Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta bëj të këndshëm leximin e Biblës?

Si ta bëj të këndshëm leximin e Biblës?

Të rinjtë pyesin

Si ta bëj të këndshëm leximin e Biblës?

Sa shpesh e lexon Biblën? (Shëno një nga rastet)

□ Çdo ditë

□ Çdo javë

□ Tjetër ․․․․․

Plotëso fjalitë e mëposhtme.

Kur nuk më kënaq leximi i Biblës, zakonisht ndodh ngaqë . . . (Shëno ato që zbatohen në rastin tënd)

□ Nuk më tërheq

□ Nuk e kuptoj

□ Shpërqendrohem

□ Tjetër ․․․․․

A TË duket se leximi i Biblës nuk të sjell ndonjë kënaqësi të madhe? Nëse po, mbase je dakord me Uillin 18-vjeçar, i cili thotë: «Bibla mund të duket e mërzitshme.» Megjithatë, ai shton: «Kjo ndodh vetëm kur nuk di si ta lexosh.»

Pse ia vlen të mësosh si ta lexosh Biblën? Po ja, a dëshiron të dish më shumë se si:

Të marrësh vendime të mira?

Të kesh shokë të vërtetë?

Të përballosh stresin?

Bibla përmban perla mençurie për këto tema e për të tjera. Vërtet duhen përpjekje për t’i gjetur këta margaritarë, por është njësoj si të përpiqesh të gjesh një thesar. Sa më shumë këmbëngulje dhe mund të dojë kërkimi, aq më entuziazmues është zbulimi.—Proverbat 2:1-6.

Si të zbulosh thesare në Bibël? Kutia në të djathtë, që mund të pritet, të jep një ide se si të lexosh dhe (në anën tjetër) çfarë radhe të ndjekësh. Gjithashtu, provo ato sugjerime në faqet vijuese që të pëlqejnë ty.

Nëse e përdor Internetin, mund ta lexosh Biblën në gjuhë të ndryshme në këtë adresë www.watchtower.org

PËR TË MENDUAR

Thuhet se fryti i një pune varet shumë nga mundi që derdh.

▪ Pse kjo është e vërtetë edhe për leximin e Biblës?

▪ Kur mund të rezervosh kohë për leximin e Biblës?

[Kutia dhe figura në faqen 23]

SI TA LEXOSH BIBLËN?

Para se të lexosh . . .

▪ Merr masa që të lexosh në ambient të qetë për t’u përqendruar.

▪ Lutu që ta kuptosh.

Ndërsa lexon . . .

▪ Përdor harta dhe figura të tregimeve biblike, të cilat të ndihmojnë ta përfytyrosh skenën.

▪ Mendo për rrethanat dhe analizo hollësitë.

▪ Lexo shënimet dhe referimet.

▪ Bëji vetes pyetje të tilla, si:

TË DHËNA: Kur ndodhi kjo ngjarje? Kush i tha këto fjalë? Kujt iu drejtuan këto fjalë?

KUPTIMI: Si do t’ia shpjegoja dikujt tjetër këtë që lexova?

VLERA: Pse Perëndia Jehova e përfshiu në Fjalën e tij këtë tregim? Çfarë zbulon për personalitetin e tij ose për mënyrën si vepron? Çfarë mësimesh mund të zbatoj në jetën time?

Pas leximit . . .

▪ Bëj kërkime të mëtejshme. Përdor botimet ndihmëse që kanë siguruar Dëshmitarët e Jehovait, si botimet Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet dhe «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm», nëse janë në gjuhën tënde.

▪ Lutu përsëri. Thuaji Jehovait çfarë mësove dhe si mendon ta zbatosh. Falënderoje për Fjalën e tij, Biblën.

[Kutia dhe figura në faqen 24]

ÇFARË RADHE DO TË NDJEKËSH PËR LEXIMIN E BIBLËS?

 Mundësi . . .

□ Lexoje nga fillimi në fund.

□ Lexo sipas radhës kronologjike, pra, sipas radhës që u shkruan librat ose sipas radhës që ndodhën ngjarjet.

□ Çdo ditë lexo nga Shkrimet një fragment të ndryshëm.

