Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bastisen raftet me ilaçe

Bastisen raftet me ilaçe

Bastisen raftet me ilaçe

«FILLOVA të pija ilaçe kur isha 14 vjeçe,—tha një grua me emrin Lina. *—Doja të isha e hollë dhe tërheqëse, prandaj mjeku i familjes më dha me recetë disa kokrra dietike. Ndihesha mirë vetëm kur dukej se djemtë më admironin. Dalëngadalë kalova te drogat e forta dhe te jeta imorale që vinte bashkë me to. Gjithnjë doja të arrija ekstazën.»

Mira vuante nga migrena dhe mjeku i dha një qetësues. Me kalimin e kohës merrte gjithnjë e më shumë hape, jo vetëm për dhembjen e kokës, por edhe ngaqë po bëhej e varur ndaj ilaçeve. Gjithashtu, filloi të pinte hapet që mjeku ua kishte dhënë të tjerëve në familje.

Po, raportet tregojnë se një numër gjithnjë e më i madh adoleshentësh dhe një numër befasues të rriturish po abuzojnë me ilaçet që jepen me recetë, për t’u qetësuar, për të përballuar stresin, për t’u përqendruar, për të rënë në peshë ose për të kaluar në eufori ose në përhumbje. Ndër ilaçet me të cilat abuzohet më shpesh janë ato që gjenden në shumë shtëpi: qetësuesit për dhembje, stimulantët dhe qetësuesit nervorë. * Te ky grup përfshihen edhe ilaçet që merren pa recetë, si ato për gjumë, për bllokimin e rrugëve të frymëmarrjes dhe për alergji.

Problemi është përhapur në shumë vende dhe po rëndohet. Për shembull, në disa pjesë të Afrikës, Evropës dhe në jug të Azisë, abuzimi me ilaçet me recetë po ia kalon abuzimit me drogën. Në Shtetet e Bashkuara abuzimi i ilaçeve me recetë është më i madh sesa përdorimi i thuajse të gjitha drogave, me përjashtim të kanabisit. Sipas një artikulli të kohëve të fundit në një gazetë, nga të rinjtë e moshave 12-17-vjeçare janë më shumë ata që abuzojnë «me ilaçet nga mjeku, sesa [ata që abuzojnë] me kokainën, heroinën dhe metamfetaminat të marra së bashku». Vërtet, kërkesa për to është kaq e madhe saqë i ka dhënë hov prodhimit të ilaçeve false.

Si mund të ruash veten dhe fëmijët nga abuzimi me ilaçet dhe me drogat? Përgjigjen do ta gjeni në artikujt vijues.

[Shënimet]

^ par. 2 Në këtë seri emrat janë ndryshuar.

^ par. 4 Shumë nga parimet e trajtuara në këta artikuj vlejnë edhe për përdorimin e drogës dhe abuzimin me alkoolin.

[Kutia në faqen 3]

«Varësia nga ilaçet është ajo gjendje kur dikush i merr ngaqë nuk bën dot pa to, nuk i merr për arsye mjekësore dhe vazhdon t’i përdorë pavarësisht nga dëmi e rreziku që shkaktojnë»,—thotë një burim referimi për mjekët Physicians’ Desk Reference. Varësia karakterizohet nga mungesa e kontrollit dhe fiksimi pas ilaçit.

Varësia fizike duket kur pacienti përkeqësohet po të lërë një ilaç, siç janë ato me bazë opiumi. Ky është një reagim normal dhe nuk është njësoj me varësinë e shpjeguar më sipër.

Toleranca është nevoja për një dozë më të madhe në mënyrë që dhembja të qetësohet njësoj.