Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A dëshiron Perëndia që ti të bëhesh i pasur?

A dëshiron Perëndia që ti të bëhesh i pasur?

Pikëpamja e Biblës

A dëshiron Perëndia që ti të bëhesh i pasur?

«Sot e ndjej që Zoti po më jep dorë. Do të bëhem i pasur!»

«Kam vënë para se ma ka sjellë Zoti mbarë.»

«Perëndia jep edhe fuqi, edhe pasuri.»

«Po bëj para falë Librit [të Shenjtë].»

KËTO pohime pasqyrojnë pikëpamjen e disa grupeve fetare që thonë se pasuria është bekim nga Perëndia. Ata predikojnë se, po të bësh gjëra të drejta në sytë e Perëndisë, ai do të të japë pasuri në këtë jetë dhe do të të shpërblejë edhe në botën tjetër. Kjo teologji ka bërë për vete shumë njerëz dhe librat që e propagandojnë janë ndër më të shiturit. Por, a përputhet me Biblën kjo «teologji e pasurisë»?

Sigurisht që Krijuesi ynë, të cilin Bibla e quan ‘Perëndi i lumtur’, dëshiron që ne të kemi jetë të lumtur e të suksesshme. (1 Timoteut 1:11; Psalmi 1:1-3) Gjithashtu, ai i bekon ata që kanë miratimin e tij. (Proverbat 10:22) Por, a do të thotë se sot këtë bekim e marrim vetëm në formën e begatisë materiale? Përgjigjja është e qartë kur kuptojmë ku jemi në rrjedhën e kohës sipas qëllimit të Perëndisë.

A është koha për t’u pasuruar?

Në të kaluarën, Perëndia Jehova bekoi disa nga shërbëtorët e tij me pasuri. Dy shembuj tipikë janë patriarku Job dhe mbreti Solomon. (1 Mbretërve 10:23; Jobi 42:12) Megjithatë, shumë adhurues të tjerë të Perëndisë jetonin me pak, përfshirë Gjon Pagëzorin dhe Jezu Krishtin. (Marku 1:6; Luka 9:58) Çfarë tregon kjo? Sipas Biblës, Perëndia vepron me shërbëtorët e tij në përputhje me qëllimin që ka për ta në atë periudhë. (Eklisiastiu 3:1) Si zbatohet ky parim për ne sot?

Profecitë e Biblës na zbulojnë se jetojmë ‘në përfundim të sistemit’ ose «në ditët e fundit» të kësaj bote. Kjo epokë do të karakterizohej nga luftërat, sëmundjet, zia e bukës, tërmetet dhe degradimi i shoqërisë, kushte që kanë pllakosur njerëzimin në një shkallë të paparë që nga viti 1914. (Mateu 24:3; 2 Timoteut 3:1-5; Luka 21:10, 11; Zbulesa 6:3-8) Me pak fjalë, kjo botë është si një anije që po fundoset. Duke mbajtur parasysh këto fakte, a do të kishte kuptim që Perëndia t’i bekonte shërbëtorët e tij me pasuri apo për të kanë më shumë rëndësi gjëra të tjera?

Jezu Krishti e krahasoi kohën tonë me ditët e Noesë. Jezui tha: «Ashtu si njerëzit në ato ditë përpara përmbytjes, hanin e pinin dhe burrat e gratë martoheshin, deri ditën që Noeja hyri në arkë, dhe nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë, kështu do të jetë prania e Birit të njeriut.» (Mateu 24:37-39) Jezui i krahasoi ditët tona edhe me kohën e Lotit. Fqinjët e Lotit në Sodomë dhe Gomorrë «hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin dhe ndërtonin». Jezui tha: «Por ditën që Loti doli nga Sodoma, nga qielli ra zjarr e squfur dhe i shkatërroi të gjithë.» Më tej shtoi: «Po ashtu do të jetë edhe ditën kur të zbulohet Biri i njeriut.»—Luka 17:28-30.