E hënë: Histori me ngjarje emocionuese (nga Zanafilla te Estera)

E martë: Jeta dhe mësimet e Jezuit (nga Mateu te Gjoni)

E mërkurë: Krishterimi i hershëm (Veprat)

E enjte: Profeci dhe mësime për moralin (nga Isaia te Malakia, Zbulesa)

E premte: Poezi dhe këngë prekëse (Jobi, Psalmet, Këngët e Solomonit)

E shtunë: Mençuri për jetën (Proverbat, Eklisiastiu)

E diel: Letra drejtuar kongregacioneve (nga Romakëve te Juda)

Cilëndo radhë të zgjedhësh, mos harro se cilat pjesë ke lexuar tashmë. Vër një ✔ përbri çdo kapitulli pasi ta mbarosh ose gjej ndonjë mënyrë tjetër për të mbajtur mend se cilët kapituj ke lexuar.

Prite këtë kuti dhe mbaje në Biblën tënde

[Kutia dhe diagrami në faqen 24]

JEPU JETË SHKRIMEVE!

Përfshihu në atë që lexon. Për shembull:

□ Me listat e emrave krijo pemën gjenealogjike të familjeve.

□ Bëj skema. Për shembull, ndërsa lexon për një personazh besnik, lidh cilësitë dhe veprat e tij me bekimet që mori.—Proverbat 28:20.

[Diagrami]

Mik i Perëndisë

I bindur

Me besim

↑ ↑

Abrahami

□ Bëj vizatime për të ilustruar tregimin.

□ Bëj skica të thjeshta për të treguar një varg ngjarjesh që pasojnë njëra-tjetrën. Përshkruaj çfarë ndodh në çdo skenë.

□ Ndërto një model të vogël për objekte të tilla si arka e Noesë.—Për shembull, shih Zgjohuni! të janarit 2007, faqja 22.

Lexo me zë me shokët ose me familjarët. Sugjerim: caktoni dikë që të lexojë pjesën e tregimtarit. Të tjerët mund të lexojnë personazhet.

□ Zgjidh një tregim dhe thuaje në formën e një lajmi në televizor a gazetë. Raportoje lajmin nga këndvështrime të ndryshme, duke përfshirë «intervista» me personazhet kryesore dhe me ata që e kanë parë ngjarjen me sytë e tyre.

□ Zgjidh një tregim ku personazhi mori një vendim të gabuar dhe imagjino sikur të kishte vepruar ndryshe. Për shembull, merr rastin kur Pjetri mohoi Jezuin. (Marku 14:66-72) Si mund të kishte vepruar më mirë Pjetri në atë situatë të vështirë?

□ Shih ose dëgjo regjistrime të dramave biblike.

Shkruaj vetë një dramë. Përfshi mësimet që mund të nxjerrim nga tregimi.—Romakëve 15:4.

IDE: Luajeni këtë dramë me një grup të vogël shokësh.

[Kutia dhe figura në faqen 25]

SI TË MOTIVOHESH?

▪ Vër një synim. Më poshtë shkruaj datën se kur dëshiron të fillosh programin për leximin e Biblës.

․․․․․

▪ Zgjidh një pjesë nga Bibla që të intereson.—Shih kutinë  «Çfarë radhe do të ndjekësh për leximin e Biblës?» Pastaj më poshtë shkruaj cilën pjesë të Biblës do të lexosh në fillim.

․․․․․

▪ Si fillim, lexo pak minuta. Është më mirë ta lexosh Biblën sikur edhe 15 minuta, sesa të mos e lexosh fare. Më poshtë shkruaj sa kohë mund të rezervosh për këtë qëllim.

․․․․․

Sugjerim: Mbaj një Bibël për studim. Bëj shënime në të. Shëno vargjet që kanë domethënie të veçantë për ty.

[Kutia dhe figurat në faqen 25]

JA Ç’THONË MOSHATARËT E TU

«Përpiqem të lexoj pak nga Bibla çdo natë para se të shkoj në shtrat. Kështu mund të mendoj për diçka të mirë teksa më zë gjumi.»—Megani.

