshin bërësit e hartave: si të vizatonin rruzullin e tokës në hartë të sheshtë. Merkatori i dha zgjidhje këtij problemi, duke krijuar një sistem që njihet si projeksioni i Merkatorit. Në këtë metodë, largësia midis paraleleve që tregojnë gjerësinë gjeografike, zmadhohet proporcionalisht me rritjen e largësisë nga ekuatori drejt poleve. Ndonëse kjo metodë shtrembëron largësitë dhe përmasat (sidomos duke iu afruar veriut e jugut), ajo ishte një arritje e rëndësishme në hartografi. Harta e shtrirë e botës e 1569-s ishte një kryevepër që luajti rol të rëndësishëm në përhapjen e famës së tij si hartograf. Projeksioni i tij vazhdon të përdoret në hartat e oqeaneve dhe në Sistemin Global të Pozicionimit.

[Figura]

Projeksioni i Merkatorit mund të krahasohet me një cilindër që, kur hapet, paraqit tokën në formë të sheshtë

[Figura në faqen 20]

Në Hartën e Tokës së Shenjtë nga Merkatori ishin shënuar mbi 400 vende, 1537

[Figura në faqet 20, 21]

Harta e botës nga Merkatori, 1538

Shih «AMERI CAE» në të dyja kontinentet amerikane

[Burimi i figurës në faqen 19]

Antwerpen, Stedelijk Prentenkabinet

[Burimi i figurës në faqen 20]

Të dyja hartat: nga Biblioteka e Shoqatës Amerikane të Gjeografisë, Bibliotekat e Universiteteve të Uiskonsinit dhe të Miluokit