Natyrisht, s’ka asgjë të keqe të hash, të pish, të martohesh, të blesh dhe të shesësh. Rreziku është nëse këto gjëra na përpijnë, aq sa nuk vëmë re urgjencën e kohës ku jetojmë. Pra, pyet veten: «A do të na bënte nder Perëndia po të na bekonte pikërisht me ato gjëra që do të na shpërqendronin?» * Përkundrazi, do të na dëmtonte. Perëndia i dashurisë nuk vepron kështu.—1 Timoteut 6:17; 1 Gjonit 4:8.

Koha për të shpëtuar jetë

Në këtë kohë kritike të historisë së njerëzimit, populli i Perëndisë ka një punë urgjente. Jezui tha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) Dëshmitarët e Jehovait i marrin shumë seriozisht këto fjalë. Prandaj i nxitin fqinjët e tyre të mësojnë për Mbretërinë dhe për kërkesat e Perëndisë që të fitojnë jetën e përhershme.—Gjoni 17:3.

Sidoqoftë, Perëndia nuk pret që shërbëtorët e tij besnikë t’i mohojnë vetes çdo të mirë materiale, por dëshiron që ata të kënaqen me gjërat e nevojshme që të përqendrohen në shërbimin e tij. (Mateu 6:33) Ai nga ana e vet, do të kujdeset që atyre t’u plotësohen nevojat. Te Hebrenjve 13:5 thuhet: «Mënyra juaj e të jetuarit le të jetë pa dashuri për para, ndërsa jeni të kënaqur me gjërat që keni. Sepse [Perëndia] ka thënë: ‘Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.’»

Perëndia do ta plotësojë këtë premtim në një mënyrë të jashtëzakonshme kur të ruajë «një shumicë të madhe» adhuruesish të vërtetë gjatë fundit të këtij sistemi dhe t’i futë në një botë të re ku do të mbretërojë paqja dhe begatia e vërtetë. (Zbulesa 7:9, 14) Jezui tha: ‘Unë erdha që ata [dishepujt e tij besnikë] të kenë jetë e ta kenë me bollëk.’ (Gjoni 10:10) Kjo ‘jetë me bollëk’ nuk nënkupton një jetë me pasuri sot, por jetën e pafund në Parajsë, nën sundimin e Perëndisë.—Luka 23:43.

Pse të kënaqesh me diçka pa shumë vlerë kur ke përpara diçka shumë të vyer!? Mos u mashtro nga e ashtuquajtura teologji e begatisë që, në të vërtetë, është teologji e shpërqendrimit. Vëru veshin fjalëve të dashura, por edhe të ngutshme të Jezuit: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga të ngrënët e tepërt, nga pirja e tepërt dhe nga ankthet e jetës, që ajo ditë të mos bjerë befas mbi ju si një lak.»—Luka 21:34, 35.

[Shënimi]

^ par. 13 Ashtu si në shekullin e parë, edhe sot disa adhurues besnikë të Perëndisë janë të pasur. Gjithsesi, Perëndia i paralajmëron të mos kenë besim te pasuria dhe të mos shpërqendrohen prej saj. (Proverbat 11:28; Marku 10:25; Zbulesa 3:17) Të pasur a të varfër qofshim, të gjithë duhet të përqendrohemi në kryerjen e vullnetit të Perëndisë.—Luka 12:31.

A DONI TË DINI?

▪ Për çfarë është koha e duhur sot?—Mateu 24:14.

▪ Me kohën e cilëve personazhe biblike e krahasoi Jezui kohën tonë? —Mateu 24:37-39; Luka 17:28-30.

▪ Çfarë duhet të shmangim nëse duam të fitojmë jetën e përhershme?—Luka 21:34.

[Diçitura në faqen 13]

E ashtuquajtura teologji e begatisë në të vërtetë është teologji e shpërqendrimit