«Përqendrohem në një varg për 15 minuta. Lexoj çdo shënim, shoh çdo referim dhe bëj kërkime të tjera. Ka raste që për një varg nuk mjafton të ulem vetëm një herë, por, me këtë metodë, përfitoj jashtë mase nga leximi.»—Kori.

«Njëherë e lexova të gjithë Biblën për 10 muaj. Me atë ritëm pashë lidhje midis pjesëve të Biblës që s’i kisha vënë re më parë.»—Xhoni.

[Kutia në faqen 25]

MUND TË ZGJEDHËSH

Zgjidh një ngjarje. Bibla është plot ngjarje të vërteta emocionuese. Zgjidh një tregim që të intereson dhe lexoje nga fillimi në fund.

Sugjerim: Për ndonjë ide se si të përfitosh më shumë nga tregimi biblik, shih faqen 292 të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

Zgjidh një Ungjill. Lexo Mateun (Ungjilli i parë që u shkrua), Markun (që dallohet për ritmin e shpejtë tregimtar dhe për ngjarjet e shumta emocionuese), Lukën (që i kushton vëmendje të veçantë lutjes dhe grave) ose Gjonin (pjesa më e madhe e të cilit nuk trajtohet në Ungjijtë e tjerë).

Sugjerim: Përpara se të lexosh, kërko shkurtimisht informacione për librin e Biblës dhe shkrimtarin, që ta kuptosh më mirë pse ai Ungjill është ndryshe nga të tjerët.

Zgjidh një Psalm. Për shembull:

Po të ndihesh vetëm dhe pa shokë, lexo Psalmin 142.

Po të jesh i shkurajuar për shkak të dobësive që ke, lexo Psalmin 51.

Nëse dyshon për vlerën e normave të Perëndisë, lexo Psalmin 73.

Sugjerim: Përse të mos mbash një listë të Psalmeve që ke lexuar e që ty të japin zemër në mënyrë të veçantë?

[Kutia në faqen 26]

KËRKO MË THELLË

▪ Mendo për sfondin. Shqyrto kohën, vendin dhe rrethanat ku zhvillohet ngjarja.

Shembull: Lexo Ezekielin 14:14. Ç’moshë mund të kishte Danieli kur Jehovai e përmendi si shembull të mirë bashkë me Noenë dhe Jobin?

E dhënë: Kapitulli 14 i Ezekielit u shkrua vetëm pesë vjet pasi Danielin e morën rob në Babiloni, pra ka të ngjarë të ishte adoleshent.

Margaritari i fshehur: A e vinte re Jehovai besnikërinë e Danielit ndonëse ishte shumë i ri? Cilat vendime të mira i sollën bekime? (Danieli 1:8-17) Si të ndihmon ty shembulli i Danielit që të marrësh vendime të mira?

▪ Analizo hollësitë. Nganjëherë edhe një fjalë e vetme ose dy janë plot kuptim.

Shembull: Krahaso Mateu 28:7 me Markun 16:7. Pse Marku, kur përmendi se Jezui do t’u shfaqej së shpejti dishepujve, dha një hollësi duke shtuar «dhe Pjetrit»?

E dhënë: Marku nuk i pa me sytë e tij këto ngjarje. Me sa duket, ai e mori këtë informacion nga Pjetri.

Margaritari i fshehur: Pse duhet të ketë marrë zemër Pjetri kur dëgjoi se Jezui donte ta takonte sërish? (Marku 14:66-72) Si e tregoi Jezui se ishte shok i vërtetë për Pjetrin? Si ta imitosh Jezuin që edhe ti të jesh një shok i vërtetë për të tjerët?

Bëj kërkime të mëtejshme. Shqyrto botime të bazuara në Bibël për të gjetur shpjegime.

Shembull: Lexo Mateun 2:7-15. Kur shkuan astrologët te Jezui?

E dhënë: Shih Kullën e Rojës të 1 janarit 2008, faqja 31, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

Margaritari i fshehur: Si i plotësoi Jehovai nevojat ekonomike të familjes së Jezuit kur ishin në Egjipt? Si mund të të ndihmojë besimi te Perëndia që të përballosh rrethanat stresuese?—Mateu 6:33, 